Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Filmat në Cannes sivjet reflektuan botën në konflikt

cannes

Me luftën e Rusisë kundër Ukrainës si sfond, personalja dhe politikja ndërthuren në “Minotaur”

Filmat e luftës, si të gjithë filmat historikë, në fakt flasin për të tashmen. Rritja e ekstremit të djathtë në gjithë Evropën i ka shqetësuar kineastët evropianë dhe ata po kthehen tek e kaluara për të gjetur përgjigje, për të treguar histori mbi mënyrën se si një komb bie pre e fashizmit dhe si sillen njerëzit nën një regjim autoritar: disa me guxim e heroizëm, të tjerë në mënyrë të ulët dhe egoiste. Këta filma fokusohen te dëmi që lufta i shkakton psikikës, te trauma historike që u shkaktohet atyre që marrin pjesë në vrasje dhe atyre që zgjedhin të kthejnë kokën mënjanë

Festivali i Filmit në Cannes këtë vit duket se e kishte luftën në mendje. Një numër i jashtëzakonshëm filmash në festivalin e këtij viti trajtuan përvojën e jetës gjatë kohës së luftës.

Në dramën belge për Luftën e Parë Botërore “Coward” të Lukas Dhont, ushtarë të rinj në llogore përballen me idetë e heroizmit dhe maskulinitetit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Visitation”, filmi më i fundit nga Volker Schlöndorff (The Tin Drum), vazhdon obsesionin e regjisorit gjerman me Luftën e Dytë Botërore dhe pasojat e saj, duke ndjekur fatin e tri familjeve që jetojnë pranë një liqeni afër Berlinit përgjatë dekadave të historisë së trazuar, nga ngritja e Adolf Hitlerit deri te rënia e Murit të Berlinit.

Dy filma francezë – “Moulin” dhe “De Gaulle: Tilting Iron” –trajtojnë rezistencën franceze ndaj pushtimit nazist, ndërsa një tjetër film, “A Man of His Time”, hedh një vështrim të rrallë mbi bashkëpunimin francez gjatë luftës.

Këta filma, si të gjithë filmat historikë, në fakt flasin për të tashmen. Rritja e ekstremit të djathtë në gjithë Evropën i ka shqetësuar kineastët evropianë dhe ata po kthehen tek e kaluara për të gjetur përgjigje, për të treguar histori mbi mënyrën se si një komb bie pre e fashizmit dhe si sillen njerëzit nën një regjim autoritar: disa me guxim e heroizëm, të tjerë në mënyrë të ulët dhe egoiste.

Këta filma fokusohen te dëmi që lufta i shkakton psikikës, te trauma historike që u shkaktohet atyre që marrin pjesë në vrasje dhe atyre që zgjedhin të kthejnë kokën mënjanë.

Nga filmat për luftën, “A Man of His Time”, nga regjisori Emmanuel Marre, është më origjinali dhe më tronditësi.

Në pamje të parë një film i periudhës, ai është xhiruar si një film i ashpër, me të rinj në të 20-tat të veshur me kostume të vjetra, që flasin dhe sillen si brezi “Gen Z”, ndërsa i përkulen autoritetit nazist për të përparuar në jetë.

Swann Arlaud, i cili luajti avokatin e Sandra Hüller në filmin e nominuar për “Oscar” “Anatomy of a Fall”, interpreton një autor të panjohur dhe një ngjitës social të pamëshirshëm, i vendosur të bëjë karrierë në burokracinë naziste. Marre e ka bazuar personazhin te stërgjyshi i tij, i cili zgjodhi të punonte për regjimin fashist të Vichyt.

Qasja moderne e regjisorit ndaj kësaj historie historike mund të jetë tronditëse – duke futur hite të viteve ’80 si “Life is Life” nga Opus apo “Sounds like a Melody” nga Alphaville mbi pamje të viteve ’40 – por mesazhi i tij mbi banalitetin dhe ligësinë e së keqes nuk mund të ishte më aktual.

“Fatherland” i Pawel Pawlikowski është një film pasluftës.

Drama në gjuhën gjermane nga regjisori polak i “Ida” dhe “Cold War” ndjek Thomas Mann, shkrimtarin gjerman fitues të Çmimit Nobel, dhe vajzën e tij, shkrimtaren dhe aktivisten antifashiste, Erika Mann, teksa nisen në një udhëtim nëpër Gjermaninë e ndarë gjatë Luftës së Ftohtë.

Thomas Mann është i etur të sigurojë trashëgiminë e tij letrare në “Gjermaninë e re” (si Lindore ashtu edhe Perëndimore), duke argumentuar se bukuria e artit dhe letërsisë gjermane mund të mbijetojë përtej tmerreve të Holokaustit. Erika mendon se fjalitë e bukura të të atit janë thjesht një perde që fsheh realitetin e shëmtuar të një qytetërimi që është bërë monstruoz.

“Minotaur”, nga regjisori rus në mërgim Andrey Zvyagintsev, është një nga të paktët filma në Kanë këtë vit që përballet drejtpërdrejt me një konflikt modern.

Thrilleri politik ndjek në dukje një biznesmen të korruptuar që zbulon se gruaja e tij e ka tradhtuar dhe gjurmon dashnorin e saj për t’u përballur me të. (Është një adaptim i lirë i filmit të Claude Chabrol “The Unfaithful Wife” nga viti 1969.)

Por historia zhvillohet në sfondin e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. Biznesmeni ngarkohet të furnizojë ushtrinë me burra nga punonjësit e tij për mobilizim, duke e ditur se ata do të jenë mish për top. Ai ka gjak në duar shumë përpara se të gjejë dashnorin e gruas dhe – në një skenë të tmerrshme por mjeshtërore në stilin e Hitchcock – e vret atë.

Duke qenë se kjo është Rusia e Putinit, një bisedë e shkurtër me kryetarin e bashkisë mjafton që hetimi për vrasjen të mbulohet shpejt. Ekzekutivi kthehet në jetën e tij të rehatshme, ndërsa gruaja e tij mbetet e bllokuar – si edhe qytetarët e tjerë rusë, siç duket sugjeron Zvyagintsev – në përqafimin e zotërisë së saj patriarkal.

“Minotaur” është filmi i parë i Zvyagintsev i realizuar jashtë Rusisë dhe i pari pas rikuperimit nga një rast pothuajse fatal i COVID-19 që e la të bllokuar në një spital në Hanover, Gjermani, me 90 për qind dëmtim të mushkërive dhe pa mundësi për të lëvizur apo ndier gjymtyrët për muaj të tërë. Është gjithashtu filmi i tij më hapur politik.

Kushdo që nuk i ka vënë re kritikat më të holla ndaj korrupsionit institucional në dy filmat e fundit të regjisorit – “Leviathan” (2014) dhe “Loveless” (2017) – duhet të jetë qëllimisht i verbër për të mos parë sulmin e tij të drejtpërdrejtë ndaj regjimit të Putinit këtu, si dhe ndaj bashkëfajësisë së atyre brenda vendit që mbyllin sytë ndërsa vrasjet kryhen në emrin e tyre.

Ishte një nga filmat më të fuqishëm dhe më të rëndësishëm të Cannes këtë vit.

Por sivjet për të dytën herë në karrierë, regjisori rumun Cristian Mungiu ka fituar “Palmën e Artë” në Festivalin e Filmit në Cannes. Kësaj here me “Fjord”, pas triumfit të tij paraprak në festivalin prestigjioz me filmin “4 Months, 3 Weeks and 2 Days” më 2007. Filmi më i mirë i edicionit të sivjetmë trajton përplasjen e vlerave tradicionale fetare me ato progresive dhe kufijtë midis lirisë personale dhe kërkesës së shoqërisë për konformizëm. 

Nga kritika është vlerësuar si sagë e mençur ligjore dhe familjare, fort komplekse dhe që shkon përtej përgjigjeve të thjeshta. Konfirmimi kulmues i këtyre vlerësimeve për filmin ka qenë ceremonia e ndarjes së çmimeve e Festivalit të Filmit në Cannes, të shtunën mbrëma kur edhe janë ndarë çmimet për të mbyllur maratonën 12-ditore të një prej festivaleve më të rëndësishme në botën e filmit.

Pasi ka pranuar çmimin, regjisori rumun i është referuar gjendjes politike në botë.

“Gjendja e botës nuk është më e mira sot. Nuk jam krenar për atë që ua lëmë fëmijëve tanë”, është shprehur regjisori Cristian Mungiu, në fjalën e tij pasi mori çmimin.