Komuna e Prishtinës është zotuar për një projekt të ri sa i përket trashëgimisë së presidentit Ibrahim Rugova. Në 19-të vjetorin e vdekjes së tij, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka bërë të ditur se së bashku me drejtorin e Planifikimit, Arbër Sadiki “me kënaqësi dhe nder të veçantë” kanë nënshkruar “deklaratën e fillimit të konkursit arkitektonik ndërkombëtar për dizajnimin e ‘Parkut Përkujtimor Dr. Ibrahim Rugova dhe Bibliotekës Presidenciale’”.
Sipas njoftimit, ky projekt do të jetë një pikë referimi për të gjithë kombin, një hapësirë që do të ruajë kujtimin e përhershëm për vizionarin dhe liderin historik të Kosovës dhe njëkohësisht do të shërbejë si burim dijeje për brezat që vijnë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ftojmë arkitektët më të mirë nga e gjithë bota të sjellin vizionet e tyre dhe të kontribuojnë në realizimin e një projekti që do të mishërojë vlerat tona kombëtare, historinë dhe trashëgiminë intelektuale. Ky është vetëm fillimi i një procesi që do ta transformojë këtë hapësirë në simbol të përhershëm të unitetit, kulturës dhe arsimit”, shkruhet në njoftim.
Në anën tjetër prej vitit 2021, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka themeluar bibliotekën presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova” në kuadër të institucionit që ajo udhëheq. Madje në qershorin e atij viti bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, kishin nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit mes bibliotekës presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova” dhe Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Ky projekt, sipas presidentes Osmani, ishte i bazuar në modelin amerikan të ndërtimit të bibliotekave presidenciale.
“Siç e përmenda, kjo bazohet në modelin amerikan dhe rrjedhimisht kemi marrë edhe përkrahje nga Departamenti i Shtetit Amerikan, i cili do të dërgojë një ekspert për të ndihmuar që të kompletohet kjo bibliotekë duke u bazuar në këtë model. Në të njëjtën kohë, sipas memorandumit të bashkëpunimit që nënshkruam sot me ministrin Çeku, edhe Biblioteka Kombëtare, edhe Muzeu, por edhe Arkivat e Kosovës do të ndihmojnë që të punojmë së bashku për zhvillimin e fondeve për bibliotekën”, kishte thënë ajo.
Sipas presidentes, Biblioteka Kombëtare do ta ofronte të gjithë bibliografinë e presidentit Rugova, siç janë librat, artikujt e tij, por edhe të gjithë librat e artikujt që janë shkruar për të. Më tej kishte bërë të ditur se edhe familja Rugova kishte premtuar dhurimin e arkivit personal.
“Lajmi i rëndësishëm është që po ashtu familja e presidentit Rugova ka vendosur që të gjithë arkivin e presidentit t’ia vërë në dispozicion Bibliotekës Presidenciale”, kishte thënë presidentja Osmani.