Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Komuna e Prishtinës lëviz për punime në “Xhoxh Bush”, sërish pa leje

Xhorxh Bush

Pikërisht aty ku më 12 mars të vitit të kaluar, për herë të parë në mungesë lejeje dhe pa projekt të miratuar i ishin ndaluar punimet, Komuna e Prishtinës ka nisur rrethimin e zonës, sërish pa leje. Në fillim të vitit, u panë shkëndija të zhbllokimit të projektit, kur qeverisë lokale iu kërkua që projektin ta dorëzonte për miratim me faza

Me arsyetimin e përgatitjes së terrenit për t’i ndërruar gypat nëntokësorë, Komuna e Prishtinës, në prag të njëvjetorit të ndalimit të punimeve, e ka rrethuar pjesën e bulevardit “Xhorxh Bush” në drejtim të hotelit “Grand”. E, këtë lëvizje për rinisje punimesh, sërish e ka bërë pa u pajisur me leje. Ligji për trashëgimi kulturore bashkë me aktet nënligjore përcaktojnë se në rastet kur ka ndërhyrje në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore pala – në këtë rast Komuna – duhet të drejtohet me shkresë që kërkon miratimin e projektit dhe të dorëzohet projekti i plotë. Kjo i është bërë me dije edhe autoriteteve komunale

Komuna e Prishtinës është në prag të një viti prej se ka nisur “cicmic” në atë që është bulevardi “Xhorxh Bush”. Pak ditë pa u rrumbullakuar njëvjetori i nisjes së punimeve  të atij që për Komunën është projekti për sheshin dhe më pas u ndalën nga autoritetet e trashëgimisë kulturore, institucioni lokal ka bërë një tjetër manovër: përgatitjen e terrenit po në atë hapësirë për t’i ndërruar gypat nëntokësorë, prapë pa e pasur projektin e miratuar nga institucionet e trashëgimisë kulturore meqenëse hapësira është në kuadër të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës dhe në afërsi të monumenteve. Por Komunës i është bërë me dije se duhet të pajiset me leje. 

Të martën në njërën anë të rrugës në bulevardin “Xhorxh Bush” janë vendosur rrethoja. Një ditë më parë, Komuna e Prishtinës ka njoftuar institucionet e trashëgimisë kulturore se aty po planifikohet të bëhen punime. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Po ju dërgoj një komunikim nga viti i kaluar rreth kërkesës që kemi pasur për ndërrimin e gypit të ujit dhe infrastrukturës nëntokësore. Desha të informohem se si të veprojmë tutje pasi edhe atëherë kemi marrë një OK me gojë që të vazhdohet me punime ashtu sipas komunikimeve të mëposhtme dhe kërkesës kemi të bëjmë me ndërrimin e gypit të azbestit që paraqet rrezik shëndetësor për banorët që gjithashtu ndodhet në planet e KfW-së për intervenim në këtë zonë”, shkruhet në shkresën elektronike të Gëzim Kastratit, drejtor i Drejtorisë së Transformimit në Prishtinë drejtuar Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. 

“Po ju dërgoj shkresën dhe planet e projektit të KfW-së”,  shkruhet në fund të shkresës. 

Ligji për trashëgimi kulturore bashkë me aktet nënligjore përcaktojnë se në rastet kur ka ndërhyrje në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore pala – në këtë rast Komuna – duhet të drejtohet me shkresë që kërkon miratimin e projektit dhe të dorëzohet projekti i plotë. Pas miratimit të IKMM-së, që në këtë rast me ligj gëzon të drejtën e vetos, Komuna mund të nisë me sigurimin e vendpunishtes për implementim të projektit. 

Në bazë të shkresave që ka parë KOHA, institucionet e trashëgimisë kulturore i janë përgjigjur drejtorit Kastrati. I është bërë me dije se fillimisht duhet të parashtrohet kërkesa për shqyrtim të projektit. Kjo gjë duhet bërë në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Prishtinës dhe së bashku me kërkesë duhet bashkangjitur dokumentacioni përkatës teknik. Ky tentim i Komunës për realizim punimesh në kuadër të projektit të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) vjen në prag të kohës kur bëhen një vit prej kur në atë zonë janë ndalur punimet. KOHA e ka pyetur drejtorin Kastrati nëse planifikojnë të bëjnë kërkesë për miratim të këtij projekti për infrastrukturë nëntokësore, por ai nuk është përgjigjur. 

Paraprakisht në fillim të këtij vitit është dukur sikur Komuna e Prishtinës dhe institucionet e trashëgimisë kulturore kanë hyrë në një fazë të re që do të mund ta zgjidhte çështjen e projektit për sheshin “Xhorxh Bush”. Në një takim të përbashkët kishin dalë propozime të reja për mundësimin e nisjes së punimeve në hapësirën që gjendet në qendër të Prishtinës. 

Në mars të vitit të kaluar, Komuna pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore synonte punime midis pesë monumenteve dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Komuna s’kishte marrë leje për ndërhyrje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve si i vetmi institucion me mandat për miratimin ose refuzimin e projekteve që prekin trashëgiminë arkitekturore. Punimet ishin ndërprerë. 

Punimet e nisura pa leje ishin ndërprerë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore duke pamundësuar projektin për të cilin Komuna e Prishtinës ka lidhur kontratë me peshë financiare 18.1 milionë eurosh. Punimet i ishin ndalur më 12 mars. Më pas më 16 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill. Punimet vazhduan duke e ndarë sheshin përgjysmë. Në të majtë të katedrales, është shtruar pllaka e betonit, në atë që njihet edhe si “Tre Sheshirat” janë ngritur edhe lokalet. 

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore për këtë rast kishte ushtruar kallëzim penal në Policinë e Kosovës. Pas ndaljes së punimeve për herë të parë në mars, Komuna kishte bërë kërkesë në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për pajisje me leje. Në ditën e 16-të të prillit, Komuna ishte njoftuar se projekti nuk i ishte miratuar.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka dhënë rekomandime duke kërkuar sqarime shtesë, siç janë analiza e kontekstit urbanistik e historik. Shkresa e IKMM-së e konfirmon edhe një synim të projektit: ndërtesat e reja që ngrihen midis monumenteve. Kjo zbërthehet te shkresa, ku Komunës i kërkohet që të interpretohen ndërtesat e reja të parapara me projekt. Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve është po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia ka përcjellë Komunës së Prishtinës. IKMM-ja ia ka bërë të ditur Komunës së Prishtinës se nëpërmjet këtij projekti trajtohen shtatë sheshe si: ai i Katedrales, i shkollës “Faik Konica”, sheshi komercial i rrugës “Garibaldi”, ai “Xhorxh Bush”, sheshi i koncerteve, i rekreacionit dhe ai i studentëve. Pesë prej këtyre shesheve, sipas komisionit të IKMM-së, gjenden brenda hapësirës së kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, si dhe brenda perimetrit të zonave të  mbrojtura të monumenteve si: Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio Kosova, hoteli “Grand” dhe Banka Qendrore e Kosovës. Projekti, sipas shkresës, është kthyer në plotësim me gjashtë rekomandime. Në shkresë bëhet e ditur se projekti parasheh ndërhyrje në aspekt urban dhe arkitektonik, në perimetër dhe zonë mbrojtëse të monumenteve si Rektorati i UP-së dhe Radio Kosova, “duke cenuar integritetin hapësinor të këtyre monumenteve, respektivisht duke penguar kuadrin e dukshëm të përjetimit të tyre nga sheshi aktual dhe si të tilla nuk janë në pajtueshmëri me politikat për konservim dhe zhvillim të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të monumenteve”.

Pas zhvillimeve të pranverës së kaluar dhe përplasjeve të forta edhe politike midis Komunës dhe Ministrisë së Kulturës, Komuna lëndën e kishte dërguar në gjykatë duke kërkuar pezullimin e vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore e më pas edhe shqyrtim të ligjshmërisë së ndalimit të punimeve. Gjykata e ka refuzuar pezullimin dy herë radhazi. Edhe pasi Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim.

Komuna i ka po ashtu punimet e ndaluara edhe për projektin “Ishulli Urban Arbëri – Pallat i Rinisë”, projekt që ka kosto 6.4 milionë eurosh. Për nënkalimin te “Agim Ramadani” muajin e kaluar i është refuzuar projekti për të dytën herë. 

Zyrtarët komunalë në krye me kryetarin Përparim Rama e kanë kontestuar kufirin e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, e përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme prej vitit 2020. Komuna i referohet draftplanit të menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës që ende s’është miratuar dhe thotë se institucionet e trashëgimisë kulturore po bazohen në një draft-dokument. Por, sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, kufijtë e zonës së mbrojtur të QHP-së janë miratuar bashkë me propozimin e vitit 2020, kur QHP-ja ka fituar statusin e monumentit nën mbrojtje të përkohshme. Muajin e kaluar menaxhmenti komunal ka marrë leje për të vazhduar punimet në rrugën “Qamil Hoxha” që ishin ndërprerë në majin e vitit të kaluar. Por punimet aty ende s’kanë rinisur.

Lexo edhe: