Komuna e Graçanicës, saktësisht Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim pos që ka lëshuar leje ndërtimi në perimetër të monumentit pa pasur pëlqimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës, refuzon ta pezullojë lejen deri në një afat kur projekti shqyrtohet nga i vetmi autoritet i përcaktuar me ligj për miratimin e ndërhyrjeve në asetet e trashëgimisë kulturore. Në këtë rast, Manastiri i Graçanicës gëzon mbrojtje të përhershme si aset arkitekturor i trashëgimisë kulturore dhe zona njëkohësisht është lokalitet arkeologjik. Ndërtimi i konakut të murgjve ka nisur pa dijeninë e institucioneve të trashëgimisë kulturore
Kisha Ortodokse Serbe bashkë me Komunën e Graçanicës kanë shpërfillur Ligjin për trashëgimi kulturore duke nisur ndërtimin e një objekti ngjitur me murin rrethues të Manastirit të Graçanicës. Përtej kësaj, Komuna, saktësisht Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim pos që ka lëshuar leje pa pasur pëlqimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës, refuzon ta pezullojë lejen deri në një afat kur projekti shqyrtohet nga i vetmi autoritet i përcaktuar me ligj për miratimin e ndërhyrjeve në asetet e trashëgimisë kulturore. Në këtë rast, Manastiri gëzon mbrojtje të përhershme si aset arkitekturor i trashëgimisë kulturore dhe zona njëkohësisht është lokalitet arkeologjik.
Në pjesën juglindore të murit rrethues të Manastirit të Graçanicës është rrënuar një pjesë e një objekti ekzistues. Edhe ky veprim është bërë pa kurrfarë pëlqimi nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Më pas ka nisur një ndërtim i planifikuar si konak për murgjit e Manastirit, i cili prej vitit 2016 është aset i trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme, kategoria më e lartë me të cilën shteti mbron një monument. Punimet janë zhvilluar brenda perimetrit të monumentit.
KOHA të dielën vonë ka parë një numër korrespodencash institucionale nëpërmjet të cilave konstatohet se punimet janë bërë pa leje. Ky konstatim vjen nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës. Nëpërmjet një raporti zyrtar është njoftuar Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Inspektorët kanë zhvilluar një takim me zyrtarët e Komunës së Graçanicës. Pas takimit ku zyrtarëve komunalë u janë sqaruar detajet se si veprohet në këto raste, nëpërmjet postës elektronike u është kërkuar pezullimi i lejes për ndërtim.
Sipas shkresës, inspektorët dhe zyrtarët komunalë në takim janë pajtuar që, me qëllim të respektimit të dispozitave të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, të pezullohet leja për ndërtim në hapësirën e caktuar. Manastiri po ashtu është edhe zonë e veçantë e mbrojtur dhe është i listuar në Ligjin për zonat e veçanta të mbrojtura. Zyrtarëve u është sqaruar që kërkesa për miratim t’u dërgohet paraprakisht institucioneve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, para se të vazhdohet me lëshimin e lejes ndërtimore.
Por Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit në Komunën e Graçanicës po nëpërmjet postës elektronike ka refuzuar të përfillë rekomandimin. Sipas kësaj Drejtorie, ata për lëshimin e lejes janë orientuar në Planin Zhvillimor të Komunës së Graçanicës për periudhën 2014–2029, Ligjin për Ndërtim dhe në Ligjin për zonat e veçanta të mbrojtura. Por ky ligj në asnjë nen nuk përcakton se intervenimet duhet të bëhen pa lejen e institucioneve të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Përkundrazi ky Ligj përcakton se: “Zonat e Veçanta të Mbrojtura gjithashtu gëzojnë plotësisht mbrojtjen e përcaktuar nga Ligji mbi Trashëgiminë kulturore dhe ndryshimet e tij të mëtutjeshme”. Po ashtu edhe Aneksi 5 i Planit të Ahtisaarit prej nga buron ky ligj, përcakton se Kishës Ortodokse Serbe ushtron përgjegjësi në pajtim me legjislacionin e Kosovës. Drejtoria për Urbanizëm e Komunës së Graçanicës nëpërmjet shkresës, i ka thënë Inspektoratit se kërkesa e tyre bazohet në informata të pasakta dhe se injoron dispozitat ligjore për zonat e veçanta të mbrojtura dhe bazuar në këtë, e kanë kërkuar tërheqjen e urdhrit për pezullim, derisa çështja të shqyrtohet para Këshillit për Zbatim dhe Monitorim. Ky Këshill është derivat i Ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura. Por është forum lehtësues i komunikimit dhe marrëveshjeve ndërinstitucionale dhe nuk ka mandat të miratojë projekte e as të japë leje.
Inspektorati më pas nëpërmjet një tjetër shkrese, në fund të ditëve të punës së javës së kaluar ia kanë sqaruar situatën edhe një herë drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit në Komunën e Graçanicës. U është kërkuar përfillja e legjislacionit në fuqi, përfshirë Ligjin për trashëgimi kulturore.
Ligji për Trashëgimi Kulturore përcakton se në situata ku zhvillohen punime Brenda perimetrit të monumenteve ose në zonën e mbrojtur të tyre duhet leje me shkrim.
“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore, kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9. Madje ky Ligj përcakton edhe se institucioni kompetent ka të drejtë vetoje në raste të tilla.
Për dallim të rastit Manastirit të Graçanicës – i cili është edhe nën mbrojtje të UNESCO-s në Listën e trashëgimisë kulturore në rrezik – Kisha Ortodokse Serbe para rreth një muaji ka kërkuar leje për një ndërhyrje në Kishën Ortodokse në Ferizaj. Projekti i është miratuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore viteve të fundit disa herë ka shqiptuar masën e ndalimit të punimeve në zona të veçanta të mbrojtura, midis tyre edhe Ura Mesjetare në Vushtrri.
KOHA sot (e hënë) do të provojë të marrë përgjigje nga të gjitha palët sa i përket kësaj çështjeje.
Manastiri i Graçanicës gjendet në bregun e lumit “Graçanka”, në jug të Prishtinës. Sipas databazës së trashëgimisë kulturore, Manastiri i sotëm është rikonstruktim i një kishe të shekullit XIV kushtuar të Virgjërës Mari, e cila kishë ishte ndërtuar në themelet e një bazilike të hershme të krishtere të shekullit VI.
“Sipas konceptit të saj hapësinor i takon tipit të kishave me pesë kupola mbi bazë katrore me kryq të brendashkruar, karakteristike për arkitekturën bizantine. Në eksterier është arritur një marrëdhënie ideale në proporcionet dhe volumin e manastirit. Ngritja graduale e harqeve dhe kupolave duke shkuar kah pjesët e sipërme si dhe ndarja e fasadës ballore në tri pjesë përmes harqeve, i japin kishës një harmoni të jashtëzakonshme dhe vlerë të veçantë arkitekturore”, shkruhet në databazë. Sipas përshkrimit ramburi i kupolës kryesore është origjinal, mbi të takohen harqet, duke e theksuar kështu bazën katrore të kryqit të brendashkruar. Aty qartësohet se katër kupolat anësore ngrihen mbi tamburet mjaft të larta, të cilat e theksojnë vertikalen e ndërtesës, që nuk ishte karakteristikë tipike e asaj periudhe. “Restaurimi më i madh në manastir është bërë kah fundi i shek. XVI, ku të gjitha hapjet në narteksin e jashtëm janë murosur dhe janë pikturuar afreske të reja. Manastiri pësoi dëme të mëdha gjatë fundit të shek. XVII, kurse pas Luftës së Dytë Botërore u rinovua nga murgeshat dhe që nga ajo kohë ka shërbyer si kuvend i tyre. Enterieri i manastirit është i pasur me afreske”, shkruhet në databazë. Sqarohet se piktorët e famshëm nga Selaniku Mihajli dhe Evtihije i përfunduan afresket në kishën kryesore deri më 1321, prej të cilave “Cikli i Festave të Mëdha”, “Mundimet dhe Mrekullitë e Krishtit” janë më të njohurat.
“Përpos afreskeve të jashtëzakonshme të shek. XIV ekzonarteksi i manastirit përmban afreske shumë të çmuara post-bizantine të shek. XVI si dhe një thesar të ikonave të periudhave të mëvonshme prej të cilave më të rëndësishmet janë ikona e Jezus Krishtit dhe ajo e së Virgjërës Mari. Manastiri i Graçanicës në vitin 2006 i është bashkëngjitur Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCOS nën emrin: Monumentet Mesjetare në Kosovë”, shkruhet në databazë.