Titulli i albumit “Echoes from the heart” ka domethënie të shumëfishtë. Jehona e këngës së Qamilit të Vogël ka lënë shenja të pashlyeshme te nipi i tij, saksofonisti Dukagjin Muhaxhiri. Lidh muzikën tradicionale me jazz, por është edhe një lloj komunikimi intim me gjyshin e tij, që shndërrohet edhe në dialog gjeneratash. Ky album është një urë midis brezash që na lidh mua me gjyshin. Është një vallëzim midis traditës dhe improvizimit ku improvizimi nuk është vetëm lojë me nota, por edhe mënyra ime për të biseduar me të”, ka thënë Muhaxheri
Albumi “Echoes from the heart” i saksofonistit Dukagjin Muhaxheri vjen si një rrëfim i rrallë muzikor, ku kujtesa familjare dhe trashëgimia kulturore e vendit vijnë në një tingull më bashkëkohor. Është një lloj projekti etno-jazz që rikthen meloditë e ikonës së muzikës popullore, Qamili i Vogël. Nipi i tij saksofonist i ka shkrirë dy zhanret me gjuhën improvizuese të jazzit, në një album që është edhe homazh e hulumtim artistik.
Që në hapje të koncertit, atmosfera vjen me autenticitet të menjëhershëm. Saksofoni i Muhaxherit sjell melodinë e njohur popullore, ndërsa pjesa tjetër e mban ritmin në frymën e jazzit, duke krijuar një terren ku tradita dhe modernia nuk përplasen, por bashkëjetojnë në këngë. Gradualisht, vetë saksofoni – instrumenti qendror i këtij rrëfimi – shkrihet në këtë univers tingujsh, duke rikthyer herë pas here motive tradicionale mes partiturave.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMe bendin e përbërë prej turkut Tolga Erzurumlu në piano, Visar Kuçit në kitarë, Enver Muhamedit në kontrabas dhe Enes Beut në bateri, kuinteti ka ofruar një hapësirë të gjerë shprehëse. Improvizimi ka rrjedhur natyrshëm. Fillimisht pianoja ka hapur shtigje harmonike, e ndjekur nga kitara që ka shtuar ngjyrime të reja ndërsa ritmika e kontrabasit dhe baterive e ka mbajtur strukturën të gjallë dhe përherë në zhvillim.
Prej këngëve të opusit të kantautorit Qamili i Vogël, Muhaxhiri ka emërtuar veprat e albumit që në shqip vjen si “Jehonë nga zemra”. Janë interpretuar veprat “Jare”, “Pasha sytë e mi”, “T’kam dasht dhe t’du”, “Për herë t’parë dashninë fillova”, “Për herë të parë kur të pashë moj dije”, “Çeli drandofili” dhe “Zog i malit”.
Në këtë ndërthurje, bëhet e qartë se saksofoni është instrument ideal për këtë lloj dialogu muzikor duke bartur natyrshëm shpirtin e jazzit, por njëkohësisht përthith edhe emocionin e këngës popullore shqiptare. Jazzi dhe folklori këtu nuk e humbin identitetin e tyre. Secili ruan pastërtinë ritmike, ndërsa ndërveprimi mes tyre krijon një dimension të ri.
Në momente kur melodia e këngës popullore ka shpërthyer, publiku shpesh është bërë pjesë e interpretimit. Duartrokitjet kanë buçitur duke ndjekur ritmin.
Vetë Muhaxheri e ka përkufizuar këtë projekt përtej një albumi.
“Për mua ky nuk ka qenë veç album ose koleksion këngësh. Ka qenë më shumë se album. Këtu qëndroj jo si muzikant, por edhe si nipi i Qamilit të Vogël. Ka qenë zë që ka mbushur botën me tinguj dhe ka bashkuar njerëz. Këngët e tij kanë gjetur vend në zemrat e tij”, ka thënë saksofonisti Dukagjin Muhaxheri.

Ka qenë veç dy vjeç kur Qamili i Vogël kishte vdekur, por brenda tij vazhdon të jetë e gjallë muzika e gjyshit.
“Isha vetëm dy vjeç kur ai na la, por muzika e tij nuk na la. Muzika e tij ka qenë si ajër i gjallë në shtëpinë tonë dhe ka gjetur vend në zemrën time. Ky album është një urë midis brezash që na lidh mua me gjyshin. Është një vallëzim midis traditës dhe improvizimit ku improvizimi nuk është vetëm lojë me nota, por edhe mënyra ime për të biseduar me të”, është shprehur Muhaxheri.
Kontrabasisti Enver Muhamedi ka thënë se ky projekt ka qenë shumë i rëndësishëm për saksofonistin, prandaj edhe ftesa e tij për të marrë pjesë ka qenë e çmuar.
“Kam qenë shumë i emocionuar, sepse ka një kohë të gjatë që Dugi ma ka përmendur këtë album dhe e di se sa është i rëndësishëm për të dhe për krejt komunitetin muzikor në Kosovë në përgjithësi. Në momentin kur ma ka bërë ftesën, me padurim kemi ardhur. Ka pasur nevojë për sugjerim për një pianist. Me Tolgen luaj shumë në Stamboll, ai tash është pjesë e albumit. Gjithçka rrodhi, i bëmë aranzhmanet dhe i zgjodhi gjërat që janë për zemër të tij. Kështu ndodhi gjithë kjo magji”, ka thënë Muhamedi.
Të hënën mbrëma, i shumtë ka qenë publiku në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. Ka brohoritur e duartrokitur gjatë kuintetin e punën e tyre me në krye saksofonistin e shquar, Dukagjin Muhaxheri. Si shpërblim, në bis u interpretua “Pasha sytë e mi” që erdhi si kulm emocional, duke përmbyllur udhëtimin që lë gjurmë në skenën muzikore.
Etnomuzikologu Behar Arllati e ka konsideruar të suksesshëm albumin duke theksuar edhe mundësitë që ofron folklori.
“Folklori ofron shumë. Ka material prej të cilit mund të nxirret shumë. Dugi e ka shfrytëzuar maksimalisht bukur mundësinë që ia ka dhënë folklori për ta shndërruar në jazz. Ka qenë kombinim i jashtëzakonshëm midis dy zhanreve ku dallohej folklori, por jazzi ishte në plan të parë. Për mua, ky është një realizim shumë i suksesshëm dhe shumë i mirë”, ka thënë Arllati.
E muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica e ka konsideruar si ndërthurje interesante jazzin me muzikën popullore.
“Këto dy zhanre lindin nga njerëzit, nga jeta e përditshme dhe nga nevoja për t’u shprehur lirshëm. Pikërisht kjo frymë dëgjohet sonte. Një dialog midis traditës dhe jazzit. Në këtë rrugëtim, Dukagjini sërish nuk është vetëm. Sonte, së bashku me të janë muzikantë të shkëlqyeshëm të skenës sonë dhe jo vetëm, që e kompletojnë këtë histori me ndjeshmëri identitetin e tyre artistik”, ka thënë ajo.
Bas-kitaristi Shefqet Hoxha-Sheki i është referuar projektit “Echoes from the heart” si album etno-jazz.
“Është një album i suksesshëm. Unë do ta quaja ‘etno-jazz album’ i cili na mrekullon. Është mirë të kemi ngjarje të tilla pak më shpesh. Kjo na pasuron. Ne kemi melos shumë të gjerë. Prandaj, me sa më shumë ngjarje të tilla, zemra më bëhet mal”, ka thënë ai.
Në albumin “Echoes from the heart” muzika popullore flet me një zë të ri. Kuinteti i Dukagjin Muhaxherit e ka freskuar dhe i ka dhënë frymë të re.