Kulturë

Filharmonia e çakorduar me paga

Rritja e pagave të punonjësve të kulturës në dimrin e sivjetmë qe shoqëruar me festë e ankesa, por mbi të gjitha me paqartësi. E ato nuk janë sqaruar as tash, kur janë bërë shtatë muaj pas Ligjit për pagat. Filharmonia e Kosovës është vetëm njëri shembull. Fundi i muajit është afati për t’i zgjidhur pagat e paharmonizuara. “Është një huti e madhe në institucion”, thotë Baki Jashari, drejtor i Filharmonisë. Ministria e Kulturës thotë se po vazhdon procesi i korrigjimeve të rasteve të paharmonizuara

Me pompozitet qe festuar rritja e pagave edhe për punonjësit e kulturës, por shtatë muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit për pagat në sektorin publik ka jo pak telashe në harmonizimin e tyre.

Filharmonia e Kosovës është njëri prej institucioneve të çakorduara në krejt këtë proces. Ka edhe tri javë kohë që t’ia heqë mjegullën në këtë çështje pasi i është kërkuar rregullorja e brendshme për sistemimin e vendeve të punës në bazë të së cilës përcaktohen koeficientet. Ministria e Kulturës thotë se po vazhdon procesi i korrigjimeve të rasteve të paharmonizuara.

Qysh në shkurtin e sivjetmë qenë paralajmëruar problemet pasi kur Ministria e Kulturës do të bënte publikimin e shifrave në rrjete sociale, tregohej për rritjet e pagave vetëm në disa kategori. Sqarohej se drejtorët e institucioneve qendrore të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore nga 605 euro bruto do të kenë pagë prej 1365 eurosh. Drejtorët e qendrave rajonale të trashëgimisë kulturore prej 484 eurosh, në 945 euro. Kuratori i Galerisë prej 637 në 1155 euro e profesionistët e trashëgimisë kulturore prej 637 në 840 euro. Instrumentistëve të parë në Filharmoni prej 675 eurosh iu bë paga 892 euro, aktorëve prej 720 në 840 euro, balerinëve prej 675 në 892 euro e valltarëve të “Shotës” prej 521 në 840 euro.

Por këto paga janë veç për kategoritë e para të punonjësve, pasi profesionistët e artit dhe të kulturës ndahen në disa kategori. Qysh atëherë institucionet e edhe vetë MKRS-ja nuk e kishin të qartë se çfarë do të ndodhë. Kishin nisur negocimin për rangimin që do të bëhej e që ende nuk ka përfunduar as tash.

“Është proces i ndërlikuar”, ka thënë të premten Baki Jashari, drejtor i Filharmonisë së Kosovës, në një bisedë të gjatë telefonike. Secili institucion, sipas tij, ka pasur procesin e sistemimit.

“Në Filharmoni është telashe të inkorporohemi në ligjin e ri, që ka tetë kategori. Shtojca e 12-të e Ligjit të pagave është dashur të konsultohej me profesionistë. Prej që ka hyrë Ligji në fuqi vazhdimisht ka paqartësi të logjikshme”, ka thënë Jashari. Kërkesë e kahershme dhe e vazhdueshme e tij ka qenë që punonjësit e Filharmonisë të ndahen në 17 kategori. Sipas tij, ashtu funksionon modeli evropian i institucioneve.

Në qershorin e sivjetmë udhëheqës institucionesh e zyrtarë të Ministrisë së Kulturës do të mbanin një takim ku ishte kërkuar që institucionet duhet të kenë rregulloret e brendshme për sistemimin e vendeve të punës. “Drejtorët e institucioneve kanë bërë grupet punuese. Në Filharmoni kemi hartuar draft-rregulloren e brendshme për sistematizimin e vendeve të punës. Ne e kemi kryer punën tonë. Deri në këto momente nuk jemi të informuar se çfarë po ndodh. Tash Kabineti na ka thënë t’ua dërgojmë atyre rregulloren. Kur të miratohet kjo rregullore do të jetë bazë që vendet e punës të shndërrohen në kategori e koeficiente”, ka thënë Jashari.

Aktualisht në Filharmoni, sipas Jasharit, shumicës u janë rritur pagat.

“Por në bazë të Rregullores të vjetër për krijues e performues”, ka thënë Jashari. Por, problemi nuk qëndron vetëm këtu. “Disave u janë rritur më shumë pagat e disave më pak dhe ende nuk po dihet finalja. Në Filharmoni ka ndodhur që një pozicion që është dashur të jetë më lart e tjetri me ulët, është e kundërta”, ka thënë ai.

Në përgjigjet me shkrim Ministria e Kulturës ka konfirmuar “formulën” e ekzekutimit të pagave prej shkurtit të sivjetmë. Ende procedon edhe me “sistemin e vjetër”.

“Aktualisht ekzekutimi i pagave në sektorin e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore është duke ndodhur bazuar në rregullat e ekuivalentimit të sistemit të vjetër dhe sistemit të ri të pagave sipas Vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 16.2.2023. Ky vendim obligon institucionet të harmonizojnë sistemet e pagave dhe pas këtij procesi të kalojnë në klasifikimin e pozitave që, sipas ligjeve në fuqi, bëhet përmes aprovimit të strukturave të reja organizative”, thuhet në përgjigjet nënshkruar nga Zana Fetiu, këshilltare politike e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.

Sa i përket ekuivalentimit, sipas saj, “MKRS-ja është në kontakt të vazhdueshëm me MPB”. “Mund të konfirmoj se po vazhdon procesi i korrigjimeve të rasteve të mosharmonizuara. Deri më tani janë mbi 350 raste të administruara të përcaktimit të saktë te ekuivalencës së pagave”, ka shkruar ajo.

Hartimi i rregulloreve del të jetë parësor në harmonizimin e krejt këtij procesi. Njësoj edhe Fetiu ka konfirmuar se po punohet në to.

“MKRS-ja në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vartëse është duke punuar në hartimin e rregulloreve të organizimit të brendshëm dhe sistematizimit të vendeve të punës, përmes të cilave do të bëhet rregullimi i strukturave të brendshme administrative të institucioneve vartëse dhe klasifikimi i ri i të gjithë zyrtarëve publikë sipas pozitave të përcaktuara me këto rregullore në përputhje me sistemin e ri të pagave”, ka thënë ajo. Nuk ka dhënë afat për përmbylljen e këtij procesi. E, afati për përmirësime është dita e fundit e këtij muaji.

“Vështirë që procesi të përfundojë deri në 30 shtator”, ka thënë dirigjenti Baki Jashari. Afatin e ka përmendur disa herë. “Ende jemi larg”, ka shtuar ai. Për drejtorin e Filharmonisë së Kosovës, tash edhe shtatë muaj pas “festës” së rritjes së pagave në fushën e kulturës, kur ka folur për pagat, rregulloret, sistemimin, koeficientet, një gjë është e sigurt.

“Është një huti e madhe në institucion”, ka thënë ai.

Rritja paushall e vitit 2019

Për herë të fundit pagat e krijuesve, performuesve dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore ishin rritur në nëntor të vitit 2019. Në shtatorin e atij viti fillimisht kishin hyrë në grevë aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës e më pas atyre u ishin bashkuar edhe punonjësit e institucioneve të tjera. Pas negociatave, ministri i Kulturës në atë kohë, Kujtim Gashi, ishte marrë vesh me përfaqësuesit e punonjësve që pagat të rriteshin deri në 50 për qind. Rritja ishte bërë pa ndonjë planifikim dhe ishte sakrifikuar buxheti i disa projekteve kapitale e ai vjetor i institucioneve. Për vitin pasues pagat ishin paraparë me rritje në Ligjin mbi ndarjet buxhetore.

Më 1 nëntor të atij viti 228 punonjës kishin marrë pagat me rritje. Dy konferenca për media e një ndejë në një hotel luksoz në periferi të Prishtinës ishin organizuar për këtë vendim. Pavarësisht kësaj, rritja në shumë raste nuk është bërë për 50 për qind, ashtu siç kishte premtuar ministri i asokohshëm i Kulturës, Kujtim Gashi. E shumë punonjës të kulturës kishin bërë fushatë në rrjete sociale duke e quajtur Gashin “ministër që mban fjalën”.