Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Kanoni...” i Hamitit dhe përmbledhja për Gjeçovin – vepra monumentale mbi krijimtarinë shqipe

“Kanoni...” i Hamitit dhe përmbledhja për Gjeçovin – vepra monumentale mbi krijimtarinë shqipe

Në promovimin e mbajtur në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të pranishmit i kanë vlerësuar këto vepra si pasuri të domosdoshme në krijimtarinë shqiptare

“Kanoni – Ese për letërsinë shqipe” nën autorësi të akademik Sabri Hamitit, është vepra e radhës që merr në shqyrtim e rishqyrtim një pjesë të konsiderueshme të filleve të letërsisë shqipe. Ky botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, bashkë me atë “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit - 150 vjetori i lindjes” që është produkt i konferencës shkencore të mbajtur vjet për figurën e Gjeçovit, prej së hënës kur është bërë promovimi i tyre, sjellin pikëpamje të reja sa i përket letërsisë dhe veprimtarisë së klerikut të njohur

Studimet për letërsinë shqipe janë pasuruar edhe me një vepër të re. “Kanoni – Ese për letërsinë shqipe” nën autorësi të akademik Sabri Hamitit, është vepra e radhës që merr në shqyrtim e rishqyrtim një pjesë të konsiderueshme të filleve të letërsisë shqipe. Ky botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, bashkë me atë “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit - 150 vjetori i lindjes” që është produkt i konferencës shkencore të mbajtur vjet për figurën e Gjeçovit, prej së hënës kur është bërë promovimi i tyre, sjellin pikëpamje të reja sa i përket letërsisë dhe veprimtarisë së klerikut të njohur. 
Në promovimin e mbajtur në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të pranishmit i kanë vlerësuar këto vepra si pasuri të domosdoshme në krijimtarinë shqiptare. 

Akademik Ali Aliu ka thënë se “Kanoni...” është një libër i jashtëzakonshëm për shumë arsye. “Sabriu ka një vizion për tërësinë e letërsisë shqipe dhe është një univers monumental gjithnjë në lëvizje. Gjithnjë i hapur nga të gjitha perspektivat”, ka thënë Aliu. Ka sqaruar se librin me katër kapituj, akademik Hamiti, veteran i arsimit universitar bën një trajtim të gjerë e shumë specifik. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Zef Skiroi ndër vepra të tjera ka bërë edhe librin, ‘Këthimi’, poemë. Ky është ndoshta ndër shkrimtarët që menjëherë pas themelimit të shtetit shqiptar është arbëreshi që e viziton. Më 1916 ai e bën këtë libër që u zbulua pas 50 viteve. Studiuesi Hamiti e vë në lëvizje, sikur i lëviz të gjitha raftet e bibliotekës, nga të gjitha perspektivat”, ka thënë Aliu. Më pas ka përmendur disa autorë të tjerë, veprimtarinë e të cilëve sipas tij, Hamiti e vë në lëvizje. 

“Shumë autorë që do t’i shihni në këtë libër 350-faqësh janë gjithandej librave të autorit por i gjejmë gjithnjë në kontekste të reja. Sabriu e merr në shqyrtim ‘Këthimin’ e Skiorit dhe e merr në rishqyrtim ‘Tatë Tanushin’”, ka thënë ai midis të tjerash në ngjarjen e moderuar nga akademik Bardh Rugova.

Studiuesi i letërsisë dhe akademik, Nysret Krasniqi, ka thënë se libri studimor “Kanoni – Ese për letërsinë shqipe” i Sabri Hamitit dëshmon njohjen e tërësishme të korpusit letrar shqiptar, i cili lidhet në zinxhirin e leximit, interpretimit, sistematizimit e të kanonizimit të estetikës letrare shqipe. Sipas tij, libri studimor i Hamitit dëshmon forcën e argumentit scientik teorik-letrar, i cili niset që nga rrënja, kalon nëpër analizë konkrete e përimtuese të estetikës së veprës letrare, zbulon specifikat e saj veçuese artistike si dëshmi e rivlerësimit autorial në kuadër të korpusit të përgjithshëm letrar shqiptar dhe nëpërmjet forcës së konkluzës klasifikohet në kanonin letrar shqiptar si vlerë atemporale, apo si e prani e përhershme estetike;

“Libri studimor ‘Kanoni – Ese për letërsinë shqipe’ dëshmon autenticitetin dhe universalitetin e korpusit letrar shqiptar, të përthyer e të distiluar në konceptin sakral të studiuesit Sabri Hamiti se teksti letrar e ka për burimësi shpirtin e autorit që e krijon dhe si i tillë kurrë nuk duhet të kundrohet me ideologji, por duhet të çmohet e vlerësohet si poetikë”, ka thënë ai. Derisa ka folur për kapitullin e parë të librit, “Dorëshkrimi”,  Krasniqi ka thënë se dorëshkrimi është gjeneza e krijimtarisë letrare, mirëpo edhe fataliteti historik i letërsisë shqipe. Sipas tij, te dorëshkrimet autori studiues rikrijon hartën estetike letrare pikërisht duke integruar dorëshkrimin e terruar në dritën e veprave të botuara të kanonit letrar shqiptar. Krasniqi në këtë rast ka thënë se në këtë teatër hyjnë Marin Barleti me veprën e historisë së fiksionalizuar “Lufta e Shkodrës”, Anton Santori me romanin në prozë “Sofia e Kominiatëve”, Lazër Tusha me autobiografinë “Jeta ime në Shqipëri” e disa autorë të tjerë. Sipas tij, kapitullin i dytë “Idioma” ka gjashtë ese-studime, në të cilat studiuesi Sabri Hamiti analizon e konceptualizon dy filozofema: idiomën autoriale, në kuptim të veçantisë shkrimore të autorit, dhe idiomën intencionale-tematike. 

“Si e përbrendëson autori shqiptar raportin e ndërliqshëm me natyrën ku e çon jetën dhe ku mediton për universin dhe si e reflekton në botën e artit letrar, do të jetë preokupim estetik-filozofik i esesë ‘Poeta naturae’. Mimetika e kthyer në poetikë do të venerohet te Mjedja e Lasgushi simbolist-metafizik, padyshim në variacione subtile figurash e figurimesh, si dhe te Migjeni metonimik-melankolik, duke përthyer gjithnjë autenticitetin e figurës përballë universalitetit të natyrës ku jeton shpirti e trupi, e ku meditohet njëshi transcedental-Zoti”, ka thënë Krasniqi. Sipas tij, në këtë rast trajtohet bota letrare e Pjetër Bogdanit, Naim Frashërit, Ndre Mjedjes dhe Lasgush Poradecit. Ka sqaruar se te kapitulli i tretë “Persona et ars” vjen blloku tematik i monografive autoriale të poetikës historike, të cilat, qoftë në lidhjen e tyre evolutive, qoftë në ndërndikimet refuzuese apo pajtuese në galerinë letrare shqipe, e formësojnë kanonin letrar shqiptar. 

“Nis me trajtimin monografik të letërsinë humaniste të Marin Barletit, me veprat ‘Rrethimi i Shkodrës’ dhe ‘Historia e Skënderbeut’, të cilat e kanë ndikuar tërësisht perceptimin e jashtëm për shqiptarët, si dhe letërsinë e konceptimeve identitare shqipe”, ka thënë ai derisa ka elaboruar këtë kapitull. Midis të tjerash ka treguar se Hamiti një tekst monografik ia kushton veprës së Esad Mekulit “Për Ty” duke e vlerësuar dëlirësinë e tij utopike që e çoi në mallëngjim e zhgënjim. Krasniqi ka sqaruar se kapitulli i kattërt “Post Scriptum” përbëhet nga tekste të lidhura auto-referenciale, të cilat në formë testamentare dritësojnë poetikën krijuese dhe sistematikën studimore të Sabri Hamitit. 

“Vepra studimore ‘Kanoni – Ese për letërsinë shqipe’ e akademik Sabri Hamitit e pasunon botën e dijeve humane shqiptare, ngase si e tillë e jep pamjen e dalë nga rivlerësimi i thellë i traditës letrare shqiptare, rivlerësim i cili e ridimensionon organonin letrar e kulturor shqiptar”, ka thënë ai. 

Vetë akademik Hamiti ka qenë i shkurtër në fjalën e tij. 

“Nuk kam ndërmend të flas për librin pasi e kam shkruar një parafjalë që e kurorëzonte dorëshkrimin tim. Po të flisja sot do të bëja një pasfjalë. Nuk dua ta bëj këtë. Ky është libri im i nëntë me siglën e Akademisë”, ka thënë ai. Ka kërkuar nga studentët që studiojnë për letërsi që ta duan shumë atë që bëjnë pasi përndryshe s’mund të ecet para. 

Edhe sa i përket përmbledhjes “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit - 150 vjetori i lindjes” që është botuar pas Konferencës Shkencore Ndërkombëtare, që u mbajt më 14 tetor 2024, ka folur akademik Nysret Krasniqi. E ka përshkruar Gjeçovin si shkrimtar, etnograf e meshtar, prijatar e kulmues në dijet themelore albanologjike. Ka elaboruar se në këtë vëllim janë botuar tekstet e 23 studiuesve, në të cilat, nga perspektiva policentrike është trajtuar trashëgimia kulturore e Gjeçovit.

Më pas ai ka elaboruar shkurt secilin tekst të përfshirë në këtë vepër përfshirë ata të Sabri Hamitit, Mehmet Krajës, Gëzim Hoxhës, Vitor Demajt e të tjerët. 

“Në këtë dimension do të veçonim edhe tekstet e Gëzim Gurgës dhe të Agron Camajt, në të cilat shpjegohen proceset e përkthimit të Kanunit të Gjeçovit, te i pari në gjuhën italiane, madje si histori përkthimi, e tek i dyti, si komunikim me botën e traditën receptive malaziase”, ka thënë Krasniqi.