Ermir Zhinipotoku publikun e fut në një rreth vicioz, ku ashpërsia e qetësisë bën lojën e vet. Veprat për subjekte kanë fraktura poetike, që krejt bashkë sikur bëjnë thirrje për një transformim. Qetësia bëhet me “Ephemeral Echos” dhe aty luan me atë që ai e quan “poetikë e qetësisë”. Këtë e bën te valët, te figurat e kafshëve që vijnë si forma pa strukturë të rregullt e deri te portretet
Qetësia është e dukshme në veprat e Ermir Zhinipotokut. Vetë ngjyrat e imponojnë atë. Por e zhurmshmja aty është edhe më e fortë. Fshihet midis spiraleve, imazheve të maceve a ndonjë subjekti tjetër. Ekspozita “Ephemeral Echos” (Jehonat kalimtare) e Zhinipotokut e hapur në galerinë “Lambdalambdalambda” në kryeqytet fut publikun në një rreth vicioz, ku ashpërsia e qetësisë bën lojën e vet. Veprat për subjekte kanë fraktura poetike, që krejt bashkë sikur bëjnë thirrje për një transformim.
“Ne kemi parë veprat e Ermirit para tre vjetësh në një ekspozitë grupore, ku ishin edhe veprat e Brilant Milazimit, Blerta Hasanit dhe disa të tjerëve. Pastaj kjo ekspozitë ka ardhur me sugjerimin e Brilant Milazimit, i cili edhe ka kuruar këtë ekspozitë dhe jemi të lumtur që ta nisim vitin me ekspozitën personale të Ermirit”, ka thënë Katharina Schendl, e cila bashkëmenaxhon “Lambdan...”.
Vetë artisti nuk ka pëlqyer t’i komentojë veprat e tij e kështu ka vepruar edhe kuratori. Kanë dashur të jenë të qetë sikurse edhe ndjesia që jep ekspozita. Zhinipotoku mezi ka nxjerrë pak fjalë dhe atë pa prani kamareje.
“Më pëlqen poetikja e qetësisë”, ka thënë ai. Këtë e përçon secila vepër e tij. Këtë e bën te valët, te figurat e kafshëve që vijnë si forma pa strukturë të rregullt e deri te portretet. Realisht nuk bëhet fjalë për portrete klasike. Janë fytyra të pazakonta që qëndrojnë njëra mbi tjetrën. Duken si aso portretesh të humbura, njerëz që i ka bjerrë koha e pavarësisht kësaj nuk duan të thonë asgjë. Por flasin fort në qetësinë e tyre. Veç sytë duket të jenë pasqyrë e përjetimeve.
“E dua këtë qetësinë e tyre. Flasin në mënyrën e vet...”, ka thënë Zhinipotoku.
Aty zë vend edhe një spirale që duket sikur mbahet në dorë. Është prej veprave që merr vëmendje. Poetika e qetësisë jehon edhe te ajo por spiralja njëkohësisht është edhe shumë e zhurmshme. Zhinipotoku qesh dhe e lëkund kokën në shenjë miratimi kur i jepet ky koment.
“Krejt e kanë këtë qetësinë që e dua unë”, thotë ai. Nga kolegët llogaritet si një artist me perspektivë në pikturë. Shumicën e veprave i ka lënë pa titull. Duket sikur do tua ruajë qetësinë deri në fund. Pas një ekspozite personale në Tiranë, kjo është e dyta e Zhinipotokut në këtë format. Ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive. Më 2022 edhe në galerinë ku zë vend “Ephemeral Echos”.
“I dua shumë kafshët, për shembull macet e po ashtu shpendët”, ka thënë Zhinipotoku. Që të dyja këto subjekte vijnë në formate jo të plota. Zogjtë janë në lëvizje, por duket sikur janë të mbështjellë me qetësi. Sipas menaxhuesve të Galerisë, transicioni i kafshëve në pikturat e Zhinipotokut është mbresëlënës.
“Është interesante se si ai flet për transicionin e kafshëve në qenie humane dhe për rrethin jetësor midis zogjve e qetësisë që na rrethojnë dhe pikturat kanë qetësi, por janë shumë të forta dhe nëse i shikon më gjatë mund, të gjesh shumë gjëra të tjera”, ka thënë Schendl.
Shtatë veprat e ekspozuara kanë një frymë: qetësinë. Ngjyrat dallojnë goxha por stili është i njëjtë. Zhinipokoku ka thënë se planifikon të vazhdojë me pikturë në këtë stil.
“Është një shqetësim i vazhdueshëm i imi”, ka thënë Zhinipotoku i lindur më 1997 në Zvicër. Jeton në Ferizaj dhe ka qenë pjesë e edicionit të bienales nomade “Manifesta” që më 2022 është mbajtur në Prishtinë. Në hotelin “Grand” bashkë me miqtë e tij kanë ekspozuar veprat e tyre duke treguar talentin e artistëve të rinj kosovarë. Disa prej tyre edhe kanë marrë ftesa për të ekspozuar nëpër Evropë. Zhinipotoku duket se do të jetë prej tyre.
“Janë një gjeneratë e re fantastike. Shumë të mirë dhe kënaqesh kur i sheh”, ka thënë artisti Fatmir Mustafa-Karllo.
Brenda hapësirës së vogël të galerisë, që zë vend në qendër të Prishtinës, deri në javën e parë të marsit, publiku mund të futet në botën e qetësisë së ngjyrave. Atyre që Ermir Zhinipotoku i ka kombinuar viteve të fundit. Shquhet si një prej piktorëve të gjeneratës së re. Kurse me “Ephemeral Echos” sikur i ka dhënë vulë stilit të tij.