Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Henri Rousseau nga doganier në ikonë arti

henry

Ekspozita sjell pesëdhjetë piktura të artistit. Ato përfshijnë disa nga veprat më të njohura të Rousseau si, “The Sleeping Gypsy”

Një koleksion gjigant, i paparaqitur më parë i veprave të Henri Rousseau, pritet me shumë interes në Paris. Në ekspozitën e titulluar “Henri Rousseau: A Painter’s Ambition”, do të shfaqen disa nga pikturat më të njohura të tij. Si autodidakt, me stilin e tij primitiv dhe naiv, iu përkushtua plotësisht artit vetëm në moshën 49-vjeçare. Para kësaj, profesioni i tij kryesor ishte si mbledhës taksash dhe shpesh nënvlerësohej në komunitetin artistik. Ai mori nofkën “Le Douanier”

Në anën perëndimore të kopshtit “Tuileries Gardens” dhe pranë “Place de la Concorde”, muzeu “Musée de l’Orangerie” po përgatit një retrospektivë të madhe me veprat e artistit francez, Henri Rousseau. Ajo titullohet thjesht: “Henri Rousseau, A Painter’s Ambition” (Henri Rousseau: Ambicia e një piktori”. Do të ekspozohen pesëdhjetë piktura të artistit. Ato përfshijnë disa nga veprat më të njohura të Rousseau si, “The Sleeping Gypsy”, e huazuar nga Muzeu i Artit Modern në New York, e cila nuk është shfaqur në Paris që nga viti 1984.

Juliette Degennes, kuratore e trashëgimisë në këtë muze, deklaroi: “Ideja e kësaj ekspozite është të rishqyrtojë ambicien e Rousseau si piktor, pasi shpesh ai është konsideruar si një artist disi naiv, në periferi të skenës artistike parisiene të kohës së tij. Qëllimi këtu është ta paraqesim, jo si një artist naiv, por si një piktor të vetëdijshëm që vëzhgonte rrethinën, njihte tregun e artit dhe dëshironte sinqerisht të integrohej në këtë rrjet specifik”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ekspozita do të përfshijë 11 piktura të Rousseau të siguruara nga fondacioni “Barnes Foundation” në Filadelfia.

Ky fondacion vetëm së fundmi ka zbutur rregullat e tij të vjetra, duke lejuar huazimin e përkohshëm të disa veprave të artit për qëllime edukative, si për shembull pikturën e titulluar “The Snake Charmer”.

Nancy Ireson, kuratore këshilltare në fondacionin “Barnes”, deklaroi: “Deri tani kemi ditur relativisht pak për mënyrën se si Rousseau përdorte materialet e tij. Një pjesë shumë e rëndësishme e këtij projekti ishte të shikonim nga afër mënyrën si ai punonte në studio. Në përgatitje të ekspozitës, analizuam të gjitha pikturat në pronësi të fondacionit – gjithsej 18 sosh – dhe filluam të kuptojmë më mirë si i përgatiste veprat, si vizatonte para se të pikturonte dhe se si shpesh ishte mjaft ekonomik në përdorimin e ngjyrës, ndoshta për arsye financiare. Ndërkohë, kolegët tanë në Paris studiuan edhe veprat në koleksionet parisiene. Kështu po krijohet një pamje shumë më e pasur e artistit në proces pune, gjë që është shumë relevante sot, pasi shumë artistë e admirojnë Rousseaun dhe reagojnë drejtpërdrejt ndaj veprës së tij. Procesi i pikturimit e bën atë të duket shumë i gjallë dhe aktual”.

Për drejtoreshën dhe kuratoren e muzeut, Claire Bernardi, kjo ekspozitë synon të tregojë zhvillimin e veprës së artistit francez.

Henri Rousseau, autodidakt, me stilin e tij primitiv dhe naiv, iu përkushtua plotësisht artit vetëm në moshën 49-vjeçare. Para kësaj, profesioni i tij kryesor ishte si mbledhës taksash dhe shpesh nënvlerësohej në komunitetin artistik. Ai mori nofkën “Le Douanier” (doganieri), një emër që fillimisht kishte nuancë përçmuese. Ky emërtim i mbeti por talenti i tij u njoh fillimisht nga artistët e kohës së tij.

“Piktorët ishin të parët që e panë si një artist të rëndësishëm. Veprat si ‘The Snake Charmer’ apo ‘The Sleeping Gypsy’ u admiruan nga artistët surrealistë. Ishte shumë e rëndësishme për artistët modernë të shikonin pikturat e tij. Pablo Picasso ishte i pari që i vlerësoi dhe bleu veprat e Rousseaus. Ai ishte pjesë e koleksioneve të artistëve të mëdhenj si, Robert Delaunay dhe Picasso. Ata ishin mbështetësit e parë të artit të tij”, deklaroi Bernardi.

Ndërkohë, Nancy Ireson shpjegon se si Rousseau pasqyronte botën përreth tij.

“Piktura që shohim këtu, e quajtur ‘Scout Attacked by a Tiger’, është shumë e veçantë. Është një nga veprat më të rëndësishme në koleksionin e fondacionit ‘Barnes’ dhe hera e parë që pikturat e tij me temë xhungle tërheqin një audiencë të gjerë. Ai kishte provuar më herët, por në vitin 1904 një brez i ri e pa këtë vepër dhe u entuziazmua. Ajo është e çuditshme dhe reflekton një botë në ndryshim, një botë që shikon përtej Francës, por nuk e kupton plotësisht atë. Ka shumë frikë dhe rrezik në këtë pikturë, dhe kjo na tregon shumë për kohën në të cilën vepronte Rousseau”.

Ekspozita “Henri Rousseau, Ambicia e një piktori” do të jetë e hapur për vizitorët e “Musée de l'Orangerie”, nga 25 marsi deri më 20 korrik.

Marrë nga “Associated Press”. Përktheu: Edona Binaku