Jo rastësisht, edicioni i ngjarjes kulturore më me traditë në Kosovën e pasluftës është hapur me shfaqjen e cila himnizon ikonën franceze Brigitte Bardot. Dyshja Cécile Baudoux dhe Tristan Garnier zbërthen universin e saj. Shpalosja e frankofonisë nuk është tashmë misioni i vetëm i Javës së Frankofonisë në Kosovë. Lidhja e urave të bashkëpunimit ka kohë që është dëshmuar e sivjet fuqizohet edhe me hapjen e Institutit Francez në Prishtinë. Mitrovica në edicionin e sivjetmë është qendra e Javës
Është një çift që ka njëfarë diskutimi pasionesh e përditshmërie në skenë. Pas pak merret vesh se bëhet fjalë për dikë që dëshiron të këndojë e vallëzojë. Është personazhi i një prej francezeve më me nam sa i përket botës së artit: Brigitte Bardot. Dyshja Cécile Baudoux dhe Tristan Garnier para publikut sjell një inskenim që prek deri diku një lloj ndjesie të aktores e këngëtares me nam botëror që tash është 89 vjeçe.
Cécile Baudoux, e cila ka shkruar tekstin e shfaqjes bashkë me Jean-Marie Lecoq, në formë bashkëkohore tenton të sjellë pak nga mendimet e ndjesitë e Bardot. Këndon e shoqëruar me piano a ndonjë instrument. Më pas tregon se ka pasur pasion vallëzimin dhe mbath pontët e një balerine. Realisht Bardot në fëmijërinë e saj është marrë me balet për të dalë më pas në sheshxhirime për disa role ikonike. Te shfaqja “B+B=BB Si Bardot m’était contée” (Nëse do të më thoshin Bardot), dyshja për rreth një orë fut publikun në botën e një gruaje që artit i ka dhënë shumë. Këndimi e vallëzimi janë baza. Thuhet se Bardot ka qenë emocionalisht më e lidhur me këngën sesa aktrimin. Këtë edhe mundohet ta sjellë Cécile Baudoux në mbrëmjen hapëse të edicionit të Javës së Frankofonisë në teatrin “Dodona” në Prishtinë, të enjten mbrëma.
Një prej ngjarjeve më të vjetra në Kosovën e pasluftës sivjet në edicionin e 24-t vjen edhe me një produkt të ri të shtetit francez në Kosovë: Institutin Francez në Prishtinë.
Ngjarja në të cilën ka qenë i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurri, është hapur me fjalën e të ngarkuarit me punë në Ambasadën e Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz. Ai ka thënë se Java e Frankofonisë është para së gjithash një homazh për ndikimin e gjuhës dhe kulturës franceze në botë.
“Gjuha frënge, pavarësisht parashikimeve të nxitura të disave për rënien apo edhe zhdukjen graduale të saj në skenë ndërkombëtare, duket se ka ende shumë interes”, ka thënë ai. Sipas Dietz, në 112 vende dhe territore, frëngjishtja numëron mbi 321 milionë folës, 255 milionë prej të cilëve e përdorin atë çdo ditë. Duke e cituar shkrimtarin bashkëkombës, Norbert Jacques, ka thënë se gjuha frënge është sikur muzika që të flet dhe të bën të ëndërrosh njëkohësisht.
“Gjatë kësaj Jave të Frankofonisë do të kemi mundësinë të festojmë diversitetin frëngjishfolës përmes filmave, ekspozitave dhe momentit të shijimit të ushqimeve...”, ka thënë ai.
Pas këtij fjalimi dyshja e shfaqjes është ngjitur në skenë për t’i dhënë tjetër dimension ceremonisë. Dhe këtë e kanë bërë.
Aktorja Cécile Baudoux ka thënë se ka kohë që të tjerët i thonë se ka zërin sikurse të yllit Bardot. Madje me një sens humori në stilin e tij, kryeministri Albin Kurti ka shkuar përtej kësaj gjatë koktejit.
“Ju e keni zërin sikurse të Bardot, por edhe pak më të mirë”, ka thënë ai.
Baudoux ka kohë që merrte komente të tilla.
“Njerëzit përreth meje me kanë thënë vazhdimisht se zëri im është sikurse ai i Brigitte Bardot dhe duhet të shkruaj një shfaqje për të. Nuk ka kronologji të jetës së saj. Për atë ka qenë shumë e rëndësishme që të këndojë. Nuk i ka dashur edhe aq filmat e aktrimin. Donte të vallëzonte e të këndonte. Për mua ka qenë e rëndësishme që të përcjell shpirtin e kësaj gruaje”, ka thënë ajo. Baudoux në mendjen e saj kishte bluar gjatë se si mund të paraqitej deri diku në “kostumin” e Bardot. Kurse kolegu i saj multi-instrumentist, Tristan Garnier, qe përzgjedhja më e mirë për ta ndërtuar duon.
“Edhe pse ka luajtur në 40 filma nuk i ka dashur ata. Këndimi e kënaqte. Ne jemi marrë me shpirtin e saj. Ne luajmë dy njerëz që janë në universin e saj. E kemi luajtur shfaqjen edhe në Sanint-Tropez para dy javësh përballë bashkëshortit të saj dhe i ka pëlqyer shumë. Na ka thënë se ishte gjë e mençur”, ka thënë Garnier. Dyshja gjatë Javës së Frankofonisë do ta luajë shfaqjen edhe në Mitrovicë, për t’u kthyer me pas me një turne që vazhdon në Francë. Në kuadër të Javës së Frankofonisë që sivjet ka bazën në Mitrovicë do të ketë mbrëmje filmash, ekspozita e muzikë.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ka thënë të jetë tejet krenar që si shtet francez janë pjesë e ngjarjeve kulture qysh në ditët e para të pasluftës.
“Ishim këtu që të ndajmë me qytetarët kulturën tonë në kohë shumë të vështira. Kur shikoj prapa në 25 vjet jam shumë krenar me atë që kanë bërë kolegët dhe njëkohësisht po shikojmë për të ardhmen për 25 vjetët e ardhshëm”, ka thënë ai. Sipas Guérot, gjuha frënge nuk është vetëm e francezëve, por e shumë popujve në pesë kontinente. Shfaqjen e mbrëmjes së parë të Javës së Frankofonisë që vazhdon deri më 27 mars s’e ka përshkruar si produkt bashkëkohor që prek feminizmin. Në ditën e 26-të të këtij muaji, në lagjen “Pejton” në Prishtinë do të hapet Instituti Francez. Do të jetë pak a shumë njëfarë institucioni sikurse Aleanca Franceze.
“Instituti do t’i shërbejë gjithë Kosovës, jo veç me kurse të frëngjishtes, por do të ketë bashkëpunime kulturore gjithandej me kinematografi, muzikë e fusha të tjera. Ne me ambasadë jemi në ‘Arbëri’ dhe tash po zbresim më në brendësi të qytetit dhe do të jetë institut në shërbim të krejt qytetarëve”, ka thënë ambasadori Guérot. Java e Frankofonisë sivjet do të mbyllet me filmin “Rouge” të Farid Bentoumi në “Kino Armata” në Prishtinë.