Me koncertet e saj, Filharmonia i ka mundësuar publikut të saj të takohet me veprat më të mëdha të muzikës botërore e të njihet me krijimtarinë vendore. Si urë lidhëse midis traditës e modernes, Kosovës e botës. Gjatë vitit të kaluar, Filharmonia ka lëvizur në Bernë, Sofje, Hamburg, Romë e në vendet e rajonit. Qe festë më vete gjatë tërë vitit pasi u shënua 25-vjetori i themelimit të institucionit. Sivjet pos rritjes artistike ka në plan edhe koncertet në Berlin, Varshavë e qendra të tjera
Filharmonia e Kosovës përtej një institucioni muzikës është shtyllë e identitetit kulturor dhe shpirtëror të vendit. Gjatë historisë së saj e edhe përgjatë vitit të kaluar i cili konsiderohet i suksesshëm, ka dëshmuar se arti nuk njeh kufij, e as pengesa historike. Po vazhdon ta afirmojë zërin e vet në skenën ndërkombëtare e ky ritëm pritet ta përcjellë edhe përgjatë 2026-s.
Koncertet e Filharmonisë, pavarësisht kushteve, shpërfaqin profesionalizmin e anëtarëve të saj dhe kualitetin e programeve të zgjedhura. Publiku ka qenë në secilin prej tyre edhe përgjatë gjithë vitit të kaluar. Njoftimet e institucionit në rrjete sociale për secilin koncert kanë qenë ato që “të gjitha ulëset janë rezervuar...”.
Por kjo nuk ka ngjarë për shkak të traditës për të ndjekur një koncert të muzikës klasike, ndonëse institucioni, midis tjerash, krijon hapësirë edhe për edukim estetik. Por në Kosovën e më shumë se një çerekshekulli në liri, institucioni improvizon me hapësirat e shfrytëzuara deri më tash, për raste të veçanta duke u zhvendosur në salla private e që as ato nuk plotësojnë kushtet, pasi nuk janë të destinuara për ngjarje të tilla.
Me koncertet e saj, Filharmonia i ka mundësuar publikut të saj të takohet me veprat më të mëdha të muzikës botërore e të njihet me krijimtarinë vendore. Si urë lidhëse midis traditës e modernes, Kosovës e botës. Gjatë vitit të kaluar, Filharmonia ka lëvizur në Bernë, Sofje, Hamburg, Romë e në vendet e rajonit. Qe festë më vete gjatë tërë vitit pasi u shënua 25-vjetori i themelimit të institucionit.
Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se programet e institucionit kanë pasur theksin në veprat vokalo-instrumentale duke prezantuar gjithë kapacitetet e tij.
“Viti i kaluar ka qenë jashtëzakonisht dinamik, edhe për faktin se kemi dashur që 25-vjetorin e themelimit të institucionit ta shënojmë gjatë gjithë vitit. Konsideroj se ky jubile përbën një arritje të rëndësishme për skenën kulturore të Kosovës. Ka pasur theks të veçantë në veprat vokalo-instrumentale, për të shpërfaqur kapacitetet e orkestrës dhe të korit, dhe synimi ynë është që këtë ritëm dhe intensitet artistik ta mbajmë edhe në vazhdimësi”, ka thënë Selimaj në një përgjigje për KOHËN.
I njëjti ritëm me aktivitete e prezantime ndërkombëtare, Selimaj ka bërë të ditur se do të vazhdojë edhe këtë vit. Bota e muzikës klasike hapet për sivjet me koncertin e 23 janarit në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve. Selimaj e konsideron programin e këtij koncerti si sfidues derisa shprehet jashtëzakonisht i lumtur që orkestra do të ketë mundësi të shpërfaqë rritjen e saj artistike.
“Koncerti i parë i vitit është një program sfidues dhe jam jashtëzakonisht i lumtur që orkestra do të ketë mundësinë të shpërfaqë rritjen e saj artistike. Koncerti do të drejtohet nga Marco Crispo, një dirigjent me të cilin orkestra ka pasur një përvojë shumë pozitive nga bashkëpunimi i vitit të kaluar. Në program, përveç ‘Zogut të Zjarrtë’ nga Igor Stravinsky (Suita 1919), do të kemi kënaqësinë të performojmë me flautisten Iris Daveiro, flautistja e parë e Operës së Parisit. Po ashtu, do të rikthejmë poemën simfonike të kompozitorit Fahri Beqiri, në vitin kur ai do të shënonte 90-vjetorin e lindjes, duke e përkujtuar njëkohësisht edhe në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta”, ka thënë ai duke shpalosur një pjesë të programit të koncertit të parë të Filharmonisë për sivjet.
Jehona e muzikës së Filharmonisë nis që në muajt e parë të vitit. Fokusi i sivjetmë do të jetë debutimi në Filharmoninë e Berlinit më 31 mars. Selimaj ka shpalosur programin e këtij koncerti për të cilin ka bërë të ditur se fillimisht do ta dëgjojë publiku vendas.
“Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës do të bashkohen me ‘Konzertchor Münster’ dhe ‘Choralspace Festival Choir’, të cilët janë partnerë të projektit. Koncerti do të dirigjohet nga Marion Wood. Në program do të interpretohen: Antonín Dvořák – ‘Stabat Mater, op. 58’; Valton Beqiri – ‘Ballin Lart’; Robert Schumann – ‘Requiem für Mignon, op. 98’. I njëjti koncert do të mbahet edhe në Prishtinë më 20 mars 2026 përpara prezantimit në Berlin”, ka bërë të ditur ai.
Filharmonia sikurse vitin e kaluar e edhe sivjet pritet të lëviz midis Sallës së Kuqe dhe Atelisë, hapësira që i ndan një korridor, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve.
“Si Atelieja, ashtu edhe Salla e Kuqe i kanë përparësitë dhe mangësitë e veta – ne do të operojmë në ato hapësira varësisht nga programi që e interpretojmë”, ka thënë Selimaj.
Por prezantimet ndërkombëtare nisin edhe më herët. Më 26 shkurt nis seria e koncerteve në Varshavë.
“I pari do të mbahet më 26 shkurt në Varshavë, ku do të performojë Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Edon Ramadanit. Programi do të përfshijë kryesisht vepra të kompozitorëve shqiptarë, si dhe një vepër nga kompozitori polak Henryk Górecki. Koncerti do të mbahet në Sallën e Koncerteve ‘Fryderyk Chopin’, në Akademinë e Muzikës në Varshavë, në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Poloni. Ndërkohë, në pjesën e dytë të vitit parashihen disa koncerte me formacion të madh vokalo-instrumental në disa qytete polake dhe me dirigjentin polak Wojciech Czepiel”, ka bërë të ditur Selimaj.
Në Poloni, Filharmonia do të lëvizë disa herë si rrjedhojë e një cikli bashkëpunimesh midis dy shteteve. Në fund të vitit, ky bashkëpunim kulmon me një festival - Festivali i Muzikës Polake në Prishtinë – që i kushtohet kulturës muzikore të të dy vendeve.
“Festivali i Muzikës Polake në Prishtinë është një iniciativë që do të realizohet në bashkëpunim me dirigjentin polak, Wojciech Semerau-Siemianowski dhe Ambasadën e Kosovës në Poloni. Festivali do të zhvillohet në disa ditë dhe do të kulmojë me një koncert simfonik të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, në bashkëpunim me artistë nga Poloni”, ka bërë të ditur zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj.
Me gjithë këto aktivitete të saj, Filharmonia e Kosovës e forcon imazhin e shtetit dhe zhvillon atë që njihet si diplomaci kulturore. Si përherë, këtë ritëm e traditë e mban edhe sivjet, me gjithë kapitujt e saj që priten të zbulohen përgjatë një viti plot me muzikë klasike.