Ndarja në trajtimin e studimeve gjuhësore – që doli në pah me Fjalorin e madh të gjuhës shqipe në të cilin s’u përfshi Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës – shkon përtej, bazuar në shpjegimet që japin akademik Mehmet Kraja, kryetar i ASHAK-ut prej vitit 2019 deri në fund të vitit 2025 dhe akademik Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë prej vitit 2019. Akademik Kraja thotë të ketë bërë përpjekje për ta përfshirë ASHAK-un në këtë projekt. Akademik Gjinushi thotë se ftesa për pjesëmarrje në hartimin e Fjalorit iu drejtua të gjithë specialistëve, duke theksuar se projekti ishte një ndërmarrje e përbashkët e ASHSH-së me ASHAK-un
Mospjesëmarrja e gjuhëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në projektin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, ka nxjerrë në pah dallime të mëdha midis akademikëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë në qasjen ndaj parimeve të trajtimit të gjuhës në shumë aspekte. Për gjuhëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pa vënë standardet e leksikut s’mund të kalohej te Fjalori, projekt të cilit i ka prirë Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Por ndarja në trajtimin e studimeve gjuhësore, shkon përtej, bazuar në shpjegimet që japin akademik Mehmet Kraja, kryetar i ASHAK-ut prej vitit 2019 deri në fund të vitit 2025 dhe akademik Skënder Gjinushi, kryetar i ASHSH-së prej vitit 2019.
KOHA, pas publikimit online të Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, ka raportuar se në këtë projekt nuk ka marrë pjesë Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe gjuhëtari, akademik Bardh Rugova ka sqaruar arsyet e mospërfshirjes, sipas të cilit pa përcaktimin e parimeve të punës dhe zgjidhjes së dilemave, kryesisht për çështjen e leksikut, nuk kanë pranuar të përfshihen në projektin e Fjalorit.
Ndarjet në parime të punës do të nisnin qysh në Këshillin Ndërkadamik për Gjuhën, forum i dy akademive që daton prej vitit 2004 dhe ndër vite qe jofunksional edhe pas tentimit për rithemelim më 2020.
Akademik Mehmet Kraja, në krye të herës ka sqaruar se Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe dhe Fjalori i madh i gjuhës shqipe janë dy çështje të ndara dhe nuk mund të përfshihen në një trajtim të përbashkët, as të lidhen mes veti. Ka thënë se Këshilli Ndërakademik për disa vjet me radhë ka trajtuar çështje të ndryshme të standardit të gjuhës shqipe, dhe jo vetëm të leksikut, por edhe të drejtshkrimit, të fjalëformimit, të morfologjisë, të fonetikës e të tjera. Ka shpjeguar se kryesimi i Këshillit, sipas marrëveshjes mes dy akademive, çdo dy vjet ka kaluar nga Prishtina në Tiranë dhe anasjelltas.
“Akademik Rexhep Ismajli ka qenë në krye të Këshillit për një periudhë të gjatë kohore dhe ai, edhe aktualisht, është kryesues i atij Këshilli, tashmë i paqenë. Gjatë procesit të punës së Këshillit kanë dalë në sipërfaqe dallime parimore ndërmjet grupeve të punës Kosovë-Shqipëri, të cilat me të rrallë janë bërë edhe publike: pala e Kosovës, më ‘liberale’, ka kërkuar fleksibilitet më të madh në trajtimin e çështjeve të standardit dhe të normës drejtshkrimore, teksa pala e Shqipërisë, më ‘konservative’, (i fundit në krye të këtij Këshilli ka qenë akademik Et’hem Lika) ka këmbëngulur në ruajtjen e parimeve të drejtshkrimit dhe të standardit në formën themelore, përcaktuar në vitin 1972”, ka thënë akademik Kraja, i cili ka udhëhequr ASHAK-un në 6 vjetët e fundit deri në fund të 2025-tës. Ai ka shpjeguar se meqenëse një numër çështjesh të drejtshkrimit dhe standardit kishin mbetur pezull, më 2020, si kryetar i ASHAK-ut ka kërkuar rithemelimin e Këshillit dhe përfshirjen e tij në programin e bashkëpunimit ndërmjet dy akademive. Por prapë gjërat nuk kishin ecur.
“Por, edhe përkundër insistimit dhe vullnetit të mirë, Këshilli nuk u arrit të riaktivizohet dhe as të përfundojë ndonjë çështje të lënë përgjysmë. Arsye formale u gjet pandemia Covid ‘19, por në të vërtetë asnjëri nga kryesuesit (Lika dhe Ismajli) nuk bënë përpjekjen më të vogël për ta rikthyer Këshillin, as pas përfundimit të pandemisë. Sipas radhës, kryesimin e Këshillit atëbotë e kishte ASHAK dhe Akademia jonë duhej të bënte ftesën për ta mbledhur Këshillin. Kjo ftesë nuk u bë asnjëherë”, ka thënë Kraja. Gjatë shpjegimit të kësaj çështjeje ai ka treguar se ndërkohë, në protokollin e bashkëpunimit të dy akademive për vitet 2018-2020 është përfshirë përgatitja e materialeve të Këshillit Ndërakademik për botim në një vëllim të veçantë. Sipas tij, më pas, në programin e punës të ASHAK-ut për vitin 2019 ishte paraparë botimi i materialeve të Këshillit dhe po në atë vit libri ishte përfshirë në tenderin e shtypit të librave të Akademisë.
“Por, disa vjet më vonë u kërkua të angazhohet një person për krahasimin e teksteve, punë që u krye me pagesë gjatë vitit 2023. Edhe përkundër këtyre angazhimeve, libri me materialet e Këshillit nuk u botua as më 2023 dhe as në vitin 2025. Të angazhuar për ta përgatitur botimin kanë qenë një herë Rexhep Ismajli dhe më pas Bardh Rugova”, ka thënë ai. E ka kategorizuar si të paqëndrueshëm deklarimin e akademik Bardh Rugovës në trajtimin që i ka bërë KOHA ndarjes së dy akademive sa i përket Fjalorit.
“Prandaj konstatimi i Bardh Rugovës se në Këshillin Ndërakademik ‘ishte paraparë të diskutoheshin çështje të leksikut’ dhe se nisja e projektit të Fjalorit të madh të gjuhës shqipe e bëri të panevojshëm Këshillin Ndërakademik nuk qëndron, sepse kur u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit ASHAK-ASHSH, ku qe përfshirë edhe Fjalori (2020), Këshilli kishte disa vite që nuk ishte funksional”, ka thënë Kraja.
Sa i përket asaj që ASHAK-u nuk u bë pjesë e projektit Fjalori i madh i gjuhës shqipe, ka thënë se në cilësinë e kryetarit të Akademisë ka bërë përpjekje për ta përfshirë ASHAK-un në këtë projekt.
“Por kundërshtimi kategorik ka ardhur nga tre gjuhëtarët e Akademisë: Rexhep Ismajli, Bradh Rugova dhe Shkumbin Munishi”, ka thënë ai. Më pas ka shpjeguar kronologjinë. Akademik Kraja ka treguar se në mbledhjen e Kryesisë së Akademisë më 8 shkurt 2021 ka kërkuar që në mbledhjen e radhës të Kuvendit të Akademisë të futen në rend dite “caktimi i grupeve të punës për hartimin e platformave” për Enciklopedinë Shqiptare, për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe dhe për Kuvendin e studimeve albanologjike.
“Por në Kuvendin e Akademisë, i mbajtur më 24 shkurt të po atij viti u kërkua që çështja e këtyre projekteve të kalonte fillimisht nëpër seksione. Më 5 mars 2021 u mbajt mbledhja e Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë së ASHAK-ut, në të cilën u shqyrtua çështja e hartimit të këtyre tri platformave. Në procesverbalin e asaj mbledhjeje qëndron e shkruar: ‘R. Ismajli, B. Rugova dhe Sh. Munishi u propozuan përfaqësues të Seksionit për pjesëmarrje në grupin punues për hartimin e platformës për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe’”, ka thënë Kraja. Por pikërisht atë muaj, sipas Krajës, situata ndryshoi.
“Po atë muaj, pra në mars 2021 (pa datë), tre anëtarët e Seksionit, me një letër të gjatë shpjegojnë arsyet pse Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i ASHAK-ut nuk mund të jetë i përfshirë në këtë projekt, për shkak të një numër ‘paqartësish lidhur me bartësin, e elementet e tjera të veçuara’. Por, tre gjuhëtarët e ASHAK-ut kishin lënë në harresë faktin se ata ishin caktuar të përfshiheshin në grupin e punës për hartimin e platformës (pra, jo për ta pranuar platformën e propozuar nga ASHSH, por për ta ndryshuar atë, kudo që kishte nevojë) dhe se platforma e re do ta përcaktonte qartë edhe bartësin, edhe metodologjinë e punës, edhe afatet kohore, edhe projeksionin financiar etj.”, ka thënë Kraja. Shpjegimin e ka çuar edhe më tej.
“Thënë me një fjalë, një propozim-platformë, sido që të jetë e shkruar, kur të lihet mundësia për ta ndryshuar atë, nuk mund të jetë arsye e mjaftueshme për ta braktisur projektin. Duhet të ketë pasur arsye të tjera, për të cilat unë nuk kam qenë në dijeni”, ka thënë ai. Për ta elaboruar këtë ka marrë një shembull konkret.
“E ngjashme me platformën e Fjalorit, të cilën e kishte dërguar Akademia e Shqipërisë ishte edhe platforma e Enciklopedisë shqiptare, por përfshirja e një grupi të punës të ASHAK-ut e ndryshoi atë në mënyrë thelbësore dhe ajo, pra Enciklopedia shqiptare, tani është në procesin e realizimit të përbashkët pa asnjë pengesë”, ka përfunduar akademik Mehmet Kraja.
Për këtë temë, KOHA ka kërkuar sqarime në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Ky institucion nuk është përgjigjur nëpërmjet postës elektronike. Pas një bisede nëpërmjet linjës telefonike me kryetarin e ASHSH, akademik Skënder Gjinushin, ai i ka dërguar sqarimet e tij me shkrim. Sipas akademik Gjinushit, tre projektet madhore në albanologji – Historia e shqiptarëve, Fjalori i madh dhe Enciklopedia – janë ndërmarrë në konsultim dhe në bashkëpunim me ASHAK-un dhe këto projekte morën mbështetjen e të dy Asambleve të Akademive përkatëse, të cilat i miratuan në parim me vendim.
“Sigurisht kur u ndërmor kjo nismë, u bë e qartë se nuk ishin Akademitë ato që do t’i hartonin vetë, por ato merrnin përsipër organizimin, koordinimin, ndjekjen deri në realizimin e projekteve, si dhe sigurimin e mbështetjes financiare. Ndërkaq, shkalla e aktivizimit të vetë akademikëve në projekte do të varej nga mundësitë, specifikat dhe dëshirat e secilit individ”, ka thënë ai. Sipas Gjinushit, për të siguruar financimin, u kërkua të kishte një marrëveshje ndërqeveritare mes dy qeverive, veçanërisht për Enciklopedinë, e cila kërkonte shpenzime më të mëdha dhe afatgjata. Ka shpjeguar se marrëveshja u miratua në një mbledhje të përbashkët të dy qeverive në Prishtinë.
“Më tej, ftesa për pjesëmarrje në hartimin e Fjalorit iu drejtua të gjithë specialistëve, duke theksuar se projekti ishte një ndërmarrje e përbashkët e ASHSH-së me ASHAK-un. Edhe në Protokollin e Përbashkët 2024–2025, Enciklopedia dhe Fjalori janë pjesë e tij. Theksojmë se që në fillim, për Fjalorin, është bërë e qartë shkalla e përfshirjes direkte të secilës Akademi, e cila lidhej dhe kushtëzohej me profilizimin, ngarkesën dhe dëshirën e akademikëve të veçantë. Pra, përgjegjësia dhe mbështetja institucionale nuk duhej ngatërruar me ato personale. Kjo vlente edhe për institutet dhe universitetet”, ka thënë akademik Gjinushi. Ka falënderuar të gjitha institucionet bashkëpunuese në Kosovë e Shqipëri, që e mbështetën dhe morën pjesë me specialistët e tyre më të mirë në hartimin e kësaj vepre madhore, duke besuar në këtë nismë të dy akademive.
“Fjalori i madh është një pasuri kombëtare, një dëshmi e begatisë së gjuhës sonë – si të asaj letrare, ashtu edhe të asaj dialektore – dhe një mjet për t’i evidentuar dhe përdorur me vlerë këto pasuri”, ka thënë ai.
Pa përfshirjen e gjuhëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, redaksia e Fjalorit përbëhet nga: akademik Jani Thomai si kryeredaktor, akademik Valter Memisha në cilësinë e zëvendëskryeredaktorit dhe sekretarit shkencor, Shezai Rrokaj, po ashtu si zëvendëskryeredaktor dhe anëtarët: Dhimitër (Miço) Samara, Shefkije Islamaj, akademik Gjo¬valin Shkurtaj, Ali Jashari, Anila Omari dhe Anila Kananaj.