Ngjarja zë fill këtu e 500 vjet më parë në këto anë, kur prerja e kokës ishte dënimi për tradhti. Por s’ka të bëjë veç me kapitullin e vrasjes së Ali Pashë Tepelenës më 1822, ku koncentrohet romani i Ismail Kadaresë, “Kamarja e turpit”. Në versionin e shfaqjes, dramatizuar prej Doruntina Bashës, nën regji të Kushtrim Koliqit, ajo i flet të sotmes. Prerja e kokës është akuza për tradhti, linçimi publik e propaganda
Në këto anë ka politikanë që kanë fituar zgjedhjet me dajre në dorë. Ka prej atyre që, midis të tjerash, e kanë bërë këtë edhe me rima. Ose, edhe aso që e bëjnë popullin të besojë se u takon një territor që e kanë humbur tash e gati tri dekada. Dajrja është njëfarë mentaliteti në Ballkan. Por në ditët e sotme në kuptimin e propagandës, gjen vend edhe globalisht. E në produksionin më të ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës një shfaqje e tërë zhvillohet mbi dajre.
“Kamarja e turpit” bazuar në veprën e Ismail Kadaresë, dramatizuar prej Doruntina Bashës, nën regji të Kushtrim Koliqit, zhvillohet krejtësisht mbi një skenografi ku defi është baza. Kjo pasi me def udhëhiqet dhe def është edhe mileti.
Kamarja është në ballë të skenës dhe derisa publiku ulet veç hamendësohet përmbajtja. Në të është edhe koka. Dikush është shpallur “Kara” (i zi) nga Perandoria, më pas është ekzekutuar dhe në shenjë triumfi, turpërimi e me qëllim frikësimi i është ekspozuar koka bash në kamaren e turpit, siç edhe titullohet vepra e Ismail Kadaresë e publikuar më 1978, fillimisht me titullin “Pashallëqet e mëdha”, pjesë e librit “Ura me tri harqe”. Më pas “Kamarja...” është botuar e vetme. Në kohën kur Kadare e shkroi këtë vepër jetonte nën një regjim ku një lider ishte zot i vendit, tamam si sulltani osman. Ai vendoste kur dhe kush duhej të vdiste e të turpërohej. Subjekt i veprës është Ali Pashë Tepelena, pashai shqiptar që u vra nga Perandoria në moshën 82-vjeçare në Janinë. Nisi të mos ia varte sulltanit. E pësoi.
Zbërthimi i mentalitetit të kryqëzimit
Dajret në dysheme e kamarja në ballë, janë intro e shfaqjes të cilën prej rendit të parë e kanë parë edhe zyrtarë të lartë të shtetit, prirë prej kryeministrit Albin Kurti.
Kënga e Ali Pashait është aty. Shpërfaqjes së pushtetit të asokohshëm në rastin e produksionit të TKK-së i janë shtuar edhe elementet moderne. Projektori është ndërmjetës midis periudhash. Për ta forcuar këtë lidhje, në projektor vijnë pamje si llogari “Porta e lartë” në “Instagram” ku rriten vazhdimisht ndjekësit e pëlqimet. Tregohet se linçimi ka ndërruar formë, vjen nëpërmjet rrjeteve sociale. Me një kastë aktorësh që regjisori Kushtrim Koliqi punon gati vazhdimisht, shfaqja nis të zbërthejë mentalitetin e kryqëzimit. Abdullahu (Adrian Morina) është njeriu që ruan kamaren. Sistemi e puna e kanë bërë thuajse njeri të çmendur. Ashtu duken edhe ata përreth tij. Tunxh Hatai (Armend Smajli) është një ekzekutues i pashpirt i cili kënaqet me prenë e tij. Marrëdhënia me të vrarin shkon deri në nivelin sa ia pi edhe gjakun. Diktati i ka shndërruar njerëzit në robotë. Këto krijesa artificiale shfaqen edhe në projektor si një tjetër vjegëz e lidhjes me ditët e sotme.
Pashai i Janinës (Bislim Muçaj) nuk e do një vdekje me kokë në jastëk. Do të lërë emër. Asi emri që nëse nuk mund ta bëjë vendin e tij të pavarur nga Perandoria, të paktën të vdesë duke luftuar për të. Muçaj, aktor veteran është brilant në rolin e tij. Nxjerr në pah epshet e merakun e Pashait, i cili ka zënë vend në veprat e udhëpërshkruesve me nam botëror. Dikur cub e më vonë pasha, Aliu shpesh e humb arsyen. Por jeton në një mjedis ku veç arsyeja nuk ekziston. Megjithatë, fokusin e ka fisnik: Mëvetësinë e Shqipërisë.

Prerja e dikurshme e kokave, sot linçim e turpërim
Vendosja e kokave njëra pas tjetrës në kamare, tregon se ai pushet nuk mbahet pa gjak. Ekspozimi i kokave është gjë morbide. Në 500 vjetët e Perandorisë Osmane në Ballkan shqiptarët ishin rryer me gjëra të tilla. Më pas këtë e kishin provuar nën pushtetin serb me Jugosllavinë e Vjetër e atë të Pasluftës së Dytë Botërore. E pas kësaj të fundit, në Shqipëri komunizmi e vazhdoi avarinë e kokave. Njashtu siç pas demokracisë ndër shqiptarë ekzekutimi u zëvendësua me shpifje e linçim të tipit tmerrues.
Në skenë Ali Pashai tashmë merr nofkën “Kara Ali” (Aliu i zi) dhe një ushtri e tërë mundohet ta vrasë atë e të nënshtrojë popullin që qeveriset prej tij.
Ekipi i shfaqjes mbi një bazë të Kadaresë, ku ka shumë personazhe e histori, ka punuar për version drame, epike komedie e të tjera.
“Vepra fokusin e ka te koncepti i turpërimit dhe fajësimit. Nëse në kohën e Ali Pashait ose të Perandorisë Osmane tradhtarëve u është prerë koka dhe ajo është shfaqur si alarm politik, sot këtë elementin e turpërimit dhe të fajësimit e kemi të përditshëm. Kemi politikanë, artistë e grupe të margjinalizuara të cilët kryqëzohen nga grupe të ndryshme shoqërore. Kjo ka qenë nxitja në kuptimin përmbajtjesor”, ka thënë regjisori Kushtrim Koliqi. Ia ka dalë ta bëjë këtë duke ecur nëpër kornizat e një shfaqjeje ku thyhen kufijtë e zhanreve e hyn në botën ekzibicioniste.
“Grupet e fuqishme djathtiste apo religjioze janë shumë të zëshme kur duan ta kryqëzojnë dikë. Prej momentit kur e kam lexuar veprën e kam parë fatin e Ali Pashait si diçka që tash i eliminojnë njerëzit duke i linçuar e duke ua shuar karrierën. Nëse nuk na pëlqen një person, ne në Kosovë në mënyrë masive e kryqëzojmë”, ka thënë ai. Por edhe përtej Kosovës, kjo formulë funksionon. Pos kësaj ka vende ku ende priten kokat. Kjo edhe shpërfaqet në projektor. Por mbi të gjitha është propaganda.

Propaganda si pikë lidhëse midis kohëve
“Elementi i propagandës na ka interesuar më së shumti për shkak se kemi konsideruar se është një pikë lidhëse në momentin kur po jetojmë jo veç në Kosovë, por globalisht”, ka treguar dramaturgia Doruntina Basha. Sipas saj, dramatizimi ka qenë një sfidë më vete pasi vepra nuk ndjek një personazh të vetëm.
“Ideja ka qenë që të nxirret linja e ndërtimit të një lloj programi propagandistik në një pushtet që e konsideron veten në rënie. Kjo ka qenë fokusi kryesor”, ka thënë ajo. Në vitet e vrasjes së Ali Pashait, Perandoria Osmane “kulloste” mbi të kaluarën. Të ardhmen e kishte të vrarë. Pashai shqiptar e dinte këtë. Tentonte shkëputje të plotë dhe normalisht të hynte në histori si një lloj Skënderbeu. Por nëpërmjet një mashtrimi vritet dhe, normalisht, koka i vendoset në kamaren e turpit. Rreth saj qahet e festohet me dajre. Skenat e shfaqjes ndërrojnë shpesh, në ndonjë rast ndoshta do të funksiononte edhe pa ndonjërën prej tyre. Madje nga fillimi një masturbim që në njëfarë forme tregon për babëzinë e sistemit, do të mund të mos ishte fare, megjithëse e ka rolin e vet. Perandoritë gjithnjë ngrehin vesh apo ledhatojnë ego. Kjo shpërfaqet edhe në shfaqjen ku sipas dramaturgut Arian Krasniqi i është nënshtruar një koncepti dhe procesi të dramatizimit bashkëkohor dhe në këtë kontekst, leximi regjisorial i këtij teksti dramatik nga ana e regjisorit ka rezultuar me një shfaqje, e cila, “sado e kushtëzuar nga hapësira e kufizuar skenike, ka sjellë elemente të spektaklit kamertal, me lojë të mirë të aktorëve dhe me një gërshetim artistik dhe estetik të elementeve skenografike, muzikore, dhe jo vetëm”.
“Unë vazhdoj të besoj se letërsia shqiptare mund t’i japë teatrit vepra, përkatësisht tekste dramatike, që pavarësisht kohës dhe aspektit historik, mund të kontekstualizohen si ide dhe tema që komunikojnë lirshëm me audiencën e kohës sonë. Prandaj është mirë kur një gjë e tillë shfrytëzohet nga teatërbërësit tanë”, ka thënë Krasniqi. Sipas tij, me këtë shfaqje Kushtrim Koliqi ka promovuar edhe një brez të ri aktorësh, disa prej të cilëve luajnë për herë të parë në projekte të TKK-së. Janë një numër aktorësh që në Teatrin Kombëtar kanë debutuar me një projekt të madh ku historia shoshitet në skenë dhe prek periudha të ndryshme që në njëfarë forme e derivojnë edhe këtë shekull.

Aty ku nuk jetohej, por mbijetohej
Regjisori Fadil Hysaj ka thënë se teatri gjithmonë është reflektim i të sotmes. Sipas tij, pavarësisht se ku huazohet subjekti i një shfaqjeje, gjithmonë ekziston një këndvështrim regjisorial e që në këtë rast na fut në një tematikë të rëndë.
“Në fillim nuk e kuptojmë se ku duam të dalim, por vijmë në një moment të një dehumanizimi total dhe kuptojmë se ky proces ka një histori të gjatë mbi 500 vjet. Mbi 500 vjet janë deponuar në shpirtin e këtij nënqielli ku jetojmë. Në këtë hapësirë të ruash kokën të paekzekutuar ka qenë një fitore e mbijetesës. Nuk është jetuar. Është mbijetuar”, ka thënë ai.
Sipas tij, në kontekstin vendor tash është një periudhë ku kërcënimi është permanent.
“Vijnë e shkojnë emisarë, diku tjetër vendoset se si duhet të jetojmë ne. Çfarëdo veprimi i lirë, diku sanksionohet e diku paraqitet si mëkat pasi si guxon një popull të sillet si i lirë dhe i pavarur. Do të thotë në të gjitha periudhat, kurdo që ka pasur një lloj rebelimi, ai është ndëshkuar rëndë”, ka thënë ai. Është ndërlidhur me rrethanat aktuale ku fuqitë e mëdha diskutojnë zhvillimet në vende të vogla e të pafuqishme. Janë raste kur planeve të tyre gjeopolitike duhet t’u përshtaten vendet e shkreta. Për shfaqjen ka thënë se kjo lloj reminishence e rebelimit të Ali Pashait në njëfarë mënyre kthen në periudha të ngjashme historike dhe është një reflektim edhe për të sotmen.
“Tash e shohim se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, thotë se po pret rastin të sulmojë dhe askush nuk i thotë asgjë. Por ne, nëse themi diçka të vogël menjëherë bëhet shumë e madhe dhe na thuhet se si guxojmë të sillemi si një popull i lirë. Na thuhet se nuk duhet ta trajtojmë veten se jemi çliruar. Këto reflektime vijnë e shkojnë gjatë shfaqjes”, ka thënë ai. Në perspektiven e tij, në Kosovë nuk bën që shoqëria të jetë vetvetja dhe është një lloj makthi i përgjithshëm.
Makthi mbretëron edhe në shfaqjen ku sulltani luhet nga Ylber Bardhi e rreth tij është aktorja Gresa Pallaska. Është makth i nivelit që gjatë një bisede se koka e kujt e ka radhën udhëheqësi vret edhe njeriun më të afërt pasi jeton duke ngrënë koka e nëpërmjet linçit. E në kontekstin e këtyre anëve, linçimi vazhdon pasi me dajre qeveriset mileti i dajreve.