Me katër konkurrentë, prej të cilëve dy kaluan verifikimin paraprak, Kalaja e Prizrenit sërish ka dështuar të bëhet me dy ciceronë. Ministria e Kulturës ka njoftuar se ka anuluar konkursin e dytë, e një proces si ky ka hyrë në muajin e nëntë të dështimeve. Në shtatorin e vitit të kaluar parku arkeologjik “Ulpiana” dhe Kalaja e Novobërdës e kanë përmbyllur kapitullin e ciceronëve
Ministria e Kulturës nuk ia ka dalë që as në tentimin e dytë ta bëjë me ciceronë Kalanë e Prizrenit. Kjo ngjan pas dështimit të trefishtë për ndërhyrje emergjente në këtë aset të trashëgimisë kulturore. Edhe kësaj radhe – sikurse në herën e parë – Ministria e Kulturës ka anuluar konkursin nëpërmjet të cilit synonte ta bënte Kalanë me dy ciceronë. Po ashtu sikurse në herën e parë konkursi është anuluar pa ndonjë arsyetim.
“Në bazë të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik, neni 91 pikat (3, 3.1, 4, 5, 6) dhe Ligjin Nr. 08/L-196, për Pagat në Sektorin Publik, me reference: 04 /M2025, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit bën njoftimin për anulimin e konkursit me Referencë 02/KPZ-R, të datës 29.10.2025, me nr. të protokollit, 5648/2025 për pozitën: Ciceron (guidë turistike) në Kalanë e Prizrenit”, shkruhet në njoftimin që Ministria e Kulturës e ka bërë të martën.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNjëjtë sikurse në konkursin e parë, atë të korrikut të vitit të kaluar, edhe në të dytin, qenë katër kandidatë. Po ashtu të njëjtat sikurse në konkursin e korrikut, edhe në atë të tetorit, Flaka Bamja e Mirlinda Maloku e kanë kaluar verifikimin paraprak, duke u bërë dy kandidatet që synojnë dy vende pune si cicerone.
Ministria e Kulturës nuk është përgjigjur as për konkursin e parë e as për të dytin. Në shtator të vitit të kaluar për ciceronë në Ulpianë qenë zgjedhur Ismail Gagica e Atdhe Prelvukaj, kurse për Novobërdë, Fitim Bunjaku.
Asokohe për çështjen e punësimit të ciceronëve nga ana e Ministrisë, Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin trashëgimia kulturore pa kufij – “CHwB Kosova”, kishte thënë se ka më shumë rëndësi që në monumente të zbatohet një plan interpretimi. Të njëjtën e kishte përsëritur edhe në fund të dhjetorit të vjetëm.
“E rëndësishme është që secili monument ta ketë njëfarë plani të interpretimit, pra në njëfarë mënyre qoftë përmes ciceronëve, qoftë përmes formave të tjera, pra të ketë informata të mjaftueshme për vizitorë. Ka raste që s’ka nevojë për ciceronë hiç, në qoftë se ajo ka ekspozitën të shpërndarë dhe të interpretuar mirë ose ka një aplikacion që mund ta interpretojë. E rëndësishme është të ketë plan dhe nuk jam i sigurt që secili prej këtyre monumenteve ka plan të interpretimit”, kishte thënë ai. Sipas tij, nëse plani përfshin mediume më të avancuara, mund të funksionojë guida edhe pa ciceronë.
“Ciceroni është veç një medium që e interpreton planin, pra është mirë që monumenteve t’u qasen në mënyrë më të kompletuar, ku bëhet plani i interpretimit dhe mandej zgjidhen mediumet e interpretimit, qoftë ato me njerëz ose si audiovizuale, ose varësisht prej politikave që i ka terreni”, kishte shtuar Shoshi.
Shoshi ka treguar se mban shpresë që shteti ta marrë seriozisht këtë aspekt, që turistët ta kenë dëshirën që këto lloj monumentesh të vizitohen edhe për herë të dytë.
“Sepse deri tash në shumicën e monumenteve nuk ke arsye të shkosh dy herë, me një herë e kryen, sepse në shumicën e tyre nuk ndodh diçka që të thërret të shkosh për të dytën herë”, kishte thënë ai. Fondacioni që ai udhëheq së fundmi ka mbajtur dhe një kamp të interpretimit, dedikuar tërësisht “Ulpianës”. Aty kanë marrë pjesë midis të tjerësh edhe dy ciceronët e punësuar nga MKRS-ja.
Ndër kriteret e konkursit – si në rastin e korrikut edhe në këtë të fundit – Ministria kishte listuar: njohuri të thelluara për historinë dhe arkeologjinë e Kosovës, aftësi të shkëlqyera komunikimi dhe prezantimi, njohuri të mira të gjuhës angleze, gatishmëri për të punuar në ambient të hapur dhe për periudha të zgjatura në këmbë e aftësi për të punuar në mënyrë të pavarur dhe në ekip. Si përparësi kishte renditur përvojën paraprake në udhërrëfime turistike apo edukim muzeal, si dhe njohjen e gjuhëve të tjera përveç anglishtes. Shoshi kriter për përzgjedhjen e ciceronëve e ka emëruar të qenët narrator i mirë, përveç shkollimit e përvojës së punës.
Në gusht të vitit të kaluar, MKRS-ja kishte dështuar që të bëjë një intervenim emergjent në këtë monument. Ndërhyrja tejet e nevojshme dështoi edhe në dy tentime të tjera. Së fundmi në janar. MKRS-ja ka dështuar që nëpërmjet dy thirrjeve të gjejë kompani që do të rregullonte shumë pozicione brenda këtij monumenti. Në tender s’ka pasur asnjë kompani të interesuar. Ata që e njohin mirë monumentin thonë se çmimi i paraparë ishte i ulët. Kushtet meteorologjike nuk mundësojnë ndërhyrje restauruese në disa pjesë deri në pranverë.
Kalaja e Prizrenit, ende pa u futur brenda rrethojës, shihet se është njëfarë lokaliteti i braktisur. Në cilindo drejtim që nisen vizitorët nuk marrin vesh gjë. Tabelat informuese i ka bjerr koha. Shërbejnë veç si pamje të shëmtuara e relikte që dëshmojnë moskujdesin e shtetit. Shtigjet e drunjta kanë degraduar deri në masën sa rrezikojnë vizitorët. Janë arnuar me dërrasa, por si opsion që i ka shëmtuar, e ka rritur pak sigurinë. Degradimi i shtigjeve është i nivelit aq sa para më shumë se dy vjetëve, një vizitor e kishte lëshuar pjesa e shtegut ku po ecte. Ishte lënduar dhe kishte shkuar në Polici për ta paraqitur rastin me akuzën se ka pësuar në monumentin e menaxhuar nga shteti. Juridikisht shteti është përgjegjës për atë pjesë, por në praktikë s’merr kush pikë përgjegjësie.
MKRS-ja ka kohë që tenton funksionalizimin e monumenteve nëpërmjet organizatave joqeveritare. Po në këtë aspekt ka dështuar sa i përket Kalasë së Prizrenit.