Kur ka arritur deri në kulm pa kurrfarë lejeje, Manastiri i Graçanicës i ka rregulluar letrat që të vazhdojë punimet për ndërtimin e konakut të murgjve. Instituti Arkeologjik i Kosovës, pas ndërprerjes së punimeve nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, ka aprovuar kërkesën “për dhënien e pëlqimit parimor arkeologjik”. Ndërtimi qe bërë edhe në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore dhe ligjet e tjera që trajtojnë zonat e mbrojtura. Në mesin e shkurtit ishin ndalur punimet në vendpunishte. Me aktin e ri të nxjerrë nga IAK-ja lejohet që të vazhdojnë punimet për ndërtesën që do të jetë në zonë të mbrojtur si aset arkeologjik e në shërbim të nevojave për Manastirin e Graçanicës, monumentet nën mbrojtje të përhershme nga shteti
Instituti Arkeologjik i Kosovës i ka hapur rrugë vazhdimit të ndërtimit të konakut të murgjve për Manastirin e Graçanicës. Nëpërmjet pëlqimit të Institutit, Kisha Ortodokse Serbe do të vazhdojë punën për ndërtimin e objektit që pa leje kishte arritur deri te kulmi. Ky vendim vjen pas ndërprerjes së punimeve nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, aplikimit për pëlqim, mosmiratimit dhe kërkesës për plotësim të dosjes.
E me aktin e ri të nxjerrë nga IAK-ja lejohet që të vazhdojnë punimet për ndërtesën që do të jetë në zonë të mbrojtur si aset arkeologjik e në shërbim të nevojave për Manastirin e Graçanicës, monumentet nën mbrojtje të përhershme nga shteti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMe vendimin e nxjerrë më datë 10 prill nga ushtruesja e detyrës së drejtorit të IAK-së, Zana Rama, “aprovohet kërkesa për dhënien e pëlqimit parimor arkeologjik”. Ky vendim është marrë në bazë të rekomandimit të Këshillit Profesional Shqyrtues të Institutit Arkeologjik të Kosovës, që kryesohet nga arkeologu Berat Ademi.
Sipas vendimit, pas shqyrtimit të dokumentacionit është rekomanduar dhënia e pëlqimit, pasi bazuar në aktet nënligjore në fuqi pika më e lartë e ndërtesës së re nuk e tejkalon lartësinë e lejuar në raport me monumentin.
“Objekti nuk cenon integritetin hapësinor apo kuadrin e përgjithshëm të kishës, duke qenë edhe në harmoni me nenin 6, pika a) e Ligjit Nr. 03/L-039 për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, ku ndërtesa e re nuk konsiderohet aktivitet i kufizuar pasi që nuk është strukturë ose godinë me të cilën lidhet manastiri/kisha/monumenti kulturor që duhet të mbrohet”, shkruhet në vendimin që KOHA e ka siguruar nga Komuna e Graçanicës. Në këtë vendim shkruhet se destinimi i ndërtesës si konak konsiderohet në funksion të drejtpërdrejtë të manastirit dhe ky zhvillim nuk hyn në kategorinë e aktiviteteve të ndaluara sipas Ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura.
Manastiri gëzon mbrojtje edhe në bazë të këtij ligji, pos atij për trashëgimi kulturore.
Këshilli ka ardhur në përfundim se ndërtesa e propozuar ndodhet në një distancë prej rreth 250 metrash nga Kisha në Manastirin e Graçanicës dhe rreth 150 metra nga muri i parë rrethues i saj.
“Duke qenë se ndërtesa ndodhet jashtë murit të dytë rrethues sigurohet një shkallë e mjaftueshme e distancës fizike dhe vizuale nga aseti kryesor”, shkruhet në vendim.
Paraprakisht IAK-ja nuk kishte dhënë pëlqim pasi kishte kërkuar plotësim të dosjes. Tash sipas vendimit të këtij institucioni plotësohen kushtet ligjore për pëlqim.
Ndërtimi deri në kulm qe bërë pa kurrfarë lejeje dhe në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore dhe ligjet e tjera që trajtojnë zonat e mbrojtura.
Në ditën e 10-të të shkurtit, inspektorët e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore do të ndalnin punimet në vendpunishte. Të pranishmëve aty u qe dorëzuar edhe procesverbali ku shqiptohej masa e ndalimit të punimeve e po ashtu jepet edhe arsyetimi. Më pas u është dërguar edhe vendimi.
Në pjesën juglindore të murit rrethues të Manastirit të Graçanicës është rrënuar një pjesë e një objekti ekzistues. Edhe ky veprim është bërë pa kurrfarë pëlqimi nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Më pas ka nisur një ndërtim i planifikuar si konak për murgjit e Manastirit, i cili prej vitit 2016 është aset i trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme, kategoria më e lartë me të cilën shteti mbron një monument.
KOHA ka raportuar për këtë rast mbi bazën e një numri korrespodencash zyrtare institucionale, nëpërmjet të cilave konstatohej se punimet janë bërë pa leje. Ky konstatim ka ardhur nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës. Nëpërmjet një raporti zyrtar është njoftuar Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Inspektorët kanë zhvilluar një takim me zyrtarët e Komunës së Graçanicës. Pas takimit ku zyrtarëve komunalë u janë sqaruar detajet se si veprohet në këto raste, nëpërmjet postës elektronike u është kërkuar pezullimi i lejes për ndërtim.
Sipas shkresës, inspektorët dhe zyrtarët komunalë në takim qenë pajtuar që me qëllim të respektimit të dispozitave të Ligjit për trashëgiminë kulturore, të pezullohet leja për ndërtim në hapësirën e caktuar. Manastiri po ashtu është edhe zonë e veçantë e mbrojtur dhe është i listuar në Ligjin për zonat e veçanta të mbrojtura.
Por Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit në Komunën e Graçanicës po nëpërmjet postës elektronike kishte refuzuar të përfillte rekomandimin. Sipas drejtoreshës, Aleksandra Gjekiç, ata për lëshimin e lejes janë orientuar në Planin Zhvillimor të Komunës së Graçanicës për periudhën 2014–2029, Ligjin për Ndërtim dhe në Ligjin për zonat e veçanta të mbrojtura. Por ky ligj në asnjë nen nuk përcakton se intervenimet duhet të bëhen pa lejen e institucioneve të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Përkundrazi, ky ligj përcakton se “Zonat e Veçanta të Mbrojtura gjithashtu gëzojnë plotësisht mbrojtjen e përcaktuar nga Ligji mbi trashëgiminë kulturore dhe ndryshimet e tij të mëtutjeshme”. Po ashtu edhe Aneksi 5 i Planit të Ahtisaarit, prej nga buron ky ligj, përcakton se Kisha Ortodokse Serbe ushtron përgjegjësi në pajtim me legjislacionin e Kosovës. Drejtoria për Urbanizëm e Komunës së Graçanicës nëpërmjet shkresës i kishte thënë Inspektoratit se kërkesa e tyre bazohet në informata të pasakta dhe se injoron dispozitat ligjore për zonat e veçanta të mbrojtura dhe bazuar në këtë, e kishin kërkuar tërheqjen e urdhrit për pezullim, derisa çështja të shqyrtohet para Këshillit për Zbatim dhe Monitorim. Ky Këshill është derivat i Ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura. Por është forum lehtësues i komunikimit dhe marrëveshjeve ndërinstitucionale dhe nuk ka mandat të miratojë projekte e as të japë leje.
Inspektorati më pas, nëpërmjet një tjetër shkrese ia kishte sqaruar situatën edhe një herë Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit në Komunën e Graçanicës. U qe kërkuar përfillja e legjislacionit në fuqi, përfshirë Ligjin për trashëgimi kulturore.
Ligji për trashëgimi kulturore përcakton se në situata ku zhvillohen punime brenda perimetrit të monumenteve ose në zonën e mbrojtur të tyre duhet leje me shkrim.
“Cilado ndërhyrjeje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për trashëgimi kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore. E, pas shqiptimit të masës së ndalimit të punimeve nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, Komuna e Graçanicës kishte bërë kërkesë për pëlqim. Pasi kanë marrë përgjigje pozitive, Inspektorati ka larguar masën e ndalimit të punimeve.
KOHA vazhdimisht ka provuar të marrë përgjigje nga drejtoresha e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Graçanicës, Aleksandra Gjekiç, por ajo nuk është përgjigjur. Përgjigje nuk ka kthyer as Kisha Ortodokse Serbe.
Manastiri i Graçanicës gjendet në bregun e lumit “Graçanka”, në jug të Prishtinës. Sipas Databazës së trashëgimisë kulturore, Manastiri i sotëm është rikonstruktim i një kishe të shekullit XIV kushtuar së Virgjërës Mari, e cila kishë ishte ndërtuar në themelet e një bazilike të hershme të krishterë të shekullit VI.
Manastiri i Graçanicës qysh në vitin 2006, njësoj sikurse Patrikana e Pejës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren e që pasuan Manastirin e Deçanit më 2004 u regjistruan në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Kanë hyrë në Listën e trashëgimisë botërore në rrezik si “Monumente Mesjetare në Kosovë” e të cilat në këtë organizatë botërore janë nën emrin e Serbisë.
LEXO EDHE: