“Letërsia në epokën e Inteligjencës Artificiale” ka qenë temë e diskutimit në ditën e dytë të Festivalit Poetik të Prishtinës. Është thënë se Inteligjenca Artificiale tashmë e sfidon mënyrën dhe idenë tradicionale të autorësisë, por ende nuk ka arritur atë që e ka njeriu – emocionin, frymën, animin. E rrezikon përkthimin por edhe aty ka kufij. Në kuadër të aktiviteteve është përuruar edhe libri ““Letra nga burgu dhe ese tjera” i Halil Matoshit
Letërsia jeton me rreziqe, ajo është edhe në rrezik nga Inteligjenca Artificiale. Por nuk duhet të bëjë kompromise. E shkrimtari artificial është i pamundur, të paktën në këtë kohë, ngase nuk e tejkalon dot imagjinatën e emocionet njerëzore. Këto kanë qenë disa prej konstatimeve në diskutimin me temë “Letërsia në epokën e Inteligjencës Artificiale”. Është promovuar edhe vepra “Letra nga burgu dhe ese tjera” e Halil Matoshit.
Në ditën e dytë të edicionit të katërt, Festivali Poetik i Prishtinës është zhvendosur në qendrën për kulturë alternative “Termokiss”. Në skenën e kësaj ngjarjeje është thënë se Inteligjenca Artificiale nuk mund të krijojë stile, atë që është unike e të krijuarit letërsi.
Diskutimin e ka moderuar drejtoresha e festivalit, poetja Donika Dabishevci. Ajo ka thënë se Inteligjenca Artificiale e sfidon idenë tradicionale të të krijuarit.
“Kur flasim për kohën e Inteligjencës Artificiale nuk flasim vetëm për një zhvillim teknologjik, por ndoshta edhe për një lloj ushqimi paradigmatik midis autorit, tekstit dhe vetë procesit të krijimit. Inteligjenca Artificiale tashmë e sfidon mënyrën dhe idenë tradicionale të autorësisë, origjinalitetit, ndoshta edhe të krijimit si njëfarë akti individual i përvojës njerëzore”, ka thënë ajo para hapjes së diskutimit me panelistët.
Studiuesi e shkrimtari Gëzim Aliu ka thënë se letërsia e të krijuarit artistik në përgjithësi është shenja më dalluese e njeriut.
“Është një aktivitet për të cilin njeriu biologjik nuk do të kishte nevojë, por ja që e ka krijuar. Sigurisht besoj se është revolucionare aftësia e njeriut për të imagjinuar, ta përdorë gjuhën dhe të krijojë përralla, rrëfime. Për të krijuar rrëfime, sigurisht se krijuesit kanë përvojë, emocione, ndjenja. E shprehin gjendjen e tyre. Njëherë për njëherë në gjendjen e tanishme, nuk mendoj se rrezikohet ky aspekt i krijimtarisë dhe shprehjes artistike njerëzore”, ka thënë ai.
Ka theksuar se shumë prej teksteve janë të automatizuara në një formë.
“Tekstet e prodhuara nga Inteligjenca Artificiale nuk shprehin as emocion, as mendime, as anime ideologjike, as anime emocionale, as përkatësi etnike, kombëtare e politike. Janë të krijuara të tilla, të kufizuara, shpresoj të vazhdojnë të jenë të tilla, dhe prodhojnë tekste neutrale që njeriu me pak lexim, i heton”, është shprehur ai.
Por ka theksuar idenë e mësimit prej saj, duke përmendur se kohëve të fundit qarkullojnë shumë tekste nëpër rrjete sociale në të cilat nuk ka gabime gjuhësore. Sipas tij, njerëzit mësojnë nga IA-ja sintaksën e morfologjinë.
Por rreziqet janë në fokus. Sipas tij, në të ardhmen do të shihet fjalia “filan autori është përkthyer nga Inteligjenca Artificiale” në fillim të një libri të përkthyer.
“Përkthimi do të rrezikohet shumë, masa e përkthyesve. Mendoj se do të jetë e vërtetë që tekstet e përkthyera nga Inteligjenca Artificiale do të kenë nevojë vetëm për mbikëqyrës të specializuar që i njohin dy gjuhët shumë mirë dhe i njohin nuancat kulturore të të dy vendeve”, është shprehur Aliu.
Studiuesja e përkthyesja Meliza Krasniqi ka thënë se secila epokë ka përkthyer frikë për ndryshimet e formave të të shkruarit e për ato të të lexuarit. Por se epoka e Inteligjencës Artificiale ende nuk është për t’iu frikësuar.
“Nuk është diçka që i frikësohem ose që do të duhej t’i frikësohem, të paktën në një të ardhme të afërt, sepse e përdor si mjet dhe jo si subjekt. Kam lexuar përkthime të ndryshme të autorëve të ndryshëm të autorëve botërorë por, për shembull, librat e përkthyer nga rusishtja nga Agron Tufa, nuk ka shans në asnjë formë t’i përkthejë ChatGPT-ja. Për shembull poezinë dhe gjëra të ndryshme është shumë e pamundur të përkthehen tash për tash”, ka thënë ajo.

Sipas saj, IA-ja nuk mund ta bëjë atë që e quan si përçudnim të gjuhës shqipe.
“Këtë përçudnim, këtë thyerje të tabuve ose të formacionit stilistik, nuk mund ta bëjë, të paktën tash për tash”, është shprehur ajo.
Shkrimtari e studiuesi Ndue Ukaj ka thënë se shkrimtari artificial është i pamundur si rrjedhojë e emocioneve njerëzore. Por sipas tij Inteligjenca Artificiale do të penalizojë autorët e rinj për shkak të besueshmërisë nga lexuesit.
“Emocionet janë aq personale saqë nuk mund të regjistrohen në sistemet e algoritmeve të asaj që ne e quajmë Inteligjencë Artificiale. IA është sfidë për letërsinë, pa dyshim. Nga ajo që lexova pashë se shumica e atyre që janë marrë me të thonë se ajo mund të jetë pengesë në disa aspekte të letërsisë, meqë për disa autorë ka filluar të jetë një lloj asistence letrare, e që përdoret nga shumë autorë në situata të ndryshme", është shprehur ai.
Sipas tij, “letërsia nuk duhet të bëjë kompromis me AI sepse asnjëherë nuk ka bërë kompromis me të keqen”. Se për sa kohë njeriu ka imagjinatën, letërsia e tejkalon këtë rrezik.
“Ky aspekt është i lidhur me kënaqësinë, dhe ne që shkruajmë letërsi, ndiejmë kënaqësinë e krijimit. Atë mund ta ndiejmë vetëm kur e bëjmë vetë, jo kur na ndihmon dikush. Për mua, momenti më i bukur, ta zëmë, në një roman, në një tregim a poezi, jam vënë për ta gjetur një zgjidhje për një situatë letrare dhe kur e gjej atë zgjidhje, ekzaltohem si fëmijë, përjetoj kënaqësi. Ajo është e lidhur edhe me kënaqësinë e leximit”, ka thënë Ukaj.
Në kuadër të programit të festivalit, po ashtu është promovuar libri “Letra nga burgu dhe ese tjera” nga Halil Matoshi. Ai nis nga përvojat personale dhe zgjerohet. Autori ka bërë me dije se aty ka edhe ngjyrë filozofike, përsiatje e meditim.
“Në vitin tashmë të largët, 1994, kam botuar një libër me tregime, ese dhe poezi me titullin ‘Udhëtim nëpër ëndërr të keqe’, sepse atëherë çdo ëndërr e jona ka qenë e keqe, e dhimbshme. Në vitin 2000, pasi kam dalë prej burgut të Serbisë, e kam shkruar po ashtu një libër ditar, aty-këtu edhe ndonjë ese, së cilës ia pata lënë emrin “Udhëtim nëpër zhgjëndërr të keqe’. M’u realizua distopia. Të gjitha ëndrrat e këqija më janë bërë realitet. Autori, njeriu, që merret me çështjet e lirisë, të robërisë, është njëfarë rrufepritësi që i ndal rrufetë dhe duhet të shkruhen”, ka thënë ai.
Ka bërë me dije se libri “më së paku është shkruar për vete”. “Më së shumti (është shkruar) për ata që duan të kujtojnë se nëpër çfarë kemi kaluar që kemi ardhur deri këtu”, ka thënë ai.
Për librin ka folur edhe publicisti Pal Shtufi. Ka thënë se Matoshi e ka pasuruar veprën me lirinë e tij të të shkruarit, e që, sipas tij, jo shpesh është parë prej autorëve të tjerë.
“Me lirinë e brendshme kemi probleme të theksuara, andaj ajo është esenciale, të cilën Halili, prej se e mbaj mend e ka pasur. Ka pasur përpjekje të jashtëzakonshme, ndryshe prej neve të tjerëve që nuk na ka interesuar teoria e lirisë”, ka thënë ai.
Derisa ka folur për konceptin e lirisë, ka kritikuar sloganin “Liria ka emër”.
“Njeriu i lirë është kur krijon, që jeton, që e di kuptimin e jetës. Andaj në këtë kuptim është mirë të përmendet që slogani ‘Liria ka emër’ është ndër sloganet më idioteske që kanë ndodhur te ne vitet e fundit. Liria nuk ka emër, liria është frymë, është jetë, është kuptim”, ka thënë Shtufi.
“Letra nga burgu...” është botuar nga “Littera”, e drejtuar nga poetja Donika Dabishevci.
“Është një prej botimeve më të rëndësishme eseistike dhe dëshmuese të autorit ku ndërthuret përvoja personale, reflektimi filozofik dhe analiza tipike për lirinë, për fashizmin, për censurën në përgjithësinë morale të njeriut. Në fund të librit përfshihen edhe disa letra nga burgu. Tekstet e këtij libri nuk janë vetëm dokumente të një kohe të vështirë, por edhe akte të qarta mendimi, rezistence dhe vetëdije intelektuale”, ka thënë ajo.
Festivali Poetik i Prishtinës u hap të mërkurën. Dita e parë iu kushtua letërsisë shqipe në Mal të Zi. Filloi me homazh artistik në nderim të profesorit, shkrimtarit e studiuesit, Basri Çapriqi, e më pas vazhdoi me shpalosjen e mendimi kritik e studimor për letërsinë shqipe në Mal të Zi. Pjesa tjetër iu dedikua leximeve poetike nga krijimtaria e Esad Mekulit dhe Rexhep Qosjes si dhe me orë poetike.
LEXO EDHE: