Kulturë

Investimet kapitale në kulturë “sakrifikohen” për projekte individuale

mkrs

Ministria e Kulturës viteve të fundit e ka hapur kuletën më të madhe për subvencione. Skemat trevjeçare për organizata qeveritare bashkë me rritjen e shumave të përkrahjes për OJQ, me fondin e mobilitetit dhe projektet individuale për projekte që realizohen në vend, shkojnë te shumat e papërballueshme me planifikimet fillestare (Foto: Driton Paçarada)

Projekteve kapitale, si ai i rinovimit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe disa të tjera, u është marrë buxheti për të mbuluar subvencionet dhe nevojat e tjera të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Një muaj e dhjetë ditë pa përfunduar viti, është publikuar lista përfundimtare e projekteve artistike e kulturore, ku janë përfitues individët. Lista preliminare ishte publikuar në gusht. Prej atëherë, shkaku i mungesës së buxhetit, lista përfundimtare ka mbetur e zvarritur

Ministria e Kulturës ia ka dalë që në fund të nëntorit të mund ta publikojë listën përfundimtare të subvencionimit të projekteve kulturore e artistike, që do të implementohen nga individët. Projektet – shumica e të cilave deri tash do të duhej të ishin të përfunduara –  s’kanë nisur as së zbatuari. Deri te ky rezultat është ardhur pasi kabineti qeveritar ka votuar kërkesat e MKRS-së për ridestinim të buxhetit. Dhe, si zakonisht është përdorur buxheti i investimeve kapitale për të paguar subvencionet, një praktikë e vjetër, por e rritur sa u përket shifrave në vitet e fundit.

Projekteve kapitale, si ai i rinovimit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe disa të tjera, kryesisht ato të memorialëve, u është marrë buxheti për të mbuluar subvencionet dhe nevojat e tjera të MKRS-së. Në mbledhjen e 13 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka miratuar Kërkesën e Ministrisë së Financave për kursime dhe ndarje. Këtu përfshihen edhe kërkesat e MKRS-së për ridestinim buxheti. Si kursime janë miratuar subvencione e transfere të disa institucioneve qendrore të kulturës e trashëgimisë kulturore. Një tabelë e gjatë kursimesh vërehet tek Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, kurse shumat më të mëdha prekin projektet për rinovimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Buxhet prej dy milionë e 250 mijë eurosh ka shkuar në kursime vetëm nga projekti kapital i rinovimit të TKK-së, që ka kosto mbi 7 milionë. Përderisa punimet në këtë projekt s’janë as afër kohës së parashikuar, MKRS-ja bashkë me Qeverinë kanë vlerësuar se mbi 2 milionë nuk u duhen për sivjet. Më pas 470 mijë euro janë marrë nga projekti për rinovimin e Galerisë së MKRS-së, 300 mijë nga projekti për rinovimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës e 370 mijë nga projekti për rinovimin e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Muzeut të Artit Bashkëkohor i janë marrë 92 mijë euro dhe krejt kjo në prag të shpalljes së përfituesve të thirrjes së këtij institucioni për hulumtime. Lista e kursimeve nga projektet e tjera që janë më të vogla në shifra është e gjatë.

Te ndarjet MKRS-së i janë miratuar mbështetje shtesë për buxhetin e disa institucioneve, kryesisht në kategorinë “mallra dhe shërbime”, kurse vetë MKRS-së në kategorinë “përkrahja e kulturës” – ku merren mjetet për mbulimin e subvencioneve – i janë miratuar 1.6 milionë euro shtesë.  Ndërsa të “mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore” i janë shtuar 566 mijë euro. Edhe këto mjete përdoren për subvencione nga MKRS-ja.

Te rinovimi i Galerisë Kombëtare të Kosovës i janë ndarë edhe 800 mijë euro. Ndarjet e reja prekin edhe projekte të tjera, kryesisht në sport e po ashtu edhe në kategori të tjera institucionale. Tash më këto mjete të ridestinuara MKRS-ja do të përfundojë obligimet që i kanë mbetur pa u shlyer.

Ankesat që MKRS-ja nuk ka përmbushur obligimet ndaj përfituesve të subvencioneve janë rritur së fundmi. Madje, s’i ka transferuar ende as krejt mjetet e përfituara nga organizatat joqeveritare.

“Ka vetëm një numër të caktuar që presin lëvizjet buxhetore në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe të cilat do të përfundojnë këtë javë ose javën e ardhshme”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Bislim Bislimi, në një përgjigje ndaj ankesave për mostransferimin e mjeteve për projektet fituese.

Ministria e Kulturës deri në ditën e 20-të të këtij muaji nuk e ka publikuar listën përfundimtare të projekteve artistike e kulturore, ku janë përfitues individët. Lista preliminare ishte publikuar në gusht. Prej atëherë, shkaku i mungesës së buxhetit, lista përfundimtare ka mbetur e zvarritur.

Ministria e Kulturës viteve të fundit e ka hapur kuletën me të madhe për subvencione. Skemat trevjeçare për organizata qeveritare bashkë me rritjen e shumave të përkrahjes për OJQ, me fondin e mobilitetit dhe projektet individuale për projekte që realizohen në vend, shkojnë te shumat e papërballueshme me planifikimet fillestare të MKRS-së.

Institucioni më i lartë kulturor në vend veç për organizata kulturore e ato të trashëgimisë kulturore nëpërmjet “Thirrjes për projekt – propozime në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore 2025”, sivjet ka ndarë mbi 4 milionë euro. Në Ligjin mbi ndarjet buxhetore sivjet te kategoria “Përkrahja e kulturës” figurojnë vetëm 4.3 milionë euro.

Në listë preliminare të individëve figuronin 213 projekte me gjithsej përkrahje 961 mijë e 950 euro. Në listën përfundimtare janë 277 projekte dhe kostoja e tyre shkon në mbi një milion euro.

Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq qendrën “Multimedia”, ka thënë se ishte e qartë se kohën e fundit gjërat nuk ishin duke shkuar siç duhej, përderisa u qartësua edhe më kur zvarritja e shpalljes së rezultateve të konkurseve për projekte, u zgjat në pafundësi.

“Madje, për thirrjen e granteve individuale, thirrja akoma nuk është përmbyllur. Kjo gjë lë një shije të hidhur, sepse, pas katër vjetësh të kësaj garniture në MKRS, mekanizmat e grant-dhënies do të duhej të ishin përmirësuar, e jo e kundërta. Përndryshe, është e pakuptueshme që grantet për vitin aktual ndahen në fund të vitit, retroaktivisht. E di që ky ka qenë një vit i komplikuar, me gjysmë-qeveri, megjithatë, që gjërat të degradojnë në këtë nivel, vërtet s’ka kuptim. Fjala më e butë që më bie ndërmend është ‘keqplanifikim’”, ka thënë Neziraj.

MKRS-ja vazhdimisht ka telashe me afatet e subvencioneve. Deri në fund të gushtit MKRS-ja s’ka publikuar listën finale të OJQ-ve përfituese. Më shumë se një muaj i janë dashur Ministrisë së Kulturës që t’i shqyrtojë ankesat e organizatave joqeveritare pas publikimit të listës preliminare të “Thirrjes për projekt-propozime në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore 2025”. Te lista përfundimtare e sivjetme janë gjithsej 313 organizata që, sipas MKRS-së, janë përkrahur me 4 milionë e 100 e 17 mijë euro. Në raport me listën e preliminare janë 38 organizata më shumë. Prej 24, tek ato që kanë marrë përkrahje trevjeçare qenë bërë 24. Është shtuar “Etea”. Te kategoria e tretë qenë 19, kurse më pas janë bërë 22. Janë shtuar “KUD Sarski Behar”, “Jazz Fest Prishtina” dhe “Fondacioni për Gjakovën”. E para ka marrë përkrahje 25 mijë euro, kurse dy të tjerat nga 35 mijë. Kurse te kategoria e fundit, nga 222, tash figurojnë 266 organizata.