Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Java e Kulturës së Kosovës në Berlin” me sinjale artistësh e potencialesh

Java e Kultures ne berlin

“Ndërrimi i kahes së sinjalit”, është motoja e sivjetme e “Javës së Kulturës së Kosovës në Berlin” dhe domethënia “lexohet” jo vetëm në të tashmen. Promovimi i kulturës dhe artit të Kosovës, të artistëve të saj dhe të krijimtarisë bashkëkohore është synimi, hapet në Ditën e Çlirimit të Kosovës dhe dëshmon “një diasporë që nuk është më vetëm pranuese e kulturës, por edhe krijuese, bartëse dhe transmetuese i saj”

“Si të bëhemi të dukshëm, të kontribuojmë dhe të marrim pjesë në vendimmarrje”, është pyetja që shtron vetëm njëri prej paneleve, e përgjigjja vjen qartazi sapo shfletohet programi i edicionit të sivjetmë i “Javës së Kulturës në Berlin”. I kuruar me kujdes, “Java...” me këtë edicion të tretë, vjen e konsoliduar, programi është i larmishëm, mesazhet janë të fuqishme. Nis të premten e 12 qershorit, përkon jo rastësisht me Ditën e Çlirimit të Kosovës, zgjat deri më 27 e synimet i ka të qarta: promovimin e kulturës dhe të artit të Kosovës, të artistëve të saj dhe të krijimtarisë bashkëkohore kosovare. 

“Ndërrimi i kahes së sinjalit” është motoja e sivjetme dhe domethënia “lexohet” jo vetëm në të tashmen. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Nëpërmjet komunikatës për media dhe materialeve të tjera promovuese, Ambasada e Kosovës në Berlin ka dhënë detajet e kësaj ngjarjeje. Në hapje, do të organizohet debati me temën “Diaspora në politikën dhe shoqërinë gjermane – Si të bëhemi të dukshëm, të kontribuojmë dhe të marrim pjesë në vendimmarrje”, ku do të marrin pjesë personalitete të njohura shqiptare aktive në jetën politike, institucionale, shkencore dhe kulturore në Gjermani. Në panel do të jenë politikanët: Afërdita Suka, Arianit Besiri dhe Nikola Tunici e moderuar nga analistja Engjellushe Morina.  

“Programi kulturor vazhdon me shfaqjen e filmit dokumentar ‘The Beauty of the Donkey’ të regjisores Dea Gjinovci. Filmi sjell historinë prekëse të një regjisoreje dhe babait të saj, të cilët një çerek shekulli pas luftës në Kosovë, kthehen në fshatin Makërmal për të realizuar një film të frymëzuar nga kujtimet e fëmijërisë së tij. Përmes këtij rrugëtimi, ata përballen me plagët e së kaluarës, duke kërkuar shërim, pajtim dhe shpresë, ndërsa kufijtë mes realitetit dhe imagjinatës bëhen gjithnjë e më të paqartë”, shkruhet në komunikatë. Aty veçohet edhe ekspozita fotografike “28 Minuta”, e cila, sipas komunikatës, “dokumenton hyrjen e trupave gjermane të KFOR-it në Kosovë në qershor të vitit 1999”. 
“Për herë të parë do të prezantohen fotografi të veçanta dhe të papublikuara nga arkivat e Bundeswehrit, që pasqyrojnë momentet e para të lirisë dhe çlirimit të Kosovës. Përmes këtij udhëtimi vizual, vizitorët do të kenë mundësinë të rikujtojnë një nga momentet më vendimtare të historisë moderne të Kosovës dhe rolin e solidaritetit ndërkombëtar në ndërtimin e paqes dhe sigurisë”, shkruhet në komunikatë. Në këtë ngjarje, i ftuar nderi do të jetë ish-ministri federal i Mbrojtjes i Gjermanisë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Rudolf Scharping. Këngëtaret Vesa Luma dhe Jehona Sopi do të sjellin një program muzikor “duke ndërthurur traditën dhe modernen në një mbrëmje të veçantë të muzikës kosovare në zemër të Berlinit” e si pikë kulmore, Ambasada e konsideron mini-festivalin “As Anej, As Knej – Between Prishtina & Berlin”, i cili përfshin ekspozita, lexime letrare, diskutime paneli dhe performanca muzikore. Një tjetër ngjarje letrare do të jetë promovimi i librave “Qetësi e prishur” e autorit Bekim Blaku dhe “Hije kujtimesh” të aktorit dhe shkrimtarit Çun Lajçi. 

“‘Java e Kulturës... ‘ do të përmbyllet me pjesëmarrjen në festivalin ‘Berlin Loves You’, ku kori ‘Okarina’ nga Kosova, i përbërë nga 50 fëmijë nën dirigjimin e Elikona Hysaj-Shalës, do të performojë në sallën prestigjioze të Philharmonie Berlin, duke sjellë para publikut gjerman talentin dhe energjinë e brezit të ri të Kosovës”, shkruhet në komunikatë. 

Faruk Ajeti, ambasador i Kosovës në Berlin, fjalën e tij të publikuar në materialin promovues të “Javës...” e ka lidhur me moton: “Ndërrimi i kahes së sinjalit”. Ka kujtuar se ”në vitet 1990 – gjatë okupimit serb të Kosovës dhe në periudhën e pasluftës – programet televizive gjermane ishin pjesë e pandashme e përditshmërisë së shumë fëmijëve dhe të rinjve në vendin tonë. Përmes antenave satelitore, një brez i tërë u rrit duke ndjekur kanale si Das Erste, ZDF, KiKA, RTL Zwei, Sat.1, VIVA apo VOX”.  

“Për shumë prej tyre, televizioni ishte më shumë sesa një burim argëtimi. Ai përfaqësonte kontaktin e parë me gjuhën, kulturën dhe shoqërinë gjermane. Shumë të rinj mësuan gjuhën gjermane pikërisht përmes këtyre programeve dhe e flasin atë edhe sot, si dëshmi e një shkëmbimi të veçantë kulturor e mediatik që la gjurmë të qëndrueshme. Po ashtu, për familjet e shumta të diasporës kosovare në Gjermani, televizioni shërbeu si një urë e rëndësishme lidhëse ndërmjet vendlindjes dhe atdheut të ri”, ka shkruar ai suke shtuar se sot, në vitin 2026, peizazhi kulturor ka ndryshuar thellësisht. “Epoka e televizionit satelitor po zbehet gradualisht, ndërsa Kosova dhe diaspora e saj po prodhojnë më shumë art, muzikë dhe kulturë se kurrë më parë. Me popullsinë më të re në Evropë, Kosova përfaqëson një burim të jashtëzakonshëm energjie krijuese, larmie artistike dhe inovacioni kulturor. Ajo është bërë një pjesë e pandashme dhe e çmuar e mozaikut kulturor evropian”, ka shkruar ai, duke shtuar se në kuadër të ‘Javës Kulturore të Kosovës në Berlin’ kremtohet jo vetëm arti dhe muzika, por edhe miqësia, dialogu dhe shkëmbimi mes popujve. 

“Kosovën dhe Gjermaninë i bashkon një partneritet i ngushtë dhe i qëndrueshëm – historik, politik, ekonomik dhe kulturor. Gjermania është shtëpia e diasporës më të madhe kosovare në Evropën Perëndimore dhe, njëkohësisht, vendi ku Republika e Kosovës ka praninë e saj më të madhe diplomatike në botë”, ka shkruar ai. Para se ta zbërthejë mesazhin ka shkruar të sillet kultura e Kosovës në Gjermani dhe, në të njëjtën kohë, të bëhet i dukshëm potenciali krijues dhe zërat artistikë të diasporës, është një privilegj dhe përgjegjësi e veçantë.

“Prandaj, ky edicion i ‘Javës Kulturore...’ mban titullin ‘Empfangswechsel’ – ‘Ndërrimi i Kahes së Sinjalit’. Nëse dikur antenat satelitore orientoheshin nga Kosova drejt Gjermanisë, sot drejtimi simbolik ndryshon: sinjali vjen nga Gjermania drejt Kosovës. Një metaforë e bukur për një diasporë që nuk është më vetëm pranuese e kulturës, por edhe krijuese, bartëse dhe transmetuese e saj”, ka shkruar ai.