Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Filharmonia pret gjashtë instrumentistë, Orkestra ende e paplotësuar

Filharmonia e Kosovës

Filharmonia e Kosovës në zhvillim të përhershëm është një lloj laboratori i cilësisë muzikore në Kosovë. Orkestra e saj është imazhi i grumbullimit të skenës muzikore në një formacion. Pos kritereve, audicioni do të jetë vendimtar për instrumentistët që ia mësyjnë t’i bashkohen Filharmonisë (Foto: Driton Paçarada)

Gjashtë instrumentistë kanë shans t’i bashkohen Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, por edhe me këtë zgjerim, seksioni i harqeve ka nevojë të plotësohet ende. Pozita janë hapur për dy violinistë, një violist, një kontrabasist dhe dy violonçela, njëri prej të cilëve udhëheqës i violonçelave. Duke qenë se Filharmonia angazhon edhe bashkëpunëtorë të jashtëm për koncertet që realizon, konkursi që vjen pas shumë vjetësh është mundësi ideale që përvoja e tyre të shkrihet në pozitën e anëtarit të rregullt, megjithatë konkursi është i hapur për të gjithë. Një konkurs si ky konsiderohet si hap me peshë për institucionin që është në ngritje të përhershme

Si institucion që përherë synon rritjen profesionale me vepra sfiduese e prezantime ndërkombëtare, në këtë drejtim Filharmonia e Kosovës ka hapur konkurs për të zgjeruar Orkestrën. Janë gjashtë pozita të lira që synohet të plotësohen, por të cilat sërish nuk e kompletojnë formacionin.

Filharmonia në zhvillim të përhershëm është një lloj laboratori i cilësisë muzikore në Kosovë. Orkestra e saj është imazhi i grumbullimit të skenës muzikore në një formacion. Por kompletimi i saj shihet jetik dhe vendi ka shumë të rinj që presin të sistemohen, ndonëse formësohen në një hapësirë ku kërkohen disiplinë, saktësi dhe përkushtim maksimal.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se edhe me zgjerimin e formacionit me gjashtë instrumentistë, prapë seksioni i harqeve mbetet i paplotësuar.

“Seksioni i harkoreve është i paplotësuar, madje edhe në këtë fazë nuk arrijmë ta kompletojmë dhe shpresojmë ta kompletojmë në të ardhmen”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk ka instrumentistë të rregullt të cilët janë pensionuar ose e kanë ndërprerë punën.

Pozita janë hapur për dy violinistë, një violist, një kontrabasist dhe dy violonçelistë, njëri prej të cilëve udhëheqës i violonçelave. Prej këtij viti nga kjo pozitë është tërhequr violonçelisti Antonio Gashi.

“Violonçelisti Antonio Gashi ka qenë i angazhuar në pozitën e violonçelit të parë. Meqë ai është profesor në Filharmoni, nuk ka qenë i rregullt dhe nga ky vit z. Gashi nuk e ka vazhduar bashkëpunimin”, ka bërë me dije Selimaj në një përgjigje me shkrim për KOHËN.

Duke qenë se Filharmonia angazhon edhe bashkëpunëtorë të jashtëm për koncertet që realizon, konkursi që vjen pas shumë vjetësh është mundësi ideale që përvoja e tyre të shkrihet në pozitën e anëtarit të rregullt. Megjithatë, konkursi është i hapur për të gjithë muzikantët.

“Konkursi është i hapur për të gjithë dhe nuk është i kufizuar te bashkëpunëtorët. Pra, të drejtë aplikimi kanë të gjithë ata që i plotësojnë kriteret e përfshira në konkurs dhe rangohen të parët në audicion”, është shprehur Selimaj.

Për violonçelistin e parë potencial detyrat përfshijnë mbikëqyrjen dhe kujdesin e zhvillimit të seksionit të violonçelave, interpretimin në koncertet e Orkestrës, pjesëmarrjen në provat e rregullta ditore në kohëzgjatje prej katër orësh dhe, siç shkruhet te pjesa e detyrave dhe përgjegjësive në konkurs, pjesëmarrjen në realizimin e së paku tri koncerteve gjatë muajit.

Ndërsa midis kritereve janë: të jetë shtetas i Kosovës, të ketë përvojën e punës profesionale dhe aftësi të kërkuara për pozitë dhe të kalojë me sukses procedurat e pranimit.

Detyrat e kriteret janë të njëjta për secilin instrument, pos që përgjegjësia shtohet për pozitën e violonçelistit të parë. Edhe kërkesat janë të përbashkëta: të posedojë aftësi të avancuara profesionale të interpretimit instrumental, të ketë përvojë të dëshmuar në interpretimin orkestral, të demonstrojë aftësi të mira bashkëpunimi me ansambël dhe nivel të lartë të disiplinës e përgjegjësisë profesionale, si dhe të ketë njohuri të gjera të repertorit orkestral dhe aftësi për interpretim në stile të ndryshme muzikore.

Të interesuarit për t’iu bashkuar Filharmonisë së Kosovës do t’i nënshtrohen audicionit. Një përzgjedhje e komisionit i çon një numër të tyre në raundin e dytë të audicionit për vlerësim për të interpretuar në përcjellje nga pianoja.

Literatura e nevojshme përfshin koncerte nga Mozart, Bartok, Mendelssohn, Sibelius, simfonitë nga Beethoven, Brahms, Mahler, Bruckner, vepra nga Tchaikovsky, Haydn, Debussy dhe vepra të tjera nga kompozitorë të shquar botërorë.

“Ato janë pjesë e literaturës standarde që duhet të kalohen nga kandidatët që synojnë pozitat e tilla. Është në harmoni me praktika të orkestrave evropiane, por u përshtatet rrethanave tona”, ka thënë Selimaj.

Ka bërë me dije se konkursi do të incizohet për shkak të transparencës derisa pret interesim të madh për këtë konkurs.

“E besoj se interesimi do të jetë i madh dhe presim që orkestrës t’i bashkohen gjashtë instrumentistë që do të plotësojnë organikën e institucionit dhe do të japin kontributin e tyre në zhvillimin e mëtejshëm”, ka thënë Selimaj.

Konkursi është hapur më 3 prill dhe qëndron i tillë për plot një muaj, deri më 3 maj.

Kompozitori e profesori në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, Valton Beqiri, ka thënë se ky konkurs është mundësi për shumë të diplomuar që ende nuk janë sistemuar në tregun e punës.

“Ka mjaft studentë që kanë diplomuar e që nuk janë të sistemuar. Mundësia e tyre e punësimit është në edukim, në arsim, dhe në orkestra të institucioneve kulturore. Meqenëse në institucione të arsimit nuk ka mundësi të mëdha për shkak të vendeve të pakta të lira, opsioni i tyre i vetëm po mbeten Filharmonia dhe Opera për të vazhduar karrierën e tyre si instrumentistë”, ka thënë ai.

Sipas tij, audicioni është tregues jashtëzakonisht i rëndësishëm për kapacitetin e një muzikanti.

“Me rëndësi është që për vende të tilla të punës ekziston audicioni. Është ai që e përcakton dhe performanca e tyre aty e përcakton kualitetin. Jodomosdo diploma e përcakton kualitetin. E rëndësishme është se sa kandidati është i përkushtuar ndaj instrumentit, sa punon dhe natyrisht ajo sjell rezultat e tregon vlerën e saktë të një instrumentisti”, ka thënë kompozitori Beqiri.

E ka konsideruar të rëndësishme që komisioni vlerësues i audicionit të ketë anëtarë të jashtëm për të pasur atë që e ka quajtur si sy më objektiv për vlerësim të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

“Institucionet në botë kanë edhe audicione të brendshme vjetore për të siguruar pozitat më të mira në orkestër. Audicioni është ai që do të përcaktojë saktë nivelin dhe vlerën e secilit instrumentist”, ka thënë kompozitori Beqiri.

Derisa Filharmonia po synon zgjerimin e saj, Opera e Kosovës javë më parë ka hapur konkurs për trupë të përkohshme artistike. Sipas Valton Beqirit, është jetike që edhe Opera të shpallë konkurse për anëtarë të rregullt.

“Jo vetëm Filharmonia, por edhe Opera duhet të mendojë të shpallë konkurse për anëtarë të rregullt, meqë kemi instrumentistë të cilët mund të plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e Orkestrës. E përkrah çdo mundësi të tillë që të funksionalizohet dhe të plotësohet orkestra me numrin e mjaftueshëm të instrumentistëve”, ka thënë ai.

Konkursi për instrumentistë të rinj është dëshmi se Filharmonia e Kosovës synon të ruajë e ta ngritë traditën muzikore.