Pak më shumë se një vit prej se i janë ndërprerë punimet pa leje në sheshin “Xhorxh Bush”, Komuna e Prishtinës ka vendosur që t’i kthehet punës me faza. Për këtë e ka bërë hapin e parë: ka dorëzuar për miratim në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës vetëm një pjesë të projektit: atë për infrastrukturën teknike nëntokësore. Kjo qasje ishte diskutuar edhe në fillim të këtij viti në takimin midis zyrtarëve komunalë dhe atyre të institucioneve të trashëgimisë kulturore.
Paraprakisht në fillim të këtij muaji komuna nisi përgatitjen e terrenit po në atë hapësirë për t’i ndërruar gypat nëntokësorë, prapë pa e pasur projektin e miratuar nga institucionet e trashëgimisë kulturore meqenëse hapësira është në kuadër të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës dhe në afërsi të monumenteve.
Por Komunës i është bërë me dije se duhet të pajiset me leje. Ky tentim i Komunës për realizim punimesh në kuadër të projektit të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) lidhet edhe me projektin për sheshin “Xhorxh Bush”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë mars të vitit të kaluar, Komuna pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore synonte punime midis pesë monumenteve dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Komuna s’kishte marrë leje për ndërhyrje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve si i vetmi institucion me mandat për miratimin ose refuzimin e projekteve që prekin trashëgiminë arkitekturore. Punimet ishin ndërprerë.
Tash KOHA ka mësuar nga Komuna e Prishtinës dhe po ashtu e ka konfirmuar nga Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore se projekti për infrastrukturën nëntokësore është dorëzuar për shqyrtim.
“Projektin e kemi pranuar dhe tash do t’i nënshtrohet shqyrtimit sikurse çdo kërkese tjetër që vjen bazuar në Ligjin për trashëgimi kulturore dhe rregulloret përkatëse”, kanë thënë në IKMM.
Në fund të vitit të kaluar, zyrtarët komunalë kishin kërkuar takim me zyrtarët e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Takimi ishte zhvilluar në fund të janarit.
KOHA qe informuar për hollësi të këtij takimi. Zyrtarët komunalë kanë shprehur gatishmëri që të përgatisin lëndën e plotë për të kërkuar miratim të projektit.
“Takimi ishte shumë konstruktiv dhe ne sqaruam se do të veprojmë ashtu siç e përcakton Ligji për trashëgimi kulturore”, kishin bërë të ditur në IKMM.
Punimet e nisura pa leje ishin ndërprerë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore duke pamundësuar projektin për të cilin Komuna e Prishtinës ka lidhur kontratë me peshë financiare 18.1 milionë eurosh. Punimet i ishin ndalur më 12 mars. Më pas më 16 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill. Punimet vazhduan duke e ndarë sheshin përgjysmë. Në të majtë të katedrales, është shtruar pllaka e betonit, në atë që njihet edhe si “Tre Sheshirat” janë ngritur edhe lokalet.
Zyrtarët komunalë në takimin e fundit të janarit s’kishin thënë se do të hiqet dorë nga lokalet që synohet të ndërtohen e të cilat edhe janë arsye e fortë për refuzim të projektit nga IKMM-ja. Por tash duket se janë zbutur.
“Ne kemi propozuar një zgjidhje shumë praktike: Mund të sillet për shqyrtim dhe miratim faza e parë e projektit, instalimet e ndërhyrjet e tjera që janë nën sipërfaqe dhe në sipërfaqen e tokës. Të miratohen fillimisht ato dhe të vazhdojë puna në mënyrë që të hapet ai shesh e të mos ngelet ashtu siç është”, kishin bërë të ditur në IKMM. Dhe duket se situata po ecën në këtë rrugë. KOHA zyrtarisht s’ka pranuar ende përgjigje nga Komuna sa i përket zhvillimeve të reja.
Kjo është hera e dytë që Komuna kërkon leje. Kësaj radhe të pjesshme. Paraprakisht vitin e kaluar pas ndërprerjes së punimeve i kishte kërkuar IKMM-së që ta miratonte projektin.
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka dhënë rekomandime duke kërkuar sqarime shtesë, siç janë analiza e kontekstit urbanistik e historik. Shkresa e IKMM-së e konfirmon edhe një synim të projektit: ndërtesat e reja që ngrihen midis monumenteve. Kjo zbërthehet te shkresa, ku Komunës i kërkohet që të interpretohen ndërtesat e reja të parapara me projekt. Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve është po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia kishte përcjellë Komunës së Prishtinës. IKMM-ja ia kishte bërë të ditur Komunës së Prishtinës se nëpërmjet këtij projekti trajtohen shtatë sheshe si: ai i katedrales, i shkollës “Faik Konica”, sheshi komercial i rrugës “Garibaldi”, ai “Xhorxh Bush”, sheshi i koncerteve, i rekreacionit dhe ai i studentëve. Pesë prej këtyre shesheve, sipas komisionit të IKMM-së, gjenden brenda hapësirës së kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, si dhe brenda perimetrit të zonave të mbrojtura të monumenteve si: Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio Kosova, hoteli “Grand” dhe Banka Qendrore e Kosovës. Projekti, sipas shkresës, ishte kthyer në plotësim me gjashtë rekomandime. Në shkresë bëhet e ditur se projekti parasheh ndërhyrje në aspekt urban dhe arkitektonik, në perimetër dhe zonë mbrojtëse të monumenteve si Rektorati i UP-së dhe Radio Kosova, “duke cenuar integritetin hapësinor të këtyre monumenteve, respektivisht duke penguar kuadrin e dukshëm të përjetimit të tyre nga sheshi aktual dhe si të tilla nuk janë në pajtueshmëri me politikat për konservim dhe zhvillim të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të monumenteve”.
Pas zhvillimeve të pranverës së kaluar dhe përplasjeve të forta edhe politike midis Komunës dhe Ministrisë së Kulturës, Komuna lëndën e kishte dërguar në gjykatë duke kërkuar pezullimin e vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore e më pas edhe shqyrtim të ligjshmërisë së ndalimit të punimeve. Gjykata e kishte refuzuar pezullimin dy herë radhazi. Edhe pasi Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim.
Komuna i ka po ashtu punimet e ndaluara edhe për projektin “Ishulli Urban Arbëri – Pallat i Rinisë”, projekt që ka kosto 6.4 milionë eurosh. Për nënkalimin te “Agim Ramadani” muajin e kaluar i është refuzuar projekti për të dytën herë.
Zyrtarët komunalë në krye me kryetarin Përparim Rama e kanë kontestuar kufirin e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, e përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme prej vitit 2020. Komuna i referohet draft-planit të menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës që ende s’është miratuar dhe thotë se institucionet e trashëgimisë kulturore po bazohen në një draft-dokument. Por, sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, kufijtë e zonës së mbrojtur të QHP-së janë miratuar bashkë me propozimin e vitit 2020, kur QHP-ja ka fituar statusin e monumentit nën mbrojtje të përkohshme. Muajin e kaluar menaxhmenti komunal ka marrë leje për të vazhduar punimet në rrugën “Qamil Hoxha” që ishin ndërprerë në majin e vitit të kaluar. Punimet tash aty janë duke vazhduar. Komunës në këtë rast i ka mjaftuar vetëm ta dërgojë projektin dhe i ishte miratuar brenda afateve ligjore.