“Ndërtimi i sallës koncertale”, është titulli i tenderit të paralajmëruar nga Komuna e Prishtinës për projektin i cili ka kohë që pritet e përflitet. Tenderi do të peshojë tre milionë euro, që nuk përbën as dhjetë për qind të shumës së përllogaritur kur u përzgjodh projekti, e që tash është e sigurt se është rritur edhe kjo kosto. Nëse vazhdon me këtë temp, një dekadë është e pamjaftueshme për ta konkretizuar projektin i cili ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” e bën qendër multikulturore “Evropa”, pjesë e së cilës është salla e koncerteve dhe ai që përshkruhet si muze i artit
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se do të hapë thirrje për ndërtimin e sallës koncertale. Më shumë se një vit prej se projekti është miratuar nga institucionet e trashëgimisë kulturore, Komuna ia ka mësyrë që të hapë tender. Njoftimi është bërë në atë që është faqja elektronike e shpalljes së tenderëve “E-prokurimi”.
“Njoftim paraprak” është hapi i marrë nga Komuna nëpërmjet të cilit tregohet se pritet të hapet tenderi për projektin me titull “Ndërtimi i sallës koncertale”. Kostoja e parashikuar është tre milionë euro, rreth një e dhjeta e shumës që sipas projektuesve do të shpenzohet për implementimin e projektit. Por shuma s’përkon me llogaritjet e projektuesve. Bile, s’është as një e dhjeta e kostos reale që pritet ta ketë projekti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoProjekti që është i gatshëm prej vjeshtës së vitit 2024, ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” e bën qendër multikulturore “Evropa”, pjesë e së cilës është salla e koncerteve dhe ai që përshkruhet si muze i artit.
Ndërtesa aktuale, dikur “Gërmia”, përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës, do të jetë një lloj galerie a muzeu i qytetit. Kurse prapa saj do të marrë formë ndërtesa e re – salla koncertale.
Në janar të vitit 2025 kryetari i Komunës së Prishtinës kishte thënë se janë humbur mjetet me të cilat mendohej të niste puna për implementimin e projektit të hartuar nga studioja e arkitektit japonez Kengo Kuma dhe ajo e arkitektit vendor Bekim Ramku.
“Projekti është i gatshëm. Kemi pasur zotime nga fondet evropiane IPA për financim deri në 20 milionë. Mirëpo si rezultat i masave të padrejta të vendosura ndaj Republikës së Kosovës, këto fonde janë humbur”, kishte thënë kryetari Rama. Masat janë larguar tërësisht në fillim të këtij viti.
“Po ashtu jemi duke diskutuar seriozisht me komunitetin evropian që të rishikojmë aspektin e fondeve të IPA-s që ta fusim më 2025-2027 mundësinë që të na e financojnë këtë projekt”, kishte thënë ai.
Përderisa sivjet me Ligjin mbi ndarjet buxhetore Ministria e Kulturës nuk ka paraparë asnjë cent për këtë projekt, në buxhetin e Komunës janë paraparë 2.5 milionë euro.
Bashkëprojektuesi, arkitekti Bekim Ramku ka thënë se s’ka informacion sa i përket përgatitjes së Komunës për të hapur thirrje për kompani që synojnë ndërtimin e kompleksit.
“Nuk e di se deri ku ka shkuar procedura. Edhe po ashtu nuk e di se çfarë mund të bëhet me tre milionë euro pasi paramasa jonë ka qenë pak mbi 30 milionë euro, ndërsa tash veç nëse është rritur kostoja pasi bazuar në zhvillimet në treg, çmimet janë rritur”, ka thënë Ramku.
Profesoresha universitare e muzikës që njëherësh bashkorganizon festivalin “Chopin Pisno Fest”, Besa Luzha, ka thënë se çdo hap dhe investim në drejtim të finalizimit të sallës koncertale është i mirëseardhur.
“Fillimisht, shuma e përgjithshme ishte përmendur 15 milionë si investim nga fondet IPA. Për shkak të sanksioneve, puna ka ngecur. Komuna, por edhe Ministria, mund të fillojnë edhe me fonde vetanake, pjesë-pjesë, fazë pas faze, punët e nevojshme sipas projektit. Ne mezi po presim”, ka thënë Luzha.
KOHA ka pyetur Komunën e Prishtinës se përse vlera e parashikuar e tenderit është veç tre milionë euro dhe si planifikohet të sigurohet pjesa tjetër e buxhetit, por institucioni nuk është përgjigjur.
Në pranverën e vitit 2024 projekti ideor ishte miratuar me kusht nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Udhëheqja e Komunës kishte planifikuar që në fillim të vitit 2024 të nisnin punimet, por gjërat s’kanë shkuar ashtu. Kostoja e ndërtimit është rritur goxha. Arsye për këtë është se volumi i krejt kompleksit kap mbi 19 mijë metra katrorë dhe në projektim është përdorur materiali më modern i mundshëm që hapësira të jetë sa më funksionale.
Versioni i projektit ideor kishte 17 mijë e 226 metra katrorë. Krahas ndërtesës aktuale që shndërrohet në galeri, prapa saj do të jetë ndërtimi i ri, salla koncertale. Kapaciteti pritej të jetë prej 1.200 ulësesh. Një sallë më e vogël e quajtur auditorium pritet të ketë 400 ulëse. Por, me uljen e volumit si kërkesë e IKMM-së, hapësirat janë ngushtuar. Do të ketë të paktën tri ambiente komerciale, kafehane e dyqane. Me versionin e fundit, atë të miratuar, salla qendrore prej 1.400 ulëseve do t’i ketë 800, kurse ajo alternative prej 400 ka rënë në 170.
Kontrata midis Komunës së Prishtinës me projektuesit peshon fiks 1.6 milion euro. Prej tyre gjysmën e shumës, 825 mijë euro, do t’i paguante Komuna e gjysmën Ministria e Kulturës në bazë të Memorandumit të nënshkruar midis dy institucioneve në prill të vitit 2023.
Sa i përket sallës koncertale, goxha jehonë kishte bërë publikimi i projektit të ri në fund të gushtit të vitit 2023, kur kryetari Përparim Rama kishte publikuar imazhe të tij gjatë vizitës së tij në Japoni tek arkitekti Kengo Kuma.
Komuna e Prishtinës e kishte konkretizuar nismën për ndërrim të qasjes në raport me ndërtesën e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”. Menaxhmenti aktual i Komunës kishte hequr dorë nga shndërrimi i monumentit në sallë koncertale. Projekti i dyshes Kuma-Ramku për transformimin e ndërtesës, që gjendet në qendër të Prishtinës, ishte shpallur fitues në pranverën e vitit 2021. Por, ai plan ideor tashmë do të mbetet veç pjesë e historisë.
Se Komuna do të ketë qasje të re, kjo qe paralajmëruar qysh në mars të vitit 2023, kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte pritur në takim arkitektin japonez, Kengo Kuma. Në ditën e 12-të të marsit të atij viti, Rama ia kishte bërë me dije Kumas se ndërtesën aktuale nuk do ta përdornin për sallë koncertesh por do të jetë lloj galerie a muzeu, e aty tash është “Reporting House”. Kishte kërkuar që salla të projektohet prapa ndërtesës aktuale. Ashtu edhe është vepruar.
Projekti fillestar i dyshes Kuma e Ramku ishte përzgjedhur nga një juri ndërkombëtare nëpërmjet konkursit publik nga Komuna e Prishtinës më 2021.
Projekti i përzgjedhur llogaritej të kushtonte rreth 12 milionë euro që të zbatohej. Komuna e Prishtinës vazhdimisht ka llogaritur edhe në përkrahje të fondeve të Bashkimit Evropian. Në vitin 2019 kishte humbur mundësinë e një fondi prej 12 milionë erosh për këtë sallë në mungesë lokacioni e projekti.
Qysh prej shtatorit të vitit 2018, Komuna e Prishtinës kishte përmendur ish-ndërtesën e “Gërmisë” si vend ku do të mund të ngrihej salla koncertale. Në tetor të atij viti, pas një debati të madh midis komunitetit të arkitektëve dhe atij të muzikës, Ministria e Kulturës e kishte përfshirë ndërtesën në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në atë rast kishte ndryshuar situata.
Nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhej pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohej në sallë koncertale. Me projektin final është vulosur që ajo të bëhet galeri a muze e prapa saj salla e shumëpritur koncertale.