Kulturë

Homazh me duartrokitje për aktorin idealist që bashkoi shqiptarët

“Perdja” e filmit do të binte me skenën zemërthyese kur në krye të detyrës Deda mbetet i ngrirë në një shtyllë telefonike mes acarit të malësive shqiptare. Skena pasuese me fshatarët që rropaten mes borës për t’i dalë në ndihmë fillrojtësit. Posi paralele e tejlargët me filmin e vitit 1974 “Rrugë të bardha”, edhe paraditja e së martës pati diçka nga ky tragjizëm.

Jo bora e acari, por pandemia e virusit privoi mijëra qytetarë e dashamirë t’ia jepnin lamtumirën e fundit aktorit të njohur të ekranit dhe skenës shqiptare, Rikard Ljarja. Mbrëmjen e së hënës, në moshën 77-vjeçare, vdiq në shtëpinë e tij, ku sëmundja e rëndë e kishte “ngujuar” kohëve të fundit.

Duartrokitjet e fqinjëve ishin “homazhi” i vetëm kur arkivoli u nxor nga apartamenti modest në zonën e ish-ekspozitës në Tiranë. E shoqja e tij, Marjeta Ljarja, dhe dy fëmijët, Lorena e Leandri, nuk mund t’i përmbanin lotët e vajin ndërsa makina e zezë e shërbimit funeral mori rrugën drejt Shkodrës, shkruan sot Koha Ditore.

Ashtu siç kishte qenë amaneti në të gjallë të tij, ai kishte zgjedhur vendlindjen si vendprehje për eshtrat e tij. Siç shihet në raportet televizive, mes një shiu të imët që binte pareshtur, procesioni i përzishëm ndaloi në të hyrë të Varrezave të Rrmajit. E shoqja, Marjeta, falënderoi të pranishmit që iu ndodhën pranë familjes në momentet më të vështira. Varrimin me pak të pranishëm ajo e ka quajtur si “shumë të bukur”.

“Nuk jam pishman që është një përcjellje kaq e thjeshtë, por shumë shpirtërore. Ka pafund mesazhe që e kanë dalluar pjesën njerëzore të Rikardit e jo vetëm atë të ekranit. Është kaq e bukur që është kaq e thjeshtë”, ka thënë mes lotësh Marjeta Ljarja.

Famullitari i Katedrales së Shën Shtjefnit, Vlash Palaj, ka thënë se nën ndriçimin e Ditëve të Pashkëve jeta e Rikardit duhet të shihet ndryshe.

“Artisti nuk është ai që sjell të tjerët në skenë, por nëpërmjet talentit të tij sjell të bukurën, të vërtetën dhe atë që është e rëndësishme dhe e dobishme për jetën”, ka thënë dom Palaj gjatë predikimit. “Mungon fizikisht ai, por prania e tij shpirtërore nuk duhet t’i mungojë jetës suaj”.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.