Suksesi i Izraelit në votën e publikut në edicionin e sivjetmë të Festivalit Evropian të Këngës (“Eurovision”), ka nxitur reagime nga disa shtete për çështjen e mënyrës së votimit.
Këngëtarja Yuval Raphael doli e para në votimin e publikut të shtunën me baladën “New Day Will Rise”, por në përgjithësi mbeti e dyta pas Austrisë kur u morën në konsideratë edhe votat e jurisë.
Transmetuesit në Irlandë, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Islandë dhe Finlandë kanë shprehur pikëpyetje për votimin e publikut, e disa kanë kërkuar edhe auditim.
Organizatorët e “Eurovisionit” nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) kanë thënë se votimi është verifikuar në mënyrë të pavarur, por se i marrin seriozisht shqetësimet e palëve.
Izraeli ishte i 14-i në votat e jurisë, por u ngrit në majë falë votimit me telefon dhe online.
Belgjika, Holanda, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar ishin në mesin e shteteve shikuesit e të cilave i ndanë pikët maksimale (12) Izraelit, ndërsa Irlanda dhe Finlanda ia ndanë nga 10.
Transmetuesi irlandez RTE ka kërkuar nga organizatorët analizë të plotë të votimit.
Kjo erdhi pasi transmetuesi spanjoll RTVE u shpreh se do të kërkojë hetim të rezultateve dhe rishikim të sistemit të televotimit.
Shikuesit mund të votonin deri në 20 herë përmes telefonit, mesazheve apo aplikacioneve.
“Një sistem në të cilin të gjithë mund të votojnë deri në 20 herë, është sistem që inkurajon manipulimin. Qoftë nëse ky manipulim ka ndodhur në shtetin tonë dhe në të gjitha shtetet pjesëmarrëse e jopjesëmarrëse, duhet të ketë hetim”, ka thënë deputetja belge Katia Segers.
Ndërkaq një zëdhënës i transmetuesit publik belg VRT ka thënë se nuk ka indikacione se ka pasur keqnumërim të votave të publikut, por se do të kërkojnë transparencë të plotë nga EBU-ja.
Të martën, transmetuesit holandezë, Avrotros dhe NPO, lëshuan një komunikatë duke thënë se gara “është duke u ndikuar dukshëm nga tensionet shoqërore dhe gjeopolitike”.
Pjesëmarrja e Izraelit “ngrit pyetjet nëse ‘Eurovisioni’ vazhdon të funksionojë vërtetë si ngjarje jopolitike, unike dhe kulturore”, kanë thënë ato.
Në kundërpërgjigje, drejtori i garës Martin Green ka thënë se organizatorët “janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë transmetuesit pjesëmarrës” dhe “të gjitha shqetësimet merren seriozisht”.
“Mund të konfirmojmë se kemi qenë në kontakt me disa transmetues që nga finalja e madhe e të shtunës, sa i përket votimit në garë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se pritet një diskutim i gjerë me transmetuesit pjesëmarrës.
“Është mirë të theksohet se votimi për ‘Eurovision’ është më i avancuari në botë dhe rezultatet e secilit shtet monitorohen dhe verifikohen nga një ekip i madh i njerëzve për të përjashtuar çdo dyshim apo parregullsi të mundshme”, ka thënë ai. “Një monitorues i pavarur shqyrton të dhënat e votimit si të jurisë, ashtu edhe të publikut për t’u siguruar që të kemi një rezultat të vlefshëm”.
“Eurovision News” ka raportuar më 19 maj se një agjenci qeveritare izraelite ka paguar për reklama dhe ka përdorur llogari shtetërore në rrjete sociale për të nxitur njerëzit të votonin për Izraelin.
Green ka thënë se kjo s’është shkelje e rregullave.