Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Interneti mund të hapë debate, por rrallë arrin mrekullinë e teatrit”

Në Ditën Botërore të Teatrit është përcjellë mesazhi se publiku, si dëshmitar, ia fal teatrit kuptimin dhe jetën

Në Ditën Botërore të Teatrit është përcjellë mesazhi se publiku, si dëshmitar, ia fal teatrit kuptimin dhe jetën

Për të dytin vit me radhë, mesazhi i Ditës Botërore të Teatrit, është një alarm për botën gjithnjë e më të përçarë dhe shoqërinë e sfiduar nga teknologjia. Përderisa sivjet në Kosovë është thyer tradita e festës me ndarje çmimesh, skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka sjellë premierë sikurse ka shpërndarë edhe mesazhin që kësaj radhe i është besuar aktorit amerikan, Willem Defo. “Në një botë që duket se është gjithmonë e më shumë përçarëse, kontrolluese dhe e dhunshme, sfida jonë si krijues teatri është ta shmangim korruptimin e teatrit”, ka shkruar ai

Përkundër stuhive ndër vite, “lindjes” së arteve të reja, teatri që në antikitet ka mbijetuar dhe ka ruajtur peshën e tij. Në Ditën Botërore të Teatrit, 27 mars, mesazhi që përcillet rithekson rëndësinë e tij. Përderisa në Kosovë është thyer një traditë si ajo e ndarjes së çmimeve në fushën e teatrit, institucioni më i lartë teatror e ka festuar me premierë, përderisa ka shpërndarë edhe mesazhin, i cili sivjet i është besuar aktorit të njohur amerikan, Willem Defo. Ai njihet si aktor filmi, por ka një kapitull unik me teatrin. Pikërisht kjo përvojë shpaloset edhe në mesazhin e tij, por në esencë porosia që ai lë, është fuqia e teatrit në një botë përherë e më të përçarë dhe shoqëritë që rrezikohen nga teknologjia.

“Në fillimet e mia modeste me ‘Wooster Group’, një kompani teatrore njujorkeze, shpesh disa prej shfaqjeve kishin shumë pak publik. Rregulli i zakonshëm qe që, nëse kishte më shumë interpretues sesa publik, mund ta anulonim shfaqjen. Por ne nuk i anulonim kurrë. Shumë prej pjesëtarëve të kompanisë nuk kishin studiuar për teatër, por vinin nga disiplina të ndryshme dhe bëheshim të gjithë bashkë për ta krijuar teatrin, kështu që ‘shfaqjen nuk e ndal asgjë’, nuk ishte mantra jonë thelbësore, por e ndienim njëfarë detyrimi për ta ruajtur takimin me publikun”, shkruan ai te pjesa personale. Kjo, sipas tij, e ka bërë të kuptojë se, pavarësisht se mund të ketë pak njerëz, publiku si dëshmitar ia fal teatrit kuptimin dhe jetën. Para se të hyjë në zbërthimin e rëndësisë së teatrit edhe sot e përherë, ai shkruan se si nga pikëpamja shoqërore, edhe politike, teatri nuk ka qenë kurrë kaq i rëndësishëm dhe jetik, në përpjekjen tonë për të kuptuar veten dhe botën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“’Rrobat e reja të mbretit’ janë teknologjitë e reja dhe rrjetet sociale, që premtojnë të na lidhin, por, me sa duket, i kanë veçuar dhe izoluar njerëzit nga njëri-tjetri. Unë e përdor kompjuterin çdo ditë, nuk kam rrjete sociale, kam kërkuar veten në Google si aktor dhe kam përdorur inteligjencën artificiale për informacione”, ka shkruar Defo. Por, sipas tij, njeriu duhet të jetë i verbër që të mos kuptojë se kontakti njerëzor rrezikon të zëvendësohet nga marrëdhëniet me pajisjet.

“Disa teknologji mund të na shërbejnë për mirë, por të mos dish se cilin ke në anën tjetër të komunikimit është një problem i thellë, që kontribuon në një krizë të së vërtetës dhe të realitetit. Interneti mund të hapë debate, por shumë rrallë arrin ta kapë ndjenjën e mrekullisë që krijon teatri. Ajo është një mrekulli e bazuar në vëmendjen dhe angazhimin e një komuniteti të vetvetishëm, mes atyre që janë të pranishëm në një rreth veprimi dhe reagimi”, ka shkruar ai. E ka veçuar edhe të qenit “besimtar i teatrit”.

Willem Defo: “’Rrobat e reja të mbretit’ janë teknologjitë e reja dhe rrjetet sociale, që premtojnë të na lidhin, por, me sa duket, i kanë veçuar dhe izoluar njerëzit nga njëri-tjetri”

“Si aktor dhe krijues teatri, mbetem besimtar në fuqinë e teatrit. Në një botë që duket se është gjithmonë e më shumë përçarëse, kontrolluese dhe e dhunshme, sfida jonë si krijues teatri është ta shmangim korruptimin e teatrit, duke mos e parë vetëm si një ndërmarrje tregtare që ofron argëtim përmes shpërqendrimit ose si një ruajtës institucional i thatë i traditave, përkundrazi, duhet të ushqejmë forcën e tij për të lidhur njerëzit, komunitetet, kulturat dhe, mbi të gjitha, për të ngritur pyetje se ku po shkojmë…”, ka shkruar aktori amerikan në mesazhin që shpërndahet gjithandej botës, e në shqip është përkthyer nga Anxhela Çikopano, studiuese e teatrit pranë Qendrës së Studimit të Arteve në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Sipas Defos, teatri i madh sfidon mënyrën se si mendojmë dhe nxit të imagjinojmë atë çka synojmë të mbërrijmë.

“Ne jemi qenie shoqërore dhe biologjikisht jemi projektuar të angazhohemi me botën. Çdo organ shqisor yni është një portë për takime dhe përmes këtyre takimeve përcaktojmë më mirë cilët jemi. Përmes rrëfimit, estetikës, gjuhës, lëvizjes, skenografisë: përmes teatrit si një formë gjithëpërfshirëse arti mund të shohim si ka qenë, si është dhe si mund të bëhet bota jonë”, ka shkruar ndër të tjera aktori i njohur amerikan.

Mbrëmjen e së premtes, në Teatrin Kombëtar të Kosovës është dhënë premiera e shfaqjes, “Bidermani dhe Zjarrvënësit” me tekst të Max Frischit, nën regji të Agon Myftarit, me aktorët Kushtrim Qerimi, Arta Selimi, Shkëlzen Veseli, Semira Latifi, Albina Krasniqi, Edlir Gashi, Ylber Bardhi, Lum Veseli, Donika Rushiti, Lis Maliqi dhe Erdonis Gashi.

Dita Botërore e Teatrit shënohet më 27 mars dhe u caktua në vitin 1961 nga Instituti Ndërkombëtar i Teatrit me qëllim të promovimit të artit teatror në mbarë botën dhe theksimit të rëndësisë së tij në kulturë dhe shoqëri. Vitin e kaluar – sikurse synohej të bëhej traditë – u ndanë çmimet tradicionale pikërisht në këtë ditë. Ministria e Kulturës me Çmimin për Vepër Jetësore kishte nderuar kostumografen Samka Ferri, që u takon atyre që rëndom kontribuojnë nga prapaskena. Çmimin për Shfaqjen më të Mirë e kishte marrë Teatri Kombëtar i Kosovës, i cili përballej me sfida kushtesh, përderisa greva 100-ditëshe e aktorëve s’ishte përmendur në ceremoni. Çmimin për Regjinë më të Mirë e kishte marrë Erson Zymberi, që realizoi shfaqje me buxhet minor, atë për Aktorin më të Mirë, Shpëtim Selmani, i cili ende s’është aktor rezident i asnjë teatri, e “Qendra Multimeda” përsëriti suksesin për prezantim në skenën ndërkombëtare. Mesazhi botëror i shkruar vitin e kaluar nga regjisori grek, Theodoros Terzopoulos, ishte thirrje për të dalë nga një botë e qytetarëve të varfëruar, të mbyllur në qeli të realitetit virtual.

Kishte shtruar pyetjen nëse “teatri mund ta dëgjojë thirrjen emergjente SOS që kohët tona po e dëgjojnë, në një botë të qytetarëve të varfëruar, të mbyllur në qeli të realitetit virtual, të ngujuar në privatësinë e tyre frymëzënëse?” “Na duhen rrugë të reja rrëfimi që synojnë të kultivojnë kujtesën dhe të formësojnë një përgjegjësi të re morale e politike për të dalë nga diktatura shumëformëshe e mesjetës së sotme”, kishte shkruar ai.

Shqipëria nderon Tinka Kurtin në Ditën Botërore të Teatrit

Shqipëria ka zgjedhur që sivjet ta shënojë Ditën Botërore të Teatrit edhe me një aktivitet të veçantë: ka nderuar aktoren veterane Tinka Kurti. Prej së premtes, rruga me kalldrëm që të çon drejt Kalasë së Prezës, rreth 20 kilometra në veriperëndim të Tiranës, mban emrin “Shtegu Tinka Kurti” si shenjë mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm të aktores së madhe shqiptare.
Aktiviteti i përurimit në kuadër të Ditës Botërore të Teatrit ka mbledhur personalitete të artit e kulturës shqiptare, ndërsa ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, e ka konsideruar këtë një akt nderimi të thellë për një nga ikonat më të mëdha të artit shqiptar.
E pranishme aktorja Tinka Kurti, tashmë në moshën 93-vjeçare, ka thënë se ka ndier dashurinë dhe mirënjohjen e përcjellë nga kolegët dhe dashamirët e mbledhur enkas për të në këtë ditë të veçantë.
“Sot, ky shteg bëhet më shumë se një rrugë, një udhëtim mes historisë, emocioneve dhe madhështisë së një figure që frymëzon breza të tërë”, citohet të ketë thënë Gonxhja.
Në ceremoni të pranishëm ishin artistë të tjerë të skenës shqiptare, si aktorja Zamira Kita, artistja e humorit shkodran, Zyliha Miloti, historiani dhe studiuesi Neritan Ceka, e të tjerë.
Me këtë emërtim, shtegu pranë Kalasë së Prezës merr një dimension të ri, duke u shndërruar në një itinerar që ndërthur historinë, artin dhe emocionin, si një homazh i përhershëm për figurën që ka frymëzuar breza të tërë artistësh.