S’ka epitet që nuk është thënë për të, por në kohën kur harresa bëhet përditshmëri, të kujtuarit e gjenive si Ismail Kadare shndërrohet në domosdoshmëri. Letërkëmbimet me një kapitull të veçantë edhe për Kosovën, ka qenë kryefjalë e ngjarjes së organizuar të mërkurën në Tiranë, në shënim të 90-vjetorit të lindjes së tij. Është kujtuar edhe si luftëtar i paepur i Shqipërisë evropiane, zë i Kosovës e cila për të ishte dhimbje personale, si shkrimtar që s’ka nevojë për lavde të rastit
“Ju lutem mos dëgjoni rrahagjoksit e papërgjegjshëm, të cilët e kanë lehtë të bërtasin: o pavarësi menjëherë, o të bëhemi shkrumb! Askush s’ka të drejtë të propozojë shkrumbin dhe vdekjen për popullin e vet. Ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj”, shkruhet krejt në fund të letrës që Ismail Kadare ia nisi delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambouillet më 22 shkurt 1999.
Pas pikëpamjeve të ndryshme midis shqiptarësh mbi Marrëveshjen e propozuar nga ndërkombëtarët, Kadare e pa të udhës që të ndërhyjë dhe t’i bëjë të ditura bindjet e tij në ditët kritike të Konferencës që i hapi rrugë lirisë dhe më pas Pavarësisë së Kosovës. Por Ismail Kadare shpesh e kishte konsideruar me vend që t’u shkruante personaliteteve botërore për çështjen e Kosovës.
Letërkëmbimet si ajo me anëtarët e delegacionit bashkë me shumë të tjera gjatë jetës dhe karrierës së shkrimtarit më të madh ndër shqiptarë, janë ekspozuar të mërkurën në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Tiranë.
Luftëtari i paepur i Shqipërisë evropiane
Në rastin e shënimit të 90-vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë, Qeveria e Shqipërisë ka huazuar letërkëmbimet e Kadaresë nga shtëpia-studio “Kadare” që gjendet në banesën e dikurshme të shkrimtarit, në zonën e parë të Tiranës.
Në ceremoninë e mbajtur në nderim të ditëlindjes së shkrimtarit që u lind më 28 janar 1936 në Gjirokastër dhe vdiq më 1 korrik 2024 në Tiranë, të pranishmit kanë vlerësuar kontributin intelektual të Kadaresë përtej letërsisë. Pos letërkëmbimeve, në këtë ekspozitë kanë gjetur vend edhe botime të rralla të bibliotekës personale të shkrimtarit, artefakte dhe objekte autentike të shtëpisë-studio “Kadare”.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka thënë se Kadare luftoi për Shqipërinë edhe atëherë kur vetë shqiptarët luftonin kundër tij, duke dëshmuar për botën ekzistencën e një populli evropian me identitet të fortë dhe zgjedhje të qarta.
“Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit dhe qëndroi në atë piedestal edhe kur ishim të përbuzur, të harruar ai luftoi për ne dhe kur ne luftonim kundër tij”, ka thënë ajo. Sipas saj në këtë përvjetor të lindjes nderohet luftëtari i paepur i Shqipërisë evropiane, ai që i dëshmoi botës që në këto troje ekziston një popull evropian me mish dhe me thua që sa herë ka qenë i lirë ka zgjedhur Evropën.
“Përkujtojmë përmes një ekspozite të thjeshtë nga arkiva e shtëpia, emrin e kolosit të kulturës, humanist, patriot që për shqiptarët dha gjithçka dhe nuk mori asgjë. Në shumë gjuhë Kadare kapërceu izolimin, foli dhe shkroi në emër të vendit të tij të mbyllur por jo të dorëzuar duke arritur të bëhej ambasadori shpirtëror i Shqipërisë në botë”, ka thënë midis të tjerash Spiropali.
Kosova, dhimbje personale e gjeniut
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se për Kadarenë, Kosova nuk ishte vetëm një çështje politike por ishte dhimbje e tij personale.
“Kosovën tentuan ta bënin të padukshme por Kadare nuk heshti, ai shkroi sepse shumë të tjerë nuk munden. Fjalët e tij ishin dëshmi, rezistencë dhe kujtesë”, ka thënë ajo për shkrimtarin shqiptar më të përkthyer në botë. Sipas Gërvallës, madhështia e Kadaresë qëndron te mënyra se si ai përdori letërsinë për të treguar të vërtetën shpesh në mënyrë alegorike dhe të mençur.
“Evropa e dinte dhimbjen e Kosovës por shpesh pati zgjedhur të mos e dëgjonte. Për Kadarenë heshtja nuk ishte neutralitet. Ishte faj. Ai ishte zëri i të heshturve. Mbrojti identitetin dhe kulturën kur politika dhe dhuna donin t’i shkatërronin”, ka thënë ajo. Sipas Gërvallës, ai i dha Kosovës një zë botëror dhe tregoi se një popull mund të mbetet pa shtet por nuk mund të jetojë pa identitet. Gërvalla ka thënë se për Kosovën ai është shembull për letërsinë, shoqërinë dhe moralin. Në këtë rast ka shtuar se ai tregoi se letërsia nuk është thjesht zbukurim apo argëtim, është mbrojtëse e kujtesës dhe identitetit, ruajtje e kulturës dhe ndërgjegjes edhe kur liria politike mungon.

“Kosova e sotme, Kosova e lirë, e pavarur dhe demokratike kurrë nuk e harron Kadarenë e saj, shkrimtarin që asnjëherë nuk rreshti së zgjuari ndërgjegjen e fjetur për gjysmën e robëruar të kombit”, ka thënë Gërvalla.
Në pamundësi për të qenë i pranishëm fizikisht, të pranishmëve u është lexuar letra e akademik Rexhep Qosjes. Sipas Qosjes, Kadare është shkrimtari që e futi përvojën historike, mitike dhe etike të shqiptarëve në hartën e madhe të letërsisë evropiane dhe botërore.
Qosja: Ismail Kadare sot nuk ka nevojë për lavde të rastit
“Me romanet, esetë, poezinë dhe publicistikën e tij, ai i dha gjuhës shqipe një përmasë universale dhe i dha kulturës shqiptare një zë të dallueshëm, të dëgjuar dhe të respektuar”, ka shkruar Qosja. Sipas tij, kërkimi i azilit politik nga Ismail Kadare në Francë, në vitin 1990, u keqkuptua nga shumëkush që nuk e kuptonte peshën morale të asaj kohe. Ka kujtuar se në disa paraqitje publike në media, dhe veçanërisht në një deklaratë të dhënë për “Zërin e Amerikës” vetë Qosja arsyetoi se si ky akt nuk ishte arratisje nga atdheu, por refuzim i një sistemi që i kishte vënë kufij të padukshëm, por të hekurt, mendimit të lirë.
“Azili i tij ishte akt intelektual dhe etik: zgjedhja e fjalës së lirë përballë dhunës së heshtur të diktaturës. Historia e ka vërtetuar se shkrimtari që kërkon liri nuk e braktis kombin; ai i shërben atij në mënyrën më të lartë të mundshme”, ka shkruar Qosja. Ka kujtuar edhe polemikat mbi çështjen e identitetit të shqiptarëve. Sipas tij nuk bëhej fjalë për mospajtime personale por intelektuale dhe kulturore.
“Ismail Kadare sot nuk ka nevojë për lavde të rastit. Ai ka nevojë për lexim, rilexim dhe kuptim. Ai ka nevojë që vepra e tij të trajtohet me seriozitet shkencor dhe me ndjeshmëri kulturore. Brezat që vijnë mund ta lexojnë ndryshe, por gjithmonë do ta lexojnë. Dhe adhurojnë”, ka shkruar midis tjerash Qosja.
Aliu: Kadare është pritur në Kosovë si një njeri i shenjtë
I pranishëm në këtë ceremoni qe akademik Ali Aliu. Në fjalën e tij ai ka thënë se Ismail Kadareja e donte Kosovën dhe Kosova e donte Ismailin. Sipas tij, Kadare e donte hapësirën shqiptare normale në frymën e rilindësve të mëdhenj që edhe shkrimtari e ndiente dhe e prezantonte në krejt universin e tij letrar.
“Në krijimtarinë e madhe gjeniale të tij, Kosova është një kapitull më vete. Janë librat e tij dhe me dhjetëra shkrime e letërkëmbime për fatin e Kosovës. Ai është i vetmi shkrimtar që ka mbajtur ditar duke përcjellë nga dita në ditë gjendjen deri në përfundimin e luftës”, ka thënë Aliu.
Sipas akademik Aliut, letërkëmbimet me personalitetet e politikbërjes botërore që janë në ekspozitë dëshmojnë se ata e kanë ndierë nevojën t’i përgjigjen. Ka përmendur edhe letërkëmbimin me presidentin francez, Jacques Chirac. Për ta ilustruar rëndësinë e këtij komunikimi dhe ndikimin e tij, Aliu ka përmendur një detaj të shkruar nga kryeadministratori i parë i Kosovës së lirë, Bernard Kouchner.
“Kouchner e thotë në kujtimet e veta se kur më përcolli (Jacques Chirac v.j.) më tha: ‘Shiko se miq i kemi serbët dhe shiko për të drejtat individuale’”, ka thënë Aliu. Sipas tij, Kosova e ka dashur dhe vazhdon ta dojë Kadarenë. Ka thënë se ai mbetet shkrimtari më i lexuar në Kosovë. Ka përmendur se më 1980 “Rilindja” në Prishtinë botoi kompletin dhjetëvëllimësh të veprave të Kadaresë dhe kompleti grabitej nga lexuesit dhe dërgohej edhe te shqiptarët në Mal të Zi e Maqedoni.
“Kadare është pritur në Kosovë si një njeri i shenjtë. Gjatë viteve ‘70 kur u vu në skenë ‘Gjenerali’ nën regji të Piro Manit dhe ai erdhi me zonjën Kadare dhe jo vetëm Prishtina por krejt Kosova dukej në festë”, ka kujtuar Aliu. Ka folur për Kadarenë që ishte krenar për rrënjët, për trungun arbëror dhe këtë e manifestonte kudo që shkonte dhe e mbronte me shpirt në shkrime, takime, kafene dhe në çdo ditë.
“I thoshte popullit të vet se s’ka përse të jetë inferior në raport me popujt tjerë. Kjo është fryma që do të jetë e përhershme në veprën e Kadaresë”, ka thënë ai. Aliu ka treguar se këto ditë i erdhi ndërmend edhe vizioni i Ibrahim Rugovës, studiuesit të letërsisë e presidentit të parë të Kosovës së lirë.
“Ibrahimi shkurtimisht mbërriti t’i bëjë të dëgjojnë disa figura vendimtare në botë duke thënë: ‘Mbrojeni këtë popull se është antik. Mbrojeni se duan ta zhdukin’. Dhe, e mbërriti këtë. Kadareja e mbërriti këtë me zërin e tij të madh, të gjeniut. Shikon sot njeriu dhe kur dëgjon në televizionet tona njerëzit me pasion të ligë ta nxinë këtë... Ndiejmë nevojë për këto dy figura”, ka thënë akademik Aliu Aliu përderisa i është dridhur buza dhe i ka dhënë fund fjalës së tij.
Veprat e Kadaresë që çanë rrethimin e izolimit të Shqipërisë socialiste, i treguan botës në më shumë se 40 gjuhë për identitetin shqiptar. E pikërisht mbështetur në këtë identitet, ai u bë zë i lartë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke ndihmuar fort që bashkësia ndërkombëtare ta nxjerrë nga robëria një pjesë të popullit shqiptar.
Lexo edhe: