Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Fuzz Improv Collective” me lirinë e muzikës së atypëratyshme

“Fuzz Improv Collective” me lirinë e muzikës së atypëratyshme

Me artistë të njohur të skenës muzikore, si Dritëro Nikqi, Ilir Bajri, Arbreshë, Liburn Jupolli, Nesim Maxhuni, Tomor Kuçi, Fisnik Bekolli, Lekë Morina, Lum Tashi, Viola Rrecaj, Vigan Nimani, Makusha, Yllka Simnica, Olti Perjuci dhe Andi Makolli, është krijuar një ansambël i larmishëm që përfaqëson energjinë aktuale të muzikës eksperimentale në vend

I konceptuar si sesion i hapur muzikor, projekti edhe në inaugurim të shtunën mbrëma është dëshmuar si përvojë e papërsëritshme, ku improvizimi bëhet gjuhë e përbashkët mes artistëve dhe publikut. I tillë premton të jetë edhe në vazhdim me, të paktën, një koncert për çdo muaj. Nuk ka qenë një koncert tradicional, por një lloj laboratori i hapur krijimtarie ku muzika lind dhe zhduket në të njëjtën kohë

Projekti “Fuzz Improv Collective” i qendrës për kulturë alternative “Defy Them” në Prishtinë ka ardhur si hapësirë e re për eksperimentim e bashkëpunim midis muzikantësh. Si një lloj ftese e hapur për ata që e shohin muzikën përtej kufijve të paracaktuar nga rregullat e shkruara në partitura. 

I konceptuar si sesion i hapur muzikor, projekti edhe në inaugurim të shtunën mbrëma është dëshmuar si përvojë e papërsëritshme, ku improvizimi bëhet gjuhë e përbashkët mes artistëve dhe publikut. I tillë premton të jetë edhe në vazhdim me, të paktën, një koncert për çdo muaj. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me artistë të njohur të skenës muzikore, si: Dritëro Nikqi, Ilir Bajri, Arbreshë, Liburn Jupolli, Nesim Maxhuni, Tomor Kuçi, Fisnik Bekolli, Lekë Morina, Lum Tashi, Viola Rrecaj, Vigan Nimani, Makusha, Yllka Simnica, Olti Perjuci dhe Andi Makolli, është krijuar një ansambël i larmishëm që përfaqëson energjinë aktuale të muzikës eksperimentale në vend. Lista për emra të tjerë muzikorë është e hapur, siç ka bërë me dije drejtori i “Defy Them”, Kombëtar Ujkani. 

“Ideja është të vjen kushdo që ka dëshirë të vijë, të mos jetë e caktuar. Ne kemi ftuar një numër të caktuar fillimisht, thuaja të gjithë kanë shprehur dëshirë të vijnë. Për herën tjetër me siguri do të ftojmë edhe të tjerë, nuk është e definuar. Ideja e ngjarjes është që të mos jetë shumë e organizuar, por të jetë spontan. Si zhvillohet, si është kërkesa e muzikantëve, ashtu edhe të rrjedhë”, ka thënë ai. 

Sipas tij, ka shumë arsye që kanë shtyrë të bëhet ky projekt, por kryesorja, sipas tij, është të bashkojë muzikantët dhe të nxitet eksperimentimi e bashkëpunimi përmes sesioneve spontane të improvizimit.

“Skena në përgjithësi ka nevojë të shtyjë përpara krijimin e muzikës së re e kjo vjen zakonisht prej eksperimentimit. Prandaj ka lindur ideja për krijimin e këtij sesioni të hapur. Qëllimi është të vazhdojë çdo muaj. I kemi caktuar tri koncertet e para për muajt e ardhshëm. Jemi duke menduar të bëjmë çdo javë punëtori të lidhura, pra që muzikantët e rinj para se të dalin në koncerte të flasin me muzikantë më të vjetër, të marrin këshilla”, ka thënë Ujkani. 

Nuk ka qenë një koncert tradicional, por një lloj laboratori i hapur krijimtarie ku muzika lind dhe zhduket në të njëjtën kohë.

Që në fillim, tingulli i ansamblit është ndërtuar mbi një bazë alternative me përzierje rocku, ku instrumentet me taste në të cilat luanin Ilir Bajri, Liburn Jupolli krijonin një shtresëzim të turbullt e të qëndrueshëm ritmik, ndërsa pjesa tjetër e grupit manovronte lirshëm mbi të. 

Pianisti Ilir Bajri e sheh këtë si një proces komunikimi të drejtpërdrejtë artistik. 

“Është njëfarë loje, secili sjell diçka të veten, secili sjell nga muzika që i pëlqen, që e kultivon, secili e luan pjesën e vet në bisedë me të tjerët. Është shumë e ngjashme me bisedën. Si me fjalë, por në vend të fjalëve – muzikë. Mua më pëlqejnë shumë këto mbledhje për të bërë muzikë me shokë e shoqe. Është muzikë relaksuese, me sa shoh ka goxha interesim nga të dy palët për të vazhduar. Me siguri vazhdon”, ka thënë Bajri. 

Kitara e Tomor Kuçit ka hapur vazhdimisht tema të reja, të cilat shpesh arrinin kulmin dhe më pas shkriheshin gradualisht në njëra-tjetrën, duke e zhvendosur publikun papritur në natyra të reja muzikore.

Kuçi ka bërë me dije se krejt parapërgatitja për koncertin ka qenë kontrollimi i zërimit, ngase të gjithë muzikantët njihen mes vete dhe se kjo u ka ndihmuar në aspektin e improvizimit aty për aty. 

“Për mua ka qenë përvojë e mirë dhe vazhdon të jetë, sepse një kohë të gjatë kam punuar në studio dhe është kënaqësi e llojit tjetër kur bën muzikë live me muzikantë të tjerë. Kahu ka qenë më shumë nga muzika alternative duke eksperimentuar. Mua personalisht më paska marrë malli me ardhë pa plan, mos me ditë se çfarë do të performojmë, thjesht të improvizojmë dhe t’i japim formë muzikës aty për aty”, ka thënë ai. 

Ai ka bërë me dije se planifikon të vazhdojë të jetë pjesë e kastit muzikor të këtij projekti. 

“Ideja e ‘Defy Them’ është që të jetë të paktën një koncert në muaj që fokusohet kah muzika rock alternative, por edhe me një hapësirë thjesht për të eksperimentuar, jomedoemos të jetë e definuar shumë. Plani është që një herë në muaj të jetë një ‘jam sesion’ ta quaj, një sesion improvizimi i natyrës së tillë”, ka thënë kompozitori e muzikanti Tomor Kuçi. 

Ishte performancë ku mungesa e një “frontmani” në bendin e madh të “FUZZ...” nuk krijonte boshllëk. Përkundrazi, barazi. Secili muzikant kishte hapësirën e vet për shprehje, duke ditur saktësisht kur të ndërhynte dhe kur të tërhiqej. Në momentet kur ritmet binin, dilnin në pah shtresëzimet e imëta të tingullit, duke zbuluar ndërtimin e kujdesshëm kolektiv. Ndërthurja e muzikës elektronike nga Viola Rrecaj me tingujt popullorë të dajres së Arbëreshës shtonin një dimension tjetër, duke e bërë përvojën edhe më të shumëllojshme.

Vetë organizatorët e konceptojnë këtë nismë si një platformë të hapur: “FUZZ Improv Collective” synon të krijojë ura mes muzikantëve dhe publikut, duke nxitur eksperimentimin dhe bashkëpunimin përmes sesioneve live, ku kushdo mund të bëhet pjesë, pavarësisht përvojës apo moshës.

Sipas njoftimit nga “Defy Them”, nisma e tyre ka për qëllim t’i ofrojë muzikantët dhe publikun, të nxisë eksperimentimin, improvizimin, bashkëpunimin dhe të krijojë përvojë të re e të këndshme për të gjithë. 

Kjo qe nata e parë e serisë së koncerteve mujore të muzikës jazz nën emërtimin “Fuzz Improv Collective”, duke qenë se të tilla parashihen të vazhdojnë të organizohen. 

“Fuzz Improv Collective” ka ardhur si deklaratë se muzika nuk ka nevojë për strukturë për të qenë kuptimplote. Idetë janë të papritura dhe aty lind magjia nëpërmjet një lloj pasigurie kreative.