Kulturë

Heshtja përballë brutalizmit nazist të nëntorit 1938 si paralajmërim i tmerrit

heshtja

Më 10 nëntor 1938, pronarët dhe punonjësit hebrenj të dyqaneve u përballën me detyrën e rëndë për të pastruar shkatërrimin që kishin shkaktuar nazistët

(DW) – “Ende e kujtoj qartë mëngjesin e 10 nëntorit”, tregon W. Michael Blumenthal. “Babai im u arrestua herët në mëngjes. Mes rrëmujës megjithëse nëna më kishte ndaluar, dola jashtë pa u vënë re. Pashë xhamat e thyer të dyqaneve në bulevardin ‘Kurfürstendamm’ dhe tym që dilte nga sinagoga në rrugën ‘Fasanenstrasse’”. Në atë kohë Blumenthal ishte vetëm 12 vjeç.

Në natën e 9 nëntorit 1938, hebrenjtë në të gjithë Gjermaninë dhe Austrinë u bënë viktima të një dhune të egër të organizuar: 1 mijë e 300 sinagoga dhe 7 mijë e 500 biznese u shkatërruan, ndërsa pa numër varreza dhe shkolla hebraike u vandalizuan.

Policia qëndroi dhe shikonte ndërsa hebrenjtë poshtëroheshin në rrugë, rriheshin dhe, në të paktën në 91 raste, u vranë. Shërbimet zjarrfikëse nuk ndaluan djegien e sinagogave dhe dyqaneve hebraike. Ato u kujdesën vetëm që flakët të mos përhapeshin në ndërtesat fqinje.

Dhe ky ishte vetëm fillimi. Më 10 nëntor, rreth 30 mijë burra hebrenj u dërguan në kampet e përqendrimit në Dachau, Sachsenhausen apo Buchenwald. Babai i Blumenthalit ishte mes tyre.

“Ende i kujtoj fjalët e nënës sime kur ai u mor nga dy policë: ‘Çfarë po ndodh? Çfarë po bëni me të? Çfarë ka bërë? Ku po e çoni?’”, kujtoi Blumenthal. “Edhe si një 12-vjeçar, ndien frikën e të rriturve”.

Pjesa tjetër e familjes Blumenthal arriti të arratisej në Shanghai në vitin 1939, një nga të paktat vende që ende lejonte refugjatët hebrenj të hynin pa vizë. Blumenthal e përshkroi këtë përvojë në kujtimet e tij “From Exile to Washington: A Memoir of Leadership in the Twentieth Century” (2014).

Sulmet fizike dhe frikësimet kundër hebrenjve kishin qenë të përhapura në Gjermani që prej ardhjes së nazistëve në pushtet në vitin 1933.
Ligjet e Nurembergut, të miratuara në vitin 1935, përcaktuan se kush do të konsiderohej hebre dhe shumë njerëz papritur u përballën me ndalim profesional. Ligje të tjera ua kufizuan qasjen në hapësira publike. Shumë prona hebraike u sekuestruan dhe u “arianizuan”.

Megjithatë, “është e rëndësishme ta kuptojmë nëntorin e vitit 1938 si një pikë kthese në histori”, thotë historiani Raphael Gross, president i Muzeut Historik Gjerman (Deutsches Historisches Museum) në Berlin.
“Pas vitit 1938, ajo që njihej si epoka e hebrenjve gjermanë mori fund. Shoqëria gjermane nuk ishte më e njëjta”.

Preteksti që nazistët kërkonin për të justifikuar pogromin erdhi kur një adoleshent hebre, Herschel Grynszpan, vrau diplomatin gjerman Ernst vom Rath më 7 nëntor në Paris.

Menjëherë pas raportimit të lajmit nga radio gjermane, shpërthyen trazira kundër hebrenjve në disa qytete. Megjithatë, dhuna e organizuar filloi në të gjithë Gjermaninë dy ditë më vonë, pasi Hitleri dha personalisht urdhrin.

Nga Munich, ku udhëheqja naziste ishte mbledhur për përvjetorin e atij që njihet si “Grushtit të Birrarisë” të vitit 1923, ministri i propagandës Joseph Goebbels mbajti një fjalim ku urdhëronte shkatërrimin e bizneseve hebraike dhe djegien e sinagogave. Policia u udhëzua të mos ndërhynte, ndërsa zjarrfikësit të mbronin vetëm pronat “ariane”. Grabitjet ishin zyrtarisht të ndaluara.

Urdhrat u zbatuan po atë natë jo vetëm në Berlin, por edhe në Koln, Hamburg dhe Frankfurt, si dhe në qytete e fshatra të shumta anembanë Gjermanisë.
“Për arsye të ndryshme, gjermanët ose morën pjesë, ose kthyen kokën nga ana tjetër”, tregon Blumenthal. Jo të gjithë e miratuan atë që ndodhi, por “shumë thjesht shikonin në heshtje”.

“Pogromi i nëntorit 1938 u zhvillua para syve të të gjithëve”, thotë Gross. “Mund të shihej nga të gjithë — nga shtypi botëror, diplomatët e huaj dhe të gjithë qytetarët”.

Me gjithë ndalimin zyrtar, grabitjet ndodhën gjithashtu më 9 dhe 10 nëntor. Një raport i këshilltarit të Ambasadës braziliane përmendte banda të rinjsh që shfaqnin objekte kulti të vjedhura nga sinagogat.
Të gjithë diplomatët e akredituar në Gjermani informuan vendet e tyre për ngjarjet. Raportet i përshkruanin ato si “barbari kulturore”, tregon  historiani Hermann Simon, i cili për 27 vjet, deri në vitin 2015, ishte drejtor i “Centrum Judaicum”. Simon mblodhi raportet e diplomatëve nga 20 vende që ndodheshin në Gjermani në vitin 1938.

Për shembull, konsulli i përgjithshëm polak në Leipzig përshkroi fatin e familjes polake Sperling: “Gruaja e Sperlingut u zhvesh lakuriq dhe huliganët tentuan ta përdhunonin”.

Ambasadori leton shkroi: “’Kurfürstendamm’ dukej si një fushë beteje” Përfaqësuesi finlandez vuri në dukje “kritika shkatërruese” nga popullsia.
“Më vjen turp që jam gjerman”, ishte një shprehje e përhapur ndër njerëzit, thuhej në raport.

Megjithatë, diplomatët nuk dërguan kërkesa konkrete apo propozime veprimi në qeveritë e tyre.

“Ata prisnin dhe shpresonin, në mënyrë mashtruese, se mund të gjenin një mënyrë për t’u marrë vesh me regjimin nazist”, thotë Hermann Simon. “Në këtë aspekt reagimi ndaj raporteve ishte mjaft i dobët”.

Gross shtoi se kishte disa reagime ndërkombëtare:
“Disa shtete reaguan, por ishte tepër pak”.

Askush nuk e kishte parashikuar planin e nazistëve për zhdukjen e hebrenjve, thotë ai. Në një gabim fatal të gjykimit, ambasada italiane shkruante më 16 nëntor 1938: “Nuk është e përfytyrueshme që një ditë 500 mijë njerëz (numri i përafërt i hebrenjve që jetonin në Gjermani) do të dërgohen përpara një muri, do të dënohen me vdekje apo vetëvrasje, ose do të mbyllen në kampe të mëdha përqendrimi”.