Galeria “Qahili” është ndër portat e artit vizual të kryeqytetit. Jo thjesht një hapësirë për ekspozim, por edhe njëri prej territoreve kulturore ku ndërthuren kujtesa, identiteti dhe vizioni krijues i kësaj shoqërie. Për 12 vjet, galeria funksionon si ndërmjetësuese midis artistëve e publikut. I ka dhënë puls kulturor Prishtinës edhe gjatë vitit të kaluar, gjë të cilën pritet ta vazhdojë edhe këtë vit.
Drejtuesit janë aktivë edhe jashtë mureve të galerisë që e udhëheqin. Më 8 janar në galerinë “FAB” u hap ekspozita personale e artistit Eshref Qahili me titull “Vija, vazhdimi i pikës”, kuruar nga Nita Qahili dhe Sadik Spahija. Aty qëndron e hapur deri më 19 janar.
Bashkëkuratorja e ekspozitës, Nita Qahili, ka bërë të ditur se kjo ka qenë ekspozita e parë e artistit Eshref Qahili, ku është prezantuar me vizatime.
“Janë 132 vizatime, duke përfshirë edhe skica të vogla, edhe formate shumë më të mëdha. Ka qenë interesante, sepse gjithmonë babi është prezantuar me piktura. Për mua dhe për të vizatimi është baza e gjithçkaje. Ideja ka qenë të prezantohet një tjetër formë e punës që e ka bërë babi, sepse gjithë këto vizatime pastaj janë të transformuara në piktura”, ka thënë ajo, duke ndarë edhe karakteristikat e këtyre veprave.
“Ajo që e bën të dallojë është që në ballë është një pikturë dhe ajo është e vetmja për të treguar lidhjen e vijës, por në të njëjtën kohë vizatimit, ngjyrave dhe se si ndërthuren të gjitha midis vete. Është interesante në këto vizatime që është e pranishme ngjyra. Edhe pse vizatimet i njohim bardhezi, ka vija të ndryshme, dritëhije e lojë, i shohim disa elemente që e di që ato përcillen edhe në pikturë”, ka thënë ajo më tej në emisionin “Express” në KTV, të hënën.
Në fotografitë e publikuara shihet numër i madh i vizitorëve të ekspozitës në ditën e hapjes. Nita Qahili ka bërë të ditur se ngjarja artistike është pritur mirë dhe se ekspozita ka ngjallur mjaft interesim.
Vitin e kaluar galeria “Qahili” e hapi programin më 16 janar me ekspozitën “Arti kallnorit: Buron Kaceli”. Ekspozita “Toka” më 6 maj shënoi 12-vjetorin e galerisë me vepra nga koleksioni i "Qahilit".
Kuratorja Qahili ka thënë se kjo ekspozitë ka qenë ide e mishërimit të tokës me të përditshmen. Teksa është kthyer pas në 12 vjet ekzistencë të galerisë, ka thënë se këto vite kanë shkuar shpejt, por edhe ngadalë, në të njëjtën kohë.
“Ka qenë interesante një përvojë shumë e mirë, sepse kemi arritur të reflektojmë sesi do të donim të shkonin këto 12 vjet. Jo domosdo duhet të bëhen tërë kohën ekspozita, sepse ne gjithmonë kemi menduar t’i bëjmë disa ekspozita, katër a pesë në vit, jo më shumë sepse është e lodhshme sikur për ne, edhe për ata që vijnë të na vizitojnë. Për shkak se galeria nuk është në qendër. Edhe pse Prishtina është rritur tepër shumë. Ka qenë përvojë e mirë dhe e di që gjithë miqtë tanë që kanë ardhur kanë ndarë përvojat e tyre”, është shprehur ajo në “Express”.
E më 1 qershor, në Ditën Botërore të Fëmijëve, në hapësirat e saj u shpalos ekspozita personale e artistit të ri Ernest Kabashi. Më 16 tetor, galeria pikturoi muret e saj me "Jehomorfa" nga Trivet, kuruar nga Mirjana Meçaj, ndërsa në kuadër të programit vjetor të galerisë erdhi "Ndjeshmëria ndaj riformimit" e artistes Merita Selimi-Spahija.
I fundit aktivitet i vitit të kaluar qe ekspozita tradicionale "Hijet e bardha", në kuadër të të cilit erdhën veprat e amerikano-francezit Joseph Jeremiah Langley. Nën titullin “Vizionet poetike të një të verbëri” erdhën veprat e tij me ngjyra të ndezura që reflektonte në përvojën e artistit për nevojën e të përjetuarit me ngjyra kur u verbërua për një vit.
Kjo ekspozitë vazhdon të jetë e hapur deri më 15 janar.
Nita Qahili, e cila e ka kuruar këtë ekspozitë, ka thënë se ngjyrat e ndezura të artistit thyejnë tabu dhe krijojnë kontraste të mëdha.
“Pak si e thyejnë tabunë e përdorimit të ngjyrave më të mbytura, që nuk e kanë atë lloj ndjenje të fosforit kur i sheh. Të t’i çelin sytë. E sheh që diçka pozitive ka aty, janë ngjyra shumë të ndritshme dhe shumë primare ose sekondare të hapura. Krijojnë kontraste të mëdha dhe nëse hyjnë në një ambient me ngjyra të mbytura na bie disponimi, por kur ndodh e kundërta na ndërron disponimi. Kjo reflektohet në punën e tij. Besoj që të gjithë ata që i kanë parë veprat, e kanë parë këtë efekt. E ka njëfarë loje të punës. Duket si art naiv, por nuk është, por e ka dinamikën e vijave ekspresive që krijojnë lojë", ka thënë ajo.
Veprat artistike të ekspozuara aty hyjnë në dialog me shikuesin. E para provokon pyetje, nxit reflektim e krijon përvoja personale. Kësisoj, galeria shndërrohet në kronikë të heshtur, por të fuqishme.
Edhe për artistët e rinj, si hap i parë drejt njohjes publike.
Një ndër aktivitetet e kaluara ka qenë ekspozita me rastin e Epopesë së UÇK-së, më 5, 6 e 7 mars. Sivjet do të përsëritet kjo ngjarje me qëllimin që të bëhet tradicionale.
“Sikur vitin e kaluar, edhe sivjet do të jetë ekspozita për Natën e Zjarreve. Thirrjen do ta hapim me siguri brenda dhjetë ditëve. Vjet ka qenë me punime të babit, ndërsa sivjet është ideja të jetë me gjithë artistët, jo veç me një numër të artistëve. Për mua Nata e Zjarreve është festë shtetërore dhe jo veç një ceremoni që mbahet në Prekaz. Ideja është me Natën e Zjarreve të bëjmë një aktivitet çdo vit”, ka thënë Qahili.
Për programin e këtij viti ka thënë se potencialisht një aktivitet do të mbahet më 6 maj kur shënohet përvjetori i radhës i galerisë ndërsa ekspozita “Hijet e bardha” është paralajmëruar për vitin e ardhshëm.
“Janë edhe disa bashkëpunime të tjera që do t’i bëjmë gjatë vitit, mirëpo në këtë aspekt është pakëz herët për ne të bisedojmë sepse disa gjëra varen edhe prej fondeve, kështu që duhet normalisht të shohim se si do të operojmë. Por ideja është që gjatë këtij viti ne do t’i botojmë edhe 3 a 4 libra për art ku njëra prej tyre janë konceptet kuratoriale që janë bërë ndër vite. Pastaj punime me artistë të koleksionit të Galerisë dhe në të njëjtën kohë është një hulumtim mbi zhvillimin e karrierave të artistëve të Kosovës prej viteve ’40 deri në vitin 2019. Është një punë që është bërë nja tre vjet, por këto vitet e fundit jemi marrë në mënyrë intensive”, ka bërë të ditur Nita Qahili.