Koncerti në kuadër të “The Tribute Series” nga qendra për kulturë alternative “Defy Them”, në skenën e kino “Armatës”, ka funksionuar si një rikthim simbolik i Frank Sinatras në Prishtinë, përmes një interpretimi orkestral që ka ruajtur frymën e repertorit origjinal, por edhe përmes një organizimi që ka ndërtuar një rrjedhë të qartë mes festës, nostalgjisë dhe respektit për trashëgiminë muzikore të shekullit të kaluar
Muzika e Frank Sinatras ka gjetur jehonë në Prishtinë, në një mbrëmje koncertale që ka rikthyer në skenë elegancën dhe frymën e një epoke të artë të jazzit amerikan. Koncerti i dedikuar repertorit të Sinatras është mbajtur të mërkurën në kinemanë “Armata”, në vigjilje të Krishtlindjeve, duke e shndërruar hapësirën në një skenë festive ku nostalgjia, ritmi dhe interpretimi orkestral janë ndërthurur në një program dypjesësh.
Ngjarja, e realizuar në kuadër të “The Tribute Series” nga qendra për kulturë alternative “Defy Them”, ka nisur me një pikë hapëse të konceptuar ndryshe nga formati klasik i një nderimi për jazzin. Programi është hapur nga “Instant Jolly Crew”, me Arbër Salihun, të njohur si “La Fazani” dhe Korin e Universitetit për Biznes dhe Teknologji, nën dirigjimin e Lindita Isufit, duke sjellë një repertor të gjerë që ka përfshirë këngë të njohura të muzikës pop, rock dhe asaj festive, të riformësuara për kor dhe ansambël nga Salihu.
Në këtë pjesë të parë, kori dhe “La Fazani”, nën përcjelljen e lojës me piano të Viola Rrecajt, e kanë nisur mbrëmjen duke interpretuar së bashku “Carol of the Bells”. Më pas kanë vazhduar programin me këndimin e këngëve “Creep” nga “Radiohead”, “Can’t Help Falling in Love” të Elvis Presleyt, “In My Life” të “The Beatles”, “Të gjitha rrugët të çojnë në Prishtinë” të grupit “Gjurmët”, “Hajde me shuplakë” të “La Fazanit”, “Smells Like Teen Spirit” nga Nirvana dhe “Happy Christmas (War Is Over)” të John Lennonit. Ky segment ka krijuar një atmosferë festive dhe eklektike, duke e përgatitur publikun për pjesën kryesore të mbrëmjes.
Sipas muzikantit Arbër Salihu, ideja për të hapur koncertin me një kor ka qenë pjesë e konceptit fillestar të organizatorëve.
“Realisht kjo ka qenë ide e ‘Defy Them’ që me pasë një pikë hapëse me kor. Nuk është ditur me cilin kor do të vazhdonim, mirëpo duke qenë se kam një bashkëpunim me UBT-në, se kam studiuar aty, e ftova korin e nivelit Bachelor të UBT-së me në krye profesoreshën Lindita Isufi, të cilët mund të them se më kanë befasuar, jo për diçka se zakonisht kushdo që studion muzikë, ka kapacitet të performojë sende të korit. Më kanë befasuar studentët që kanë ardhur me shumë përkushtim në prova, se shumë vonë kemi nisur të ushtrojmë dhe në këto tetë ditët e fundit i kemi nxjerrë tetë këngë dhe publiku u duk se u kënaq shumë, kështu që jam i lumtur me qysh shkoi nata”, ka thënë muzikanti “La Fazani”.
Pas një pauze, koncerti ka vazhduar me pjesën kryesore, ku në skenë ka dalë “Sinata Jazz Orchestra”, e përbërë nga një ansambël i gjerë instrumental dhe katër solistë vokalë. Në këtë pjesë, fokusi është zhvendosur tërësisht te repertori i Frank Sinatras, duke rikthyer këngë që kanë shënuar historinë e jazzit dhe muzikës popullore amerikane.
Frank Sinatra ka qenë më shumë se një këngëtar i suksesshëm i shekullit të 20-të; ai ka mishëruar një epokë të tërë kulturore, ku muzika jazz, swing dhe baladat urbane janë shndërruar në gjuhë emocionale të brezave. Zëri i tij, i dallueshëm për frazimin elegant dhe aftësinë për të rrëfyer emocione përmes tekstit, ka bërë që këngë si “My Way”, “Fly Me to the Moon” apo “Strangers in the Night” të mbeten pjesë e memories kolektive. Pikërisht kjo trashëgimi, ku muzika lidhet me stilin e jetës, me qytetin, me ndjenjën e nostalgjisë dhe të vetmisë urbane, është rikthyer në skenë edhe në Prishtinë, në një koncert që nuk ka synuar imitimin, por ringjalljen e një fryme që vazhdon të komunikojë me publikun bashkëkohor.
Pjesë e ansamblit kanë qenë Trajce Velkov me trumbetë, Kiril Kuzmanov dhe Dukagjin Muhaxheri me alto saksofon, ndërkaq me tenor saksofon ka luajtur Ivan Ivanov. Armend Xhaferi ka përcjellë natën në interpretim me kitarë e Ilir Bajri me piano. Tensionin ia ka shtuar Liburn Jupolli me organo elektrike, ndërkaq Kiril Tufekcievski ka luajtur me kontrabas e Viktor Filipovski me bateri.
Flutura Çelaj ka interpretuar “All or Nothing at All”, “Let’s Face the Music and Dance” dhe “Strangers in the Night”, ndërsa John Apelgren ka sjellë “Theme from New York, New York”, “Mack the Knife” dhe “I Get a Kick Out of You”. Elsa Raqi ka kënduar “Fly Me to the Moon”, “Begin the Beguine” dhe “Downtown”, ndërsa Enes Bajramliqi ka mbyllur ciklin e këngëve solistike me “The Way You Look Tonight”, “My Way” dhe “That’s Life”.
Solisti John Apelgren e ka cilësuar koncertin si një eksperiencë të veçantë, duke theksuar rikthimin e tij në Prishtinë pas 15 vjetësh.
“Ishte një eksperiencë e mrekullueshme. Para 15 vjetësh kam kënduar një herë në Prishtinë, andaj ishte një vizitë e këndshme përsëri. Publiku ishte brilant, njerëzit ishin shumë të mirë, dukej se u pëlqenin këngët. Bendi ishte i rafinuar, me kombinimin mes kolegëve të mi dhe djemve tuaj. Ishte vërtet e kënaqshme”, ka thënë ai pas përfundimit të koncertit.
Nga ana e organizatorëve, Kombëtar Uskana ka bërë të ditur se ideja për këtë koncert ka qenë në diskutim për disa vite me radhë, por realizimi ka ardhur vetëm sivjet. Ai ka theksuar se data e 24 dhjetorit, ndonëse lidhet me Krishtlindjet, është parë si një moment i përshtatshëm për të sjellë një atmosferë perëndimore përmes muzikës, pa e lidhur ngjarjen me karakter fetar.
“Është një atmosferë e mirë që vjen prej Perëndimit, për atë është muzika me prejardhje prej Perëndimit që kemi pasur qejf ta biem, ta bëjmë dhe e bëmë më në fund”, ka thënë ai,
Ka shtuar se bashkëpunimi me artistët ka ardhur si rezultat i përshtatshmërisë me konceptin e koncertit.
“Kemi diskutuar vazhdimisht me disa artistë, me disa kore dhe kemi përfunduar me këta që janë tash, për arsye se përshtaten edhe me koncept, por edhe gatishmëria e tyre ka qenë goxha e madhe dhe e mirë. Kanë pasur qejf të marrin pjesë dhe vetvetiu u krijua njëfarë sinergjie që u bë bashkëpunimi edhe më i suksesshëm”, ka shtuar Uskana, njëri prej organizatorëve dhe anëtarëve të “Defy Them”.
Koncerti në kino “Armata” ka funksionuar si një rikthim simbolik i Frank Sinatras në Prishtinë, përmes një interpretimi orkestral që ka ruajtur frymën e repertorit origjinal, por edhe përmes një organizimi që ka ndërtuar një rrjedhë të qartë mes festës, nostalgjisë dhe respektit për trashëgiminë muzikore të shekullit të kaluar. Në këtë mënyrë, muzika e Sinatras ka dëshmuar se mbetet e gjallë dhe e komunikueshme edhe për publikun e sotëm, përtej kohës dhe hapësirës ku është krijuar.