Profesor Gabriele Falcioni nga Konservatori i Peruggias në Itali për tri ditë ka qenë mentor i studentëve për instrumente frymore, përkatësisht korne në Degën e Arteve Muzikore në Fakultetin e Arteve në UP. Koncerti ka qenë finalja e cila ka shpalosur arritjet, harmoninë dhe mundësitë për muzikantët e rinj. Bashkëpunimi me Konservatorin pritet të vazhdojë edhe në Peruggia në të ardhmen e afërt, ku përmes të njëjtit program parashihet shkëmbimi i vazhdueshëm i studentëve, duke ua dhënë kështu edhe mundësinë për ndonjë koncert atje
Puna treditore e studentëve të artit muzikor është “shpaguar” me koncert. Nën mentorimin e profesorit italian, Gabriele Falcioni, nga Konservatori i Peruggias në Itali, studentët e Degës së Arteve Muzikore në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës kanë marrë pjesë tri ditë në masterklasa për instrumente frymore, përkatësisht korne. Bashkëpunimi është realizuar në kuadër të programit “Erasmus+”, teksa të enjten është prezantuar puna e tyre në sallën e koncerteve të këtij Fakulteti. Dymbëdhjetë pjesë janë luajtur nga studentët, solo, kuintet dhe ansambël. Bashkëpunimi me Konservatorin pritet të vazhdojë edhe në Peruggia në të ardhmen e afërt, ku përmes të njëjtit program parashihet shkëmbimi i vazhdueshëm i studentëve, duke ua dhënë kështu edhe mundësinë për ndonjë koncert atje.
Partneriteti mes dy institucioneve ka rezultuar i suksesshëm, studentët kanë mësuar e janë motivuar. Ndërveprimi me njëri-tjetrin është parim bazë për këtë masterklasë e koncerti final e ka dëshmuar këtë. Nën përcjelljen e profesoreshës Artemida Qarri në piano, studentët pjesëmarrës kanë dalë një nga një për performanca të shkurtra.
Art Maqedonci me kornë ka interpretuar kohën e dytë të “Koncertit nr. 4” të Mozartit e Erëza Rexha me trombonë kohën e parë të veprës “Sonata F-dur” të Marcellos. Copëza të veprës “Nocturno Op. 7” të Straussit ka frymuar me kornë Ema Islami, teksa i ka lënë vend Elvisa Krasniqit me trumbetë për të luajtur pjesë nga vepra “Orientale” të kompozitorit Barat. Me kornë, Haris Duli ka luajtur pjesë nga “Concertino” e Ferdinand Dedës, duke shënuar një kthesë me interpretim të një vepre nga një kompozitor shqiptar.
Pianistja Artemida Qarri ka treguar për bashkëpunimin me Konservatorin.
“Është një projekt, i cili është realizuar në kuadër të ‘Erasmus+’, në një bashkëpunim të Fakultetit të Arteve, Departamentit të Muzikës dhe Konservatorit të Peruggias në Itali. Studentët tanë kishin fatin që të kenë një punë të vyeshme me profesorin e kornës, i cili e zhvillon aktivitetin e tij në Konservatorin e Peruggias dhe besoj që ka qenë një bashkëpunim i mirë, një rast i mirë për studentët tanë, të cilët janë në një numër të konsiderueshëm, janë studentë të cilët e duan shumë këtë profesion”, ka thënë ajo duke shprehur besim se mund të ketë akoma më tepër mbështetje kolegiale mes studentëve, duke qenë se është bërë një “punë e shkëlqyeshme” me Falcionin dhe me profesorin Ilir Kodhima, i cili është profesor i kornës në Degën e Arteve Muzikore në UP.
Bashkëpunimet e këtilla përmes masterklasave me profesionistë të huaj janë të rralla në Prishtinë. Mirëpo, ato që bëhen, sipas pianistes, janë shumë të rëndësishme.
“Sigurisht është shumë e rëndësishme, janë raste të veçanta për studentët. Janë ndoshta rastet e vetme këto që mund të bëjnë bashkëpunime studentët tanë me studentët e huaj në cilindo vend të Evropës. Mendoj se duhet të ketë më shumë iniciativa, edhe nga departamentet e tjera për të bërë bashkëpunime të tilla”, ka shtuar profesoresha e pianos, Artemida Qarri.
Ajo ka treguar se interesimi i studentëve është shumë i madh dhe se me vullnet e dëshirë, talentet e reja të muzikës “mund të duken edhe diku tjetër jashtë”, duke krijuar kështu mundësi bashkëpunimi me festivale e me organizim të koncerteve të ndryshme jashtë vendit.
“Tani e kemi radhën që studentët tanë t’i dërgojmë atje dhe ta vazhdojmë këtë bashkëpunim, i cili do të rezultojë me një koncert edhe në Konservatorin e Peruggias”, kanë thënë Qarri me vetëbesim.
Në vazhdën e koncertit është luajtur me trombonë një pjesë nga vepra “Two Spanish Dances” e Ostranskyt nga Era Xhakli, ndjekur nga Diellza Gjini, e cila me kornë e ka interpretuar një pjesë nga “Romance” e kompozitorit Gliere. Koha e parë e veprës “Concerto” nga Straussi është luajtur me interpretim të Samuele Poggit në kornë, teksa kohën e parë të veprës “Koncerti nr. 4” të Mozartit e ka luajtur me kornë Adea Mala.
Kuintet kanë formuar pesë studentë, për ta luajtur pjesën “Cavaleria Rusticana” të Pietro Mascagnit, e ansambël kornesh është formuar për ta luajtur veprën “L’estai dell’oro” të Ennio Moricones. Koncerti është mbyllur me një vepër më interesante, ku tingujt e korneve janë harmonizuar edhe me zëra që lëshoheshin herë pas here. Kënga “Gimme Some Lovin’” nga “Blues Brothers” është interpretuar me instrumente, e krismat e pasthirrmës “hej” janë dëgjuar herë pas here gjatë interpretimit në formë ansambli, dirigjuar nga vetë profesori Falcioni.
Ai ka treguar dallimin mes punës me masterklasa që e bën në Itali e jashtë saj, duke theksuar nevojën për t’i motivuar studentët e rinj.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë për mua, sepse është projekti i parë ‘Erasmus’ për mua jashtë BE-së. Më duket ndryshe këtu në krahasim me Italinë edhe nga ana e organizimit, si dhe sa i përket motivimit. Mirëpo, mendoj se prej secilit student mund të nxirret shumë talent, në qoftë se janë të motivuar, sidomos në këtë periudhë interneti, ku njerëzit rrinë vetëm në telefon apo edhe duke mos u shoqëruar me njerëz të tjerë”, ka thënë Gabriele Falcioni për KOHËN.
Duke e vlerësuar rëndësinë e muzikës, ai ka treguar qëllimin e punës që bën. Përmes këtij bashkëpunimi, ai ka thënë se ofrohet mundësia që në të ardhmen të bëhet punë akoma më e mirë.
“Muzika ka fuqinë e përbashkimit, të përzierjes dhe të aftësisë për t’u përqendruar dhe për t’iu kushtuar vëmendje muzikës dhe projekteve muzikore, për të qenë i lirë përballë ndjenjave që vijnë bashkë me muzikën. Kjo është ajo që dua të gjej dhe për këtë punoj në këtë mënyrë. Koncerti ishte shumë i mirë, studentët janë ndier mirë edhe para koncertit, por edhe gjatë tij dhe mendoj se është shpresë e mirë për të ardhmen, për një bashkëpunim herën tjetër”, ka shtuar ai, duke shprehur frytdhënien e këtij koncerti pas punës treditore.
Ka thënë se të punojë jashtë BE-së është më ndryshe, sepse “procesi shkon shumë më ngadalë, është burokratik dhe jo shumë efektiv në fillim, mirëpo, pasi të nisë, është shumë kollaj dhe e thjeshtë”. Ka treguar edhe gjasat për një bashkëpunim, një lloj pune a koncerti në Konservatorin e Peruggias.
“Këtu e gjeta dikë që mund të bashkëpunoj me të, andaj ka shumë gjasa për një bashkëpunim në të ardhmen dhe jam i lumtur, sepse folëm se si do ta bëjmë atë bashkëpunim dhe mendoj se do të jetë shumë i mirë”, është shprehur ai.