Kulturë

“Goca e Kaçanikut” me sallën plot, kthen entuziazmin e premierës edhe në reprizë

Përderisa për premierën e së premtes biletat e nxjerra në shitje janë blerë për dy orë, edhe për ato të reprizës së parë dhe të vetme për këto ditë – me një paralajmërim për rikthim në vjeshtë – ka pasur interesim të madh. Me sallën plot, shfaqja me dy pjesë e tri tablo ka sjellë para publikut rrëfim të para më shumë se një shekulli duke u ndërlidhur edhe me ditët e sotme

Rrallë ngjan që gjysmë ore para ndonjë koncerti të muzikës klasike salla të jetë e mbushur deri në 80 për qind. Për shfaqje operistike situata është ndryshe. Madje edhe në reprizë. Qoftë edhe krejt në periferi të kryeqytetit. Repriza e “Gocës së Kaçanikut” ka ngjarë me premierë. Nuk i ka lënë gjë mangut entuziazmit të një premiere.

Përderisa për premierën e së premtes biletat e nxjerra në shitje janë blerë për dy orë, edhe për ato të reprizës së parë dhe të vetme për këto ditë – me një paralajmërim për rikthim në vjeshtë – ka pasur interesim të madh. Me sallën plot, shfaqja me dy pjesë e tre tablo ka sjellë para publikut rrëfim të para më shumë se një shekulli duke u ndërlidhur edhe me ditët e sotme. Opera si institucion i themeluar në gusht të 2021-s funksionon si agjenci. Janë bërë bashkë solistë e anëtarë të tjerë të Filharmonisë së Kosovës, anëtarë të Baletit Kombëtar të Kosovës, profesionistë të rajonit e koristë të rinj për të shënuar një kapitull të ri në skenën kulturore të vendit: atë të interpretimit të operës së parë të Kosovës, të kompozitorit Rauf Dhomi me libret të Ajmone Dhomit e Jusuf Buxhovit.

Historia që zë fill në dekadën e parë të shekullit të kaluar shkrepave të Kaçanikut la mbajtur publikun me sytë katër për gati dy orë, me rreth 20 minuta pushim midis dy pjesëve. Pafika (Adelina Paloja) prej një vajze që kalon rutinën e një të reje, kthehet në shembull të luftës ndaj armiqve. Përpjekjet e Idriz Seferit në anën lindore të Kosovës për ta çliruar rajonin nga osmanët kthehen në një skenë ku shkaku i kushteve, improvizimi është kryefjalë. Por entuziazmi e bën dallimin.

Image
Midis premierë se reprizës është hapur ekspozitë me imazhet e inskenimit të “Gocës së Kaçanikut” në Tiranë më 1979 (Foto: Arben Llapashtica)

Dirigjenti Edon Ramadani, i cili ka punuar gjatë edhe në partitura, ka thënë se me krejt mungesat infrastrukturore, inskenimi është i veçantë.

“Normalisht që ka shumë mungesa, por është historike”, ka thënë ai. Sipas Ramadanit, interesimi i publikut edhe në reprizë ishte e madh. Ka përmendur planet që në nëntor shfaqja të ketë edhe një reprizë në Prishtinë.

“Është e rëndësishme që po ndërtohet një frymë e re në publik e po ashtu në kor, solistë e orkestër”, ka thënë ai. Sipas Ramadanit, të rinjtë e angazhuar në këtë projekt janë përfituesit më të mëdhenj.

Midis premierës e reprizës është mbajtur një koktej. Ka qenë i shoqëruar me një ekspozitë. Aty kanë zënë vend fotografitë e pamjet e posterëve të vitit 1979 kur Teatri i Operës në Shqipëri kishte inskenuar “Gocën e Kaçanikut”.

E shtuna e tretë e korrikut të vitit 1979 në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë ka qenë e rezervuar për një shfaqje nga Kosova. Për herë të parë, një operë me autor nga Kosova do të jepej në kryeqytetin e Shqipërisë. Të dielën e 22 korrikut të atij viti, ishte dhënë repriza e parë. Ditët e javës dhe bashkë me datat janë i vetmi shënim dore në posterin e asaj kohe që në anën e djathtë mban vulën “Arkivi”. Shfaqja do të dërgonte në Tiranë një fragment historie jo veç të muzikës nga Kosova. Gati 45 vjet më vonë, kjo shfaqje është inskenohet në Kosovë. Për regjisor ka Nikolin Gurakuqin, i cili para gati gjysmë shekulli ishte figurat në shfaqje. Imazhet bardhezi të asaj kanë kthyer nostalgjinë e shfaqjes. Ekspozita e përgatitur nga Rreze Breznica ka bërë që të krahasohen kohët. Por për dallim prej operave botërore që inskenohen gjithandej, “Goca...” nuk qe aq e lehtë.

Dirigjenti Ramadani ka thënë se bëhet fjalë për një produksion, ku nuk ka xhirime, nëpërmjet të cilave, solistët do të mund të shihnin më shumë rolin e tyre.

“Kjo e ka vështirësuar procesin. Por kemi punuar në diçka unike”, ka thënë ai. Si produksion ku barrë të madhe ka pasur anëtari i Këshillit Drejtues të Operës, Dardan Selimaj, “Goca..” ka vënë themelet e inskenimit të operave vendore.

Qenë vitet 1971-1972 kur Rauf Dhomi do ta kompozonte “Gocën...”. Jo pak i emocionuar ka qenë ai të premten, në premierën e operës së tij. Ka kujtuar kohën kur e ka shkruar veprën.

“Kur e kam shkruar operën, kisha dëshirë që tema të jetë kosovare, meqë është edhe opera e parë vendore. Nga të gjithë novelat e romanet, dramat, zgjodha Milto Sotir Gurrën. Doja të ishte nga Shqipëria si autor. Edhe pse fundi i novelës shkon tjetër kah, unë e përshtata për kushtet dhe kërkesat tona. Me dëshirë që do të ekzekutohet këtu, një ditë. Ajo ditë erdhi në vitin 1978, në njëqindvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, por u ekzekutua vetëm në formë koncertale, pra gjysmë, vetëm muzika”, ka kujtuar akademik Dhomi, kompozitori i parë dhe i vetëm i veprave operistike, si dhe themelues i stilit kombëtar të formave vokale-instrumentale.

Muzikën për operën “Goca e Kaçanikut”, kompozitori nisi ta shkruante gjatë studimeve post-diplomatike në Sarajevë, të cilat i përfundoi në vitin 1972, paralelisht kur përfundoi kompozimin për operën e tij të parë. Pos “Gocës...”, ka kompozuar muzikën edhe për operën “Dasma arbëreshe”.

Nëpërmjet artit në shfaqje bëhet thirrje që të luftohet armiqtë. Roli i pafikës fton vajzat që të marrtin fatin e tyre në dorë e të lënë rutinën tradicionale. Ndërsa te “Goca...” tradicionalja bashkë me modernen kanë bërë hapin e madh: atë të inskenimit të operës së parë të Kosovës.