Përveç gjendjes së mjerueshme, Kulla e Sylejman Vokshit, Mejtepi Ruzhdije, si dhe objekti i shkollës së vjetër të muzikës, tani rrezikohen edhe nga ndërtimet shumëkatëshe.
Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore kishte refuzuar kërkesën për ndërtime më 30 prill, me arsyetimin se shumëkatëshja do të zinte vend brenda perimetrit të tri aseteve të trashëgimisë kulturore, raporton KTV.
Por, po ky institucion do t’i binte pishman duke marrë vendim krejt tjetër, tre muaj më vonë.
Madje ky institut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Kulturës, ka lëshuar dy raporte të ndryshme, me numër të njëjtë të protokollit.
IKMM-ja në muajin shkurt të vitit të kaluar kishte themeluar një komision për definimin e zonave të mbrojtura të aseteve të trashëgimisë kulturore.
Në korrik të vitit të kaluar ky komision në përbërje të Avni Manajt, Osman Gojanit, Drita Lushtakut, Elida Bejtullahut, Alban Kastrati, Arbër Jusufi kishte lëshuar një dokument që kishte nënshkrimin vetëm të drejtorit të Institutit, Ismet Hajrullahu, ku i hapej rrugë ndërtimit.
Derisa në një tjetër raport me të cilin Ismet Hajrullahu pretendon ta legjitimojë këtë proces dalin katër nënshkrime të anëtarëve të Komisionit, e që këta anëtarë janë nga IKMM-ja, por që Arbër Isufaj ishte zëvendësuar me Mimoza Dibrani.
Për krejt këtë, Ismet Hajrullahu jep versionin e tij.
Hajrullahu, më 7 korrik 2019, ka hequr dorë nga mbrojtja e parcelës, pikërisht në të njëjtën ditë që i është bërë rekomandimi që mban vetëm nënshkrimin e tij.
Pavarësisht që kompania “Ylli Pashtriku”, e cila është duke e ndërtuar këtë objekt, në tetor të 2019-s, kishte kërkuar nga ky institucion pëlqim për të lejuar ndërtimin, disa ditë më vonë, drejtori i IKMM-së, me anë të një shkrese, i kishte thënë që nuk kishte nevojë për leje.
Arkitekti i Institutit, Avni Manaj, që ka qenë anëtar i Komisionit, i cili flet për arsyetimin dhe lejimin e ndërtimit.
Në mars të 2019-s asambleja komunale ka shfuqizuar vendimin për shpalljen e interesit të veçantë për pronat që gjenden rreth kullës së Sylejman Vokshit, vendim që ishte aprovuar në tetor të 2015-s.
Pas raportimeve të gazetës “Koha Ditore”, në lidhje me ndërtimet, Partia Alternativa në këtë komunë ka dorëzuar kallëzim penal ndaj institutit e komunës, derisa nga LVV-ja kanë akuzuar Institutin për falsifikim të dokumenteve.