Nancy Denney-Phelps kujton kohën kur në Pejë një birrë kushtonte 50 centë, ndërsa tani për të njëjtën birrë paguan 1 euro. Këtë shembull ajo e përdor për të dëshmuar se ka vite që e viziton këtë qytet. Nuk mohohet fakti se ajo është adhuruese e pijeve alkoolike.
Gjatë intervistës më të, në një nga baret e Pejës, në muajin korrik kur Phelps po qëndronte në Pejë në kuadër të “Anibarit”, ajo tashmë kishte pirë dy gota verë, shkruan sot Koha Ditore.
Banakierët e lokaleve dhe njerëzit e festivalit e njohin atë edhe si “Flokëkuqja”, e cila vjen çdo verë në Pejë. Ka tetë vjet që s’e ka humbur asnjë edicion të festivalit që sivjet shënoi edicionin e dhjetë.
Përveç çmimit të birrës kujton edhe kur kishte ardhur për herë të parë si anëtare e jurisë në edicionin e dytë të “Anibarit”, kur filmat shfaqeshin në një pëlhurë të bardhë në tabelën e koshit të basketbollit e kur themelimi i një akademie të animacionit ishte diçka jashtëtokësore.
“Kur kam ardhur këtu jam mahnitur me punën e Vullnet Sanajës, Rron Bajrit dhe Fiona Petritit, themeluesit e festivalit. Që në fillim kam thënë se ajo që këta njerëz po bëjnë, nuk është vetëm një festival, por po sjellin ndryshim në komunitetin e tyre. Ti japësh një komuniteti që kishte shumë pak, brenda 10 vjetëve, një shkollë të animacionit, kinema dhe punëtori, është shumë”, thotë Denney-Phelps.
Kur flet për Akademinë e Animacionit të hapur nga “Anibari” në Prishtinë dhe në Pejë, ajo thotë se ky veprim nuk është një hap gjigant për botën, por definitivisht, sipas saj, është i tillë për Kosovën. Fjalia e saj aludon në atë që Nail Armstrong kishte thënë në vitin 1969 kur kishte shkelur në Hënë.
Gjyshja e “Anibarit”
Nancy Denney-Phelps është e vetmja mysafire e festivalit që në kartelën e saj, përveç emrit, ka të shkruar edhe “Gjyshja”. Sipas saj, çdokush mund të ketë nipër e mbesa, mirëpo titulli i saj është i veçantë pasi që nuk ka njerëz, ose janë të rrallë ata që janë gjyshja e një festivali.
“A nuk është kjo një mrekulli”, pyet Denney-Phelps duke buzëqeshur e krenare....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)