Baza e reflektimit artistik është një fabrikë llokumesh. Rasti i hulumtimit: puna e grave përtej çdo norme të orarit dhe derivat i kësaj është pamundësia për të ecur pas disa vjetësh. Protezat në gju qenë injektim i domosdoshëm. Në një konferencë për media, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Ekipi i Pavijonit që përfaqëson shtetin më të ri në Evropë ka zbuluar disa detaje të instalacionit “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”, që zënë vend në Muzeun Historik të Marinës midis dy hapësirave ekspozuese, Arsenales dhe Giardinit
Arra dhe proteza janë dy fjalët kyç që do të mund të përdoreshin për të përshkruar Pavijonin e Kosovës në edicionin e Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Instalacioni i përbërë nga katër skulptura metali është ndarë në dysh: dy në formë arre e dy të tjera në formë proteze gjuri. Baza e këtij reflektimi artistik është një fabrikë llokumesh. Rasti i hulumtimit: puna e grave përtej çdo norme të orarit dhe derivat i kësaj pamundësia për të ecur pas disa vjetësh. Protezat në gju qenë injektim i domosdoshëm. Por, Pavijoni i Kosovës në edicionin e 60-të të Bienales së Venecias, ngjarja më e madhe botërore e artit pamor, Fabrikën e Llokumeve e ka veç vjegëz për të paraqitur punën e feminizuar në një shoqëri ku tranzicioni midis të tjerash është edhe ekonomik. E punët e shtëpisë për gratë janë faqe tjetër e rrëfimit.
Në një konferencë për media të hënën në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ekipi i Pavijonit që përfaqëson shtetin më të ri në Evropë ka zbuluar disa detaje të instalacionit “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” që të zërë vend në Muzeun Historik të Marinës midis dy hapësirave ekspozuese, Arsenales dhe Giardinit. Ngjarja ka filluar me 15 minuta vonesë në pritje të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Dhe në këtë rast politika ka folur e para në atë që sipas ftesës ishte “konferencë për medie që për qëllim ka të shpalosë konceptin kuratorial të projektit artistik”. Ministri Çeku ka thënë se përfaqësimi bëhet nëpërmjet një thirrjeje të hapur e me proces transparent. Ka thënë se janë në fazën kur procesi i përzgjedhjes së përfaqësuesit të shtetit në Bienale do t’i bartet Galerisë.
“Ky përfaqësim për Republikën tonë është shumë i rëndësishëm për diplomacinë kulturore dhe publike edhe për faktin se sivjet kemi tri gra që përfaqësojnë Kosovën, të tria që jetojnë e veprojnë në vend. Kjo është mundësi e mirë për të rikonfirmuar kapacitetin e shtetit tonë për të prodhuar talente artistike dhe mund të pohojmë se një pjesë e mirë e kësaj përbërjeje janë artistet gra të Kosovës”, ka thënë ai.
Artistja Doruntina Kastrati ka treguar se në Bienalen e Venecias do të paraqitet me një instalacion skulpturor që përbëhet nga katër skulptura që shoqërohen nga disa tinguj muzikorë të cilët për qëllim kanë pak a shumë aktivizimin e këtyre skulpturave dhe gjithë hapësirës.
“Ideja është nisur nga përvoja dhe rrëfimet e ish-punëtorëve të Fabrikës së Llokumit. Dy skulptura të instalacionit përngjasojnë me arrën që është frutë arror dhe ndër produktet kryesore të përgatitjes së llokumit. Dy të tjera janë skulptura të cilat në formë përngjasojnë me protezën që vendoset në pjesën e gjurit”, ka sqaruar ajo. Kastrati, e cila për të përfaqësuar Kosovën, është përzgjedhur nga një juri me përbërje kryesisht ndërkombëtare, ka thënë se do të ketë edhe një publikim i cili do t’i bashkëngjitet pavijonit ku do të jenë tri rrëfime të grave përfshirë edhe nënën e saj që ka qenë një ndër punëtoret e Fabrikës së Llokumit.
“Për shkak se oraret janë jashtëzakonisht të gjata në Fabrikën e Llokumit nga 12, 13 e 14 nisin të përjetojnë ndryshime fizike. Këto ndryshime fizike e bëjnë të pamundur procesin e ecjes pas një kohe kur ato kanë përvojë pune 20 deri në 25 vjet pune. Disa nga këto punëtore i ndajnë këto eksperienca me neve”, ka shpjeguar ajo. Ka thënë se do të sjellin edhe imazhe të prodhimit të llokumit dhe pak a shumë “një shije tjetër nga ajo që servohet nga prodhimi i llokumit”. Sipas saj, storiet që këto gra tregojnë shpërfaqin pabarazinë në tregun e punës, punën e feminizuar që lidhet drejtpërdrejt me gratë, pjesën e papaguar të punës kur gratë kthehen në shtëpi dhe e vazhdojnë punën prapë.
“Punën që e kanë ‘obligim’ në shtëpi”, ka thënë ajo. Skulpturat përbëhen kryesisht nga alumini, material që ngjason shumë me protezën që vendoset në gju për ta rifunksionalizuar atë.
“Si metal sjell njëfarë ftohtësie. Ideja e krijimit të skulpturave me përmasa dy e tri metra kanë për qëllim që të jenë interaktive me publikun. Kështu që publiku është i ftuar që të hyjë brenda skulpturave dhe të përjetojë ftohtësinë që përcjell metali”, ka thënë Kastrati.
Kuratorja e Pavijonit të Kosovës, Erëmirë Krasniqi, ka folur më shumë për hulumtimin dhe anën konceptuale. Ka thënë se periudha e tranzicionit e ka sjellë në treg edhe fenomenin e punës së feminizuar, kontratat e përkohshme, oraret e gjata, pagesën e ulët dhe pasigurinë ekonomike.
“E gjithë kjo e përcjell me pasoja si lëndime trupore e shkelje të të drejtave të punëtorëve pa sigurime shëndetësore e benefite të tjera që vijnë me kontratë”, ka thënë ajo e ka sqaruar se janë marrë me hulumtim, kanë mbledhur materiale vizuale dhe kanë nxjerrë të dhëna që tregojnë se një e treta e grave e kanë përvojën e operimit dhe vendosjen e metaleve në gjunjë.
“Personalja ka shërbyer për ta trajtuar atë që është politikë gjinore përbrenda ekonomive të pazhvilluara. Shënimet e nënës së Doruntinës shpërfaqin orarin e dyfishtë që gratë e mbajnë brenda dhe jashtë shtëpisë”, ka thënë ajo e ka vazhduar duke treguar se këto shënime do të përdoren edhe në publikimin e parë të Pavijonit që do të shpërndahet në ditën e hapjes, më 20 prill.
“Publikimi i dytë do të jetë përmbledhës e aty do të përfshihen edhe hulumtimi e po ashtu edhe materialet e publikimit të parë”, ka thënë Krasniqi.
Komisionerja e Pavijonit të Kosovës, njëherësh kuratore në GKK, Hana Halilaj, ka thënë se puna është duke ecur mirë dhe ka shpjeguar disa hapa që janë ndërmarrë deri tash. Ka folur edhe për ndërrimin e lokacionit pasi deri tash Pavijoni i Kosovës ka qenë në hapësirën ekspozuese arsenale.
“Hapësira i përshtatet shumë më shumë instalacionit, ka qenë edhe një bashkëbisedim dhe një vendim i marrë me organizatën e Bienales. Muzeu është vetëm një minutë afër Arsenales”, ka thënë ajo.
Juria e përbërë nga Zdenka Badovinac, Massimiliano Gioni, Leonie Radine, Adam Szymczyk dhe Alban Muja i kishte besuar ekipit të Kastratit për përfaqësim në Bienale midis një konkurrence jo të vogël. Doruntina Kastrati, e lindur më 1991 në Prizren, punon kryesisht me skulpturë, instalacion dhe imazhe lëvizëse. Në vitin 2014 është shpërblyer me Çmimin për Artistët e Rinj Vizualë nga Galeria Kombëtare e Kosovës. Më pas ka fituar çmimin “Hajdex6” nga fondacioni “Hajde”. Ajo midis të tjerash ishte artiste rezidente në “International Studio and Curatorial Program” në New York, në “Art House” në Shkodër dhe në “Initiators” në Athinë.
Tema që do të përfaqësojë Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit, që vitin e ardhshëm ka kuratorin brazilian Adriano Pedrosa, prek edhe temën e përgjithshme të ngjarjes, “Foreigners Everywhere” (Të huaj kudo).
Kosova i kthehet Venecias pas edicionit të arkitekturës të mbajtur me 2023. Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri qe dyshja, e cila në pavijonin e tyre “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 – lokaliteti transcendent) mori në trajtim ndikimin e emigrantëve në zhvillimin e vendeve të tyre të lindjes. Dyshja nëpërmjet instalacionit ka trajtuar transcendencën jo veç si term filozofik, por edhe në rrafshin praktik.
Sa i përket përfaqësimit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, gjithçka kishte filluar më 2013. Asokohe Petrit Halilaj kishte paraqitur instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji çark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Më 2015-n, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti, me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër). Më 2017 ishte Sislej Xhafa, me veprën “Lost and Found”, një thirrje e fuqishme për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Me histori lufte, Kosova ishte përfaqësuar edhe më 2019-n nga Alban Muja, me “Family Album” (Albumi familjar). Vitin e kaluar Jakup Ferri temës së përcaktuar nga Bienalja do t’i përgjigjej me “Monumentalitetin e përditshmërisë”. Por sivjet Kosova do të shpalosë një tjetër përditshmëri, atë të punës së feminizuar në një shoqëri në tranzicion dhe pasojat e saj.