Edicioni i 32-të i festivalit folklorik “Hasi Jehon”, që është hapur të enjten mbrëma në Gjonaj të Prizrenit, ka mirëpritur nismën që ky organizim të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përhershme, në kategorinë e trashëgimisë shpirtërore. Propozimi për mbrojtjen ligjore të këtij festivali është paraqitur muaj më parë nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren, në bashkëpunim me drejtuesit e “Hasi Jehon”, në kuadër të shënimit të 45- vjetorit të ekzistencës së kësaj ngjarjeje kulturore. Por edhe në natën e hapjes së edicionit të radhës nga organizatorët është pretenduar se bëhet fjalë për ngjarjen më të vjetër të këtij lloji në Ballkan.
“Për neve është një nder, një privilegj. Besoj që ne e kemi merituar një status të tillë nga institucionet e Kosovës, sepse tashmë festivali ‘Hasi Jehon’ njihet si ngjarje jashtëzakonisht e konsoliduar, pastaj ngjarje më e vjetër e këtij zhanri, ngjarje në të cilën plasohen vlerat e trashëgimisë shpirtërore nga të gjitha trevat që marrin pjesë në festival”, ka thënë drejtuesi i këtij festivali, Haziz Hodaj.
Sipas tij, gjatë viteve të ekzistencës vazhdimisht janë bërë përpjekje që të përzgjidhen grupet që kultivojnë vlerat burimore, vlerat e trashëgimisë kulturore, dhe se pikërisht për këtë është e natyrshme që festivali ta ketë kujdesin e institucioneve të Kosovës, respektivisht të futet nën mbrojtje të shtetit.
“Futja nën mbrojtje do të ishte një stimulim jo vetëm për neve si organizator, por edhe për gjeneratat që vijnë, sepse kur e ke kujdesin e institucioneve je më i qëndrueshëm edhe në angazhime, edhe në organizime. Përfshirja në listë do ta japë efektin e vet pozitiv dhe do të jetë motiv për vazhdim, sepse është e vërtetë që po zbehet interesimi i të rinjve. Me stimulime të tilla besoj që do të këndellen edhe të rinjtë dhe do të jenë pjesë e organizimit në vazhdimësi”, ka deklaruar Hodaj.
Drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha, ka bërë të ditur se propozimi që tashmë është në procedurë tek institucionet përkatëse është përgatitur nga kjo qendër dhe drejtuesit e festivalit “Hasi Jehon” për të nderuar 45-vjetorin e themelimit të këtij organizimi. Sipas tij, vlerat që prezantohen në këtë festival duhet të ruhen, por edhe të afirmohen në arenën ndërkombëtare.
“Vlerat përfaqësuese të këtij festivali na obligojnë ta ruajmë, ta kultivojmë, ta zhvillojmë dhe ta afirmojmë edhe në përmasa ndërkombëtare, si festival ndër më të veçantit, i cili përmes vlerave të kulturës e të trashëgimisë, qet në pah vlerat tona kombëtare, me të cilat identifikohemi si komb, si popull me traditë dhe trashëgimi të pasur e të pakontestuar”, ka thënë Hoxha.
Edicioni i 32-të i festivalit “Hasi Jehon” është hapur të enjten mbrëma në Shtëpinë e Kulturës në Gjonaj dhe aktivitetet do t’i vazhdojë edhe të premten e të shtunën mbrëma.
Aktivitetet kanë filluar me ekspozitën e prodhimeve të bukës, derisa në skenë të parët janë paraqitur mikpritësit nga ShKA “Malësori”. Pas tyre në skenë janë paraqitur ansambli “Çeta e Profetëve” - Krumë – Has, shoqata (grupi polifonik) “Shpati” dhe SHKA “Bresana” – Bresanë.
Hodaj ka shprehur bindjen se festivali për shkak të pandemisë ka humbur pjesën më të mirë, përkatësisht shikuesit, pasi nuk mund ta ketë audiencën që gjithmonë e kishte në ambient të hapur.
“Sa i përket organizimit duhet t’u përmbahemi masave, por pavarësisht kësaj jemi kujdesur që në skenë të sjellim vlerat tona, si në të gjitha edicionet”, është shprehur Hodaj.
Në natën e dytë parashihet që të paraqiten AKV “Anamorava”- Viti, SHKA “ Maja e Kranflit” - Vuthaj (Mali i Zi), AKV “Deçani ” – Deçan, SHKA “ Tingujt e Vendlindjes” - Stagovë – Kaçanik dhe dueti: Hamit Kastrati dhe Klevi Gaxha.
Ndërsa në natën e tretë në program janë SHKA “ Bajram Curri ” – Prishtinë, SHKA “Jahi Hasani“ Çegran – Gostivar, AKV “Hajvalia“ – Hajvali, SHKA “Drita e Dervenit“ - Saraj – Shkup dhe AKV “Bajram Shabani” – Kumanovë, derisa përmbylljen e bën SHKA “Malësori”. Në natën finale, nga juria profesionale do të ndahen çmimet tradicionale të festivalit “Hasi Jehon”.
Festivali folklorik “Hasi Jehon”, sipas të dhënave të organizatorëve dhe të QRTK-së, si manifestim i përshpirtshëm kulturor, në skenën e festivalit sjell vlerat më autentike të trashëgimisë shpirtërore, është unik, më i vjetri dhe më i organizuari në veprimtarinë e këtij lloji në trevat e Ballkanit.
Është themeluar në shtator të vitit 1976, nga SHKA “Malësori” dhe rinia e fshatit Gjonaj. Ka nisur veprimtarinë e vet me SHKA, grupet artistike të shkollave të Hasit, rapsodë, lojtarë të lojërave popullore, instrumentistë popullorë, me veshje unike kombëtare, për të arritur pas luftës në organizimin më të konsoliduar të kulturës e trashëgimisë në nivel kombëtar.
Festivali folklorik “ Hasi Jehon” bazohet në disa shtylla të veprimtarisë së vet dhe ato kanë bazë dhe ekskluzivitet në trashëgiminë shpirtërore, por që identifikohet me
folklor burimor, vallet, këngët, lojërat, doket dhe zakonet e mbarë trevave shqiptare.
Gjatë 45 vjetëve të ekzistencës është organizuar gjithsej 32 herë, përderisa prej vitit 2000 është organizuar në mënyrë të pandërprerë.