Kulturë

Hapet Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venecie

Pavijoni i Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie, është hapur zyrtarisht të premten.

Në edicionin e 17-të të ngjarjes së madhe botërore, Kosova po prezantohet me veprën me titull “Containporary” të kuruar nga arkitekti Maksut Vezgishi.

Kuratori Vezgishi ka pohuar se temës së sivjetme të Bienales, “Si mund të jetojmë së bashku?”, është munduar t’i përgjigjet në aspektin urbanistik. Ai ka theksuar se ka përdorur fantazinë e tij në raport me një objekt të përditshëm që mund të kthehet në një objekt të paidentifikueshëm i cili kryen disa funksione.

“Pyetja se ‘si mund të jetojmë së bashku’, lidhet me këtë, me gjestin e parë që e bëjmë ne në raport me një objekt, në rastin tonë është artistike, në rastin tjetër në komunat tona, ne i projektojmë, por kurrë nuk i gjejmë në mënyrën se si i projektojmë dhe peizazhet lëvizin dhe ndërrojnë, por është e mundur që t’i gjejmë edhe në mënyrën se si i vendosim, po që se vendosim një rregull”, ka thënë Vezgishi për KOHËN, në hapjen zyrtare të Pavijonit të Kosovës. Pjesëmarrja në edicionin e 17-të të Bienales, është e katërta për Kosovën. Pavijoni shtetëror zë vend në Arsenale, e cila bashkë me Giardinin, janë dy hapësirat ku shtrihet kjo ngjarje.

“Containporary” i mëshon rolit të urbanizimit global dhe procesit të planifikimit e krijimit të mjediseve të qëndrueshme.

“Toka është shtëpi. Roli i urbanizmit është të krijojë mjedise të qëndrueshme që lidhin njeriun me natyrën. Biodiversiteti planetar është misioni më fisnik i arkitekturës”, thuhet në përshkrimin kuratorial për pavijonin e Kosovës

Projekti “Containporary” është një objekt i madh, i hapur, i mbyllur, i destinuar për ngarkimin e “përmbajtjeve” të ndryshme.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka thënë se përgjigjja në temën e sivjetme të Bienales së Venecias gjendet në bashkëpunimin mes artistëve, arkitektëve dhe komuniteteve.

“Ne si institucione po e bëjmë punën më të mirë në mënyrë që artistët dhe arkitektët tanë të na prezantojnë në mënyrën më të denjë në arenën ndërkombëtare dhe në mënyrë që arti dhe arkitektura të shërbejnë si mediume për t’i trajtuar sfidat globale me të cilat përballet njeriu sot”, ka thënë Çeku për KOHËN.

Në edicionin e sivjetmë të ngjarjes së madhe të arkitekturës marrin pjesë 112 pjesëmarrës nga 46 shtete.

Me komisionere Jehona Shytin nga MKRS, ekipi i Kosovës përfshin ekspozuesit: Vildane Maliqi, Argjirë Krasniqi, Feray Dervis, Recep Kerkezi dhe Gëzim Radoniqi.