Kulturë

“Kompozicion 2” shpalos edhe traditën shqiptare para publikut kanadez

Ka një traditë prej më shumë se gjashtë dekadash, por sivjet, siç raportohet, ekspozita e përvitshme e galerisë së arteve “Dalhousie”, në Helifax të Nova Scotias në Kanada, ka marrë një tonalitetet më të larmishëm artistik.

E aty nuk mungon as kultura shqiptare. Shpaloset nëpërmjet veprës së Zeqirja Rexhepit, emigrantit kosovar i cili tash njëzet vjet jeton në Kanada, e që tashmë është bërë emër i njohur në qarqet artistike të qytetit ku jeton. Në edicionin e 66-të të kësaj ekspozite ai ka ekspozuar veprën “Kompozicioni 2”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ishte në mesin e 80 pjesëmarrësve që paraqitën artin e tyre në galerinë me të vjetër të provincës Nova Scotia përmes mediumeve të larmishme që nga ato moderne e deri të format tradicionale. Tri piktura që ndërlidhen së bashku përthekojnë kompozicionin e Rexhepit.

I njëjti kompozicion, sipas artistit, mund të përmbajë deri në 20 të tillë. Në anën e djathtë të pikturës së Rexhepit shihet një grua duke pikturuar, ndërsa në anën tjetër një burrë, ato lidhen nga një tjetër në mes. Të tria së bashku kanë si synim që të bëjnë artdashësit të mendojnë për barazinë gjinore.

Ekspozita e cila u hap të martën e 5 dhjetorit mbylli dyert e saj për vizitorët Ditën e Krishtlindjes, më 25 dhjetor.

“Zakonisht ne jemi një galerinë e artit vizual, mirëpo galeria mund të zgjerohet për të përfshirë edhe media të reja, audio, fjalë që shqiptohen dhe performanca të ndryshme”, ka thënë Wes Johnston, ndihmës kuratori dhe disenjator kryesor i ekspozitës, raporton “Dal News”.

Ky medium vëmendje i kushton edhe veprës së artistit kosovar.

“Zeqirja Rexhepi, që emigroi në Kanada 20 vjet më parë si pasojë e luftës në Kosovë, me veprën e tij përfshin gjithçka që është e mirë në lidhje me trashëgiminë shqiptare dhe me eksperiencën kanadeze. ‘Kompozion 2’ eksploron procesin dhe progresin e barazisë gjinore”, është shkruar aty për artistin kosovar.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)