Prishtinë, 13 shkurt – Në çdo punim nga qeramika, punuar nga gratë, të mbijetuara të dhunës gjatë luftës në Kosovë, ekspozuar në kuadër të projektit “Gratë në art”, fshihet nga një rrëfim. Të gjendura përballë turpit dhe stigmës në shoqërinë kosovare, kjo pjesë e shoqërisë e ka të vështirë që të flasë për ato që u kanë ndodhur. Një terapi shëruese po del që të jetë arti. Përmes veprave artistike, 20 gra që u bënë pjesë e projektit shfaqen gjendjen e tyre shpirtërore.
Me ngjyra në punimet e tyre reflektojnë shpresë, qetësi, por ende vërehen edhe turbulencat që ato ndiejnë përbrenda. Në disa punime mbizotëron ngjyra e zezë, por edhe përshkrimet për njerëzit që i kanë për zemër. “O bir!..”, është përshkrimi në njërin nga punimet mbi të cilin është vizatuar edhe një zemër me të bardhë. Punimet e tjera veçohen për format e ndryshme gjeometrike, forma të çrregullta të njerëzve, lulet e ndryshme, përshirë këtu edhe lulen anemone, e deri të gjallesat ujore. Të gjitha punimet janë në shitje dhe do të qëndrojnë të ekspozuara gjatë gjithë vitit në dyqanin që gjendet tek rruga “Justiniani”, në lagjen “Pejton” te kompleksi i lokaleve prapa Katedrales. Me mjetet që do të grumbullohen synohet të kontribuohet në mbështetje ekonomike të të mbijetuarve të dhunës gjatë luftës së fundit në Kosovë, e që vlerësohet se janë rreth 20 mijë.
Artistja Blerta Syla – Surroi, e cila për dy javë punoi nga afër me këto gra dhe ua mësoi zanatin e artit në qeramikë, ka thënë se pikërisht arti është gjuha më e mirë për të komunikuar. Këtë, sipas saj, e ka dëshmuar edhe kjo punëtori.
Sipas saj, në fillim gratë kanë hezituar që të bëhen pjesë e projektit. Mirëpo kur kanë nisur punën, Syla-Surroi ka thënë se ato janë çliruar aq shumë, saqë kanë harruar edhe hallet e tyre e janë shoqëruar me njëra-tjetrën.
Ngjyrat i kanë lënë mbresa edhe aktores Anisa Ismajli, e cila ishte në kërkim të një dhurate për një mike.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka thënë se ky projekt është shumë kreativ, pasi që dhimbjen dhe rënkimet e grave i kthen në forcë, punë dhe angazhim.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)
{gallery}