Futboll

Supertalenti me lamtumirë emocionale nga Palmeirasi, i bashkohet Chelseat

estevao

Sensacioni i ri i futbollit, Estevao, i dha lamtumirë emocionale skuadrës braziliane Palmeiras. Palmeirasi u mposht 2:1 nga Chelsea në çerekfinale të Kupës së Botës për Klube, që po mbahet në SHBA.

Estevao do t’i bashkohet pikërisht Chelseat pas Botërorit të Klubeve. 18-vjeçari që luan në krah, shënoi gol mahnitës për ta barazuar rezultatin në 1:1. Por mbeti me zemër të thyer kur një autogol i vonshëm e dërgoi Chelsean në gjysmëfinale të Botërorit të Klubeve.

Goli i Estevaos në minutën e 53-të e shfaqi nivelin e jashtëzakonshëm që e ka bërë atë një nga talentet më të mëdha të Brazilit. Në të njëjtën kohë e nxori në pah boshllëkun që do të lërë ai në ekipin e Palmeirasit.

Pasi e mori topin në anën e djathtë të zonës, Estevao e kaloi mbrojtësin e Chelseat, Levi Colwill dhe bëri gjuajtje të pandalshme nga “këndi i vdekur”. Ishte një moment shkëlqimi që i ngjalli për pak kohë shpresat braziliane, pasi Cole Palmer shënoi për Chelsean në pjesën e parë.

“Jam i lumtur që e ndihmova ekipin me golin tim”, tha Estevao, që u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes.

“Fatkeqësisht nuk ishte rezultati që donim, por mendoj se është në rregull. Ne dhamë gjithçka në fushë dhe kjo ka rëndësi në fund.

Adoleshenti e ka lavdëruar trajnerin e Palmeirasit, Abel Ferreira, të cilin e quajti “figurë atërore”. E çmoi kontributin e tij për rritjen si futbollist.

“Trajner, faleminderit shumë për gjithçka”, tha Estevao. “Ai më mësoi të luaj taktikisht dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për mua. Palmeirasi i hapi dyert për mua dhe isha shumë i lumtur këtu. Unë dhe familja ime jemi shumë mirënjohës ndaj klubit, ndaj Abelit dhe ndaj shokëve të ekipit për gjithçka që bënë për mua. Do ta mbaj Palmeirasin në zemrën time përgjithmonë”, ka thënë supertalenti.

Performanca e Estevaos ndaj Chelseat ishte një lamtumirë me “dy anë të medaljes”. Goli i tij tregoi pse ai është kaq i vlerësuar, ndërsa humbja e shënoi fundin e udhëtimit me Palmeirasin.

Emocionet ishin shumë më të thjeshta për trajnerin e Chelseat, Enzo Maresca.

“I lumtur që fituam, i lumtur që ai shënoi. Kështu që ishte një natë e përkryer”, tha Maresca.

Chelsea më herët i kishte siguruar shërbimet e Estevaos. Është raportuar se londinezët paguan 34 milionë euro për talentin brazilian.