Kulturë

Friedman: Sfidë për shqipen është standardi i njësuar

I sjellshëm dhe miqësor, ai flet rrjedhshëm në shqip. Historia e tij me këtë gjuhë fillon para 46 vjetëve, kur nga Shkupi kishte udhëtuar drejt Prishtinës.

Ishte koha kur kishte përvjelë mëngët për disertacionin e tij mbi kategoritë gramatikore të indikativit në maqedonisht. 

Në verën e vitit 1976, si shumë studentë të huaj, ai ishte vendosur në konviktet e studentëve, madje kishte ngrënë edhe te mensa aty afër. Prej Seminarit të Albanologjisë në vitin 1976, shqipja ishte bërë gjuha së cilës do t’i kushtonte studime të panumërta, shkruan sot Koha Ditore.

Sapo ka mbushur 70 vjet, por mosha nuk duket se ia ka mpakur gjallërinë prej studenti. Sot njëri prej profesorëve më të dalluar në Universitetin e Chicagos, Victor Friedman ka prapa veteës një mal studimesh në ballkanologji. 

Dhe bashkë me kontributet e tij renditen vlerësime të njëpasnjëshme: në vitin 1982 ai mori medaljen “1300 Years of Bulgaria” për kontributet e tij në bullgarologji; në vitet 1991 dhe 2003 ai fitoi “Pllakën e artë” nga Universiteti i Shkupit, ndërkohë që më 1994 u bë pjesë e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Maqedonisë. 

Fryt i angazhimeve të Friedmanit, i cili është edhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, janë dhjetëra studime mbi kategoritë gramatikore, kontaktet mes gjuhëve dhe sociolinguistikën. 

Të mërkurën ai ka qëndruar në Prishtinë me rastin e konferencës shkencore “Studimet albanistike në Itali”, ku ka lexuar kumtesën që vlerësonte rolin e albanologut Eric Hamp dhe kërkimet e tij ndër arbëreshët e Italisë. Në një bisedë për “Kohën Ditore”, Friedman ka folur për shqipen, marrëdhëniet e saj në kontekstin ballkanik e prejardhjen e saj. Njësoj si Hamp, edhe Friedman ka pjekur idenë që shqipja ka një afri të ngushtë me ilirishten. 

Me përvojën e tij si analist politik për vendet e ish-Jugosllavisë, profesori që mban në këmishën e tij një kordele të kuqe ka folur edhe për zhvillimet në Ballkan, për gjendjen e “koinesë” letrare shqipe, për gjendjen në Maqedoni e përfytjet politike me Bullgarinë e Greqinë...(Intervistën e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)