Kulturë

Komuna pa vendim për destinimin e ish-objektit të “Gërmisë”

Foto: Driton Paçarada / KD

Komuna e Prishtinës ka bërë hapin e radhës për ta konkretizuar pronësinë mbi objektin e ish-“Gërmisë”, i cili prej tetorit të vitit të kaluar mbrohet si monument.

Por se cili do të jetë destinimi i këtij objekti – që për më shumë se një vit, derisa u ridestinua fondi prej 11.4 milionë eurosh i BE-së, u konsiderua për sallë koncertale – ende nuk ka vendim, shkruan sot Koha Ditore.

Të mërkurën Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Komuna e Prishtinës kanë arritur marrëveshje mirëkuptimi për pagesën e shpronësimit të ndërtesës “Shtëpia e re e mallrave”, pronë e ndërmarrjes shoqërore “Gërmia”, dhe për një pjesë të tokës së ndërmarrjes shoqërore “Slloga” (KHT Kosova).

Në marrëveshjen e nënshkruar mes nënkryetarit të Prishtinës, Selim Pacolli, dhe drejtorit menaxhues të AKP-së, Valon Tolaj, Komuna e Prishtinës ka marrë përsipër që brenda tre vjetësh të paguajë mjetet prej 20 për qind për punëtorët e ish-ndërmarrjes shoqërore “Gërmia”.

Kështu, kësti i parë do të paguhet në muajin tetor të këtij viti, kësti i dytë në muajin shkurt të vitit 2020, dhe kësti i tretë në muajin shkurt të vitit 2021.

Objekti ishte shpronësuar me vendim të Qeverisë më 23 tetor të vitit të kaluar. Kryeministri tash në dorëheqje, Ramush Haradinaj, pas vendimit për shpronësim e kishte prezantuar si punë të kryer që ish-“Gërmia” do të “adaptohet për sallë koncertale duke e ruajtur stilin arkitektonik si pjesë e memories kolektive, sipas kërkesës së komunitetit të artistëve”.

Por, më 19 mars të këtij viti, Ekzekutivi e kishte ndryshuar vendimin duke hequr dorë nga ruajtja e pamjes së jashtme, sado që nuk ishte në kompetencën e tij për të ndryshuar pamjen apo për të bërë ndërhyrje në monumentet e përfshira nën mbrojtje të përkohshme.