Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Italia në aksion, me 13 milionë euro blen edhe pikturën e vitit 1470

Vepra e Antonello da Messinas ishte gati të dilte në ankand në New York, por shteti italian ndërhyri duke e blerë atë për ta bërë pronë të veten

Vepra e Antonello da Messinas ishte gati të dilte në ankand në New York, por shteti italian ndërhyri duke e blerë atë për ta bërë pronë të veten

Shteti italian është vënë në aksion që disa prej kryeveprave t’i bëjë prona shtetërore. Kësisoj, gati tri javë pas blerjes prej 30 milionë eurosh të “Portretit të Monsinjor Maffeo Barberinit” të Caravaggios, ka blerë edhe një vepër të piktorit të hershëm të Renesancës, Antonello da Messina. Për veprën e vitit 1470 ka paguar rreth 13 milionë euro

Nisma e Qeverisë italiane që veprat nëpër koleksione private t’i shtetëzojë, është konkretizuar edhe me blerjen e një vepre të piktorit të hershëm të Renesancës, Antonello da Messina, për 14.9 milionë dollarë (12.9 milionë euro) nga shtëpia e ankandeve “Sotheby’s”, në New York. E prezantoi atë në senatin italian. Ministri i Kulturës i Italisë, Alessandro Giuli, ka thënë se ditë më parë vepra ishte gati të dilte në ankand në “Sotheby’s”, ndaj shteti ndërhyri dhe arriti të negociojë blerjen e saj, “duke filluar nga një çmim i favorshëm”.

“Ishte një pikturë që po përgatitej të dilte në ankand në ‘Sotheby’s’ dhe ne arritëm ta blejmë pa shkuar fare në ankand. Pra, me një çmim fillestar shumë të favorshëm për ne, por mbi të gjitha shumë e rëndësishme për misionin për ta rikthyer në Itali një pikturë me një rëndësi të tillë. Dhe për ta bërë atë të disponueshme për qytetarët italianë”, ka thënë ministri Giuli.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai udhëtoi në New York për të parë veprën dhe për të përfunduar marrëveshjen me “Sotheby’s”, si dhe u kthye pikërisht në kohë për prezantimin e saj para qytetarëve italianë.

Bëhet fjalë për një pikturë përkushtimore mbi një panel druri me përmasa 20.3 me 14.9 centimetra. Në njërën anë paraqitet “Ecce Homo” dhe në anën tjetër “Shën Jeronimi i penduar”.
“Ecce Homo” paraqet Jezusin me një kurorë gjembash në kokë dhe një litar rreth qafës, në momentin kur Ponc Pilati ia dorëzon turmës së zemëruar për ta çuar drejt kryqëzimit. Vepra është mbajtur nga pronari i saj për vite me radhë në një çantë lëkure dhe nxirrej për t’u përdorur gjatë lutjeve. Fytyra e Shën Jeronimit është konsumuar nga puthjet e përsëritura përkushtuese të pronarit.

“Ajo është përdorur nga pronari i saj për t’u lutur, derisa shikonte Krishtin, ai lutej përpara saj, ndërsa kur shikonte ‘Shën Jeronimi i penduar’, ai e puthte, kështu që Shën Jeronimi është konsumuar plotësisht. Dhe kontakti i drejtpërdrejtë me këtë vepër arti në atë mënyrë, duke e puthur dhe prekur, ka shkaktuar dëmtime”, ka thënë Federica Zalabra, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Abruzzos, i pari që javën e kaluar e ekspozoi pikturën. Paneli daton rreth vitit 1470.

Kjo blerje vjen gati tri javë pasi Italia bleu një portret të rrallë nga piktori barok Caravaggio për rreth 35 milionë dollarë, një nga investimet më të mëdha shtetërore ndonjëherë për një vepër të vetme arti.
Piktura paraqet Maffeo Barberinin, një fisnik që më vonë u bë Papa Urbani VIII.

“Duhet të them se Ministria e Kulturës po bën shumë përpjekje për të zgjeruar trashëgiminë artistike të vendit. Natyrisht, kur blejmë kryevepra të caktuara, nuk blejmë gjithçka pa dallim. Ne blejmë kryevepra që kanë lidhje me Italinë, që mund të vendosen përkrah kryeveprave të tjera. Ne kemi shumë vepra në depo: dikush mund të pyesë pse blejmë, sepse ato që blejmë janë pa dyshim pjesë unike e historisë së vendit, si Antonello apo ‘Portreti i Maffeo Barberinit nga Caravaggio’, të cilat po kthehen në atdhe”, ka thënë Massimo Osanna, drejtori i përgjithshëm i muzeve italianë.

Vepra do të ekspozohet fillimisht në Muzeun Kombëtar të Abruzzos në L’Aquila, përpara se të zhvendoset në vende të tjera në Itali, për t’u dhënë sa më shumë italianëve mundësinë ta shohin nga afër. Giuli ka thënë se njerëzit duhet të presin disa blerje të tjera të rëndësishme dhe operacione ndërkombëtare në të ardhmen e afërt.

“Ministria e Kulturës ka qenë gjithmonë e angazhuar në blerjen e veprave të artit me rëndësi të madhe kulturore. Është e vërtetë që ekziston një politikë për të rritur këto blerje. Ne duam që njerëzit të kuptojnë sa e rëndësishme është për ne të rikthejmë në Itali vepra me rëndësi të madhe artistike dhe publike, si dhe t’i bëjmë ato të disponueshme për botën dhe për italianët”, ka thënë ministri i Kulturës i Italisë.