Filmi dokumentar “Palace of Youth”, i cili përqendrohet te të rinjtë kreativë të Kosovës, do të ketë premierën sonte në edicionin e sivjetmë të festivalit te filmit “DokuFest”. Ky projekt është realizuar pas vitesh punë dhe një nga producentët ekzekutive të tij është këngëtarja e njohur me prejardhje nga Kosova, Rita Ora.
“Në momentin që Odessa, Maddie dhe ekipi ma prezantuan këtë projekt, menjëherë pranova të jem pjesë. Ishte një mundësi për të ndriçuar talentin e jashtëzakonshëm të të rinjve në Kosovë, vend ku mbi 55% e popullsisë është nën moshën 25-vjeçare”, ka shkruar shqiptarja me famë botërore në Instagram.
Përmes muzikës, filmi sjell tregime personale të të rinjve, me gjithë sfidat, rrëfimet dhe sukseset e tyre. Në projekt marrin pjesë artistë si Suada Abazi, Edona Vatoci, Lekë Morina dhe Donat Vatoci.
Filmi është drejtuar nga Maddie Gwinn dhe prodhuar nga Mitch Dickman, Bettina Morlock, Igor Dovgal, Leart Rama dhe vetë Gwinn. Përveç Orës, producentë ekzekutivë janë edhe Shane Boris dhe Odessa Rae.
“Palace of Youth” është një bashkëprodhim mes Tragicomedia, Essence Film dhe Katarzë Films.
