Shfaqjet që sjell janë një lloj rekapitullimi vjetor i krejt skenës teatrore vendore. Imazhi është përherë i njëjtë: salla plot, teatri kryefjalë bisedash për një javë. Në prapaskenë janë mungesa e buxhetit e pengesa si këto. Në themel ka një histori 55-vjeçare tashmë dhe atë të sfidave për ta përthekuar edhe një edicion. Sivjet, “Djali” me tekst të Florian Zeller, nën regji të Erson Zymberit, ka marrë çmimin kryesor, e jehona që lë është alarmi për shëndetin mendor të të rinjve, një mesazh universal për shoqërinë. Mbi të gjitha, Festivali i Teatrove në Ferizaj është festë për skenën dhe s’e ka ndërmend të venitet
Është prej festivaleve të para jo veç në vend, por edhe në rajon. Në Kosovë nuk ka një kaq të vjetër që e ka vazhduar rrugëtimin. Përherë vjen me shenjat e njëjta, me tentativat për t’ia freskuar imazhin, me gjallërinë përherë në rritje për festën e teatrit. Është imazhi i përhershëm i oborrit të teatrit “Adriana” në Ferizaj me përplot njerëz. Sikurse edhe salla e tij.
Për festivalin, që zyrtarisht organizohet prej viteve ’70, thuhet se qe mbajtur edhe para kësaj kohe, në qytete të ndryshme. Zhvillohej në rrethana e kushte të jashtëzakonshme në vitet ’90 derisa u mbyll dhe kur kjo ndodhi, shtëpitë e objektet fetare u bënë skena alternative. Zyrtarisht, të dielën mbrëma Festivali i Teatrove në Ferizaj mbylli edicionin e 55-të. Festë është edhe fundi me ndarje çmimesh gati për secilën shfaqje. E, kjo është një lloj mirënjohjeje.
Një edicion i suksesshëm që tejkalon sfidat
Këto kohëra janë motivi i organizatorëve për të mos e ndalur aktivitetin as sot, pavarësisht rrethanave shpeshherë të vështira. Dy edicione më parë, Festivalit fillimisht nuk iu nda asnjë cent nga Ministria e Kulturës, e më pas iu ofrua përkrahje në formën e një lloj memorandumi bashkëpunimi. Festivali e pati refuzuar. Edhe sivjet, ndonëse është përkrahur nga Qeveria lokale e qendrore, mjetet nuk janë alokuar.
Megjithëkëtë, drejtori i Festivalit të Teatrove në Ferizaj, Besim Ugzmajli, e ka konsideruar edicionin e 55-të prej më të suksesshmëve.
“Secila ngjarje ka qenë përplot njerëz. E konsideroj një edicion të jashtëzakonshëm, shumë i nevojshëm që shënon një lloj rritje, por edhe obligim e përgjegjësi për rritje tutje të këtij festivali, e që është shumë e nevojshme. Për fat të mirë ka një lloj potenciali në këtë drejtim dhe uroj që së bashku me bashkëpunëtorët ta rrisim dukshëm këtë festival e ta rrisim në një stad tjetër”, është shprehur ai duke iu referuar pjesës organizative e publikut që kanë ndjekur festivalin.
“Edhe sipas statistikave tona dhe përshtypjeve që kemi pasur vazhdimisht nga njerëzit, qofshin artistë apo shikues të rregullt, është një prej edicioneve më të suksesshme, për të mos thënë ndoshta më i miri deri sot. Edhe në aspektin e funksionimit të gjithçkaje në kohë, edhe në aspektin e publikut, sigurisht. Kemi pasur tri shfaqje në ‘Black Box Gallery’, shtatë shfaqje në teatrin ‘Adriana’ , dy panele diskutimi, dy punëtori”, ka thënë Ugzmajli më tej.
“Djali” fitues dhe alarmi për shëndetin mendor
Në ambient të thjeshtë, ku cilësia e skenës së teatrit peshon më së shumti, janë ndarë çmimet të dielën mbrëma, pas maratonës shtatëditore me aktivitete. Edicioni i 55-të u mbajt prej 1 deri më 7 shtator.
Shfaqja që për mesazh qendror ka kujdesin dhe vetëdijesimin për shëndetin mendor, ka marrë çmimin kryesor të edicionit të 55-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Me tekst të francezit Florian Zeller, nën regji të Erson Zymberit dhe produksion i Ernest Zymberit, alarmon për peshën e gabimeve.
Kështu ka vlerësuar juria e përbërë nga shkrimtarja Zyrafete Shala, aktori Simon Shkreli dhe regjisori Agon Myftari.
Producenti i shfaqjes “Djali”, Ernest Zymberi, ka thënë se çmimi është një lloj thirrjeje për vetëdijesim për shëndet mendor, ndërsa atë ia ka dedikuar punonjësit të Teatrit të Gjilanit, Florim Gagica, i cili vdiq ditë më parë.
“Ky çmim është për të gjithë ata që i kuptojnë peshën dhe rëndësinë e veprës ‘Djali’ të Florian Zeller. Ky çmim u dedikohet të gjithë të rinjve që përballen me situata të tilla dhe shoqërisë sonë, që besoj që kemi nevojë të flasim hapur për problemet mendore. Mendoj se si shoqëri kemi nevojë për më shumë dashuri, empati, dëgjim”, ka thënë ai.
Produksioni i pavarur qe dhënë premierë në nëntor të vitit të kaluar në Teatrin e Gjilanit. Mesazhet e shfaqjes janë të shumëfishta për pasojat e vendimeve të një familjeje.
Shenja e parë e shfaqjes është udhëkryqi e krejt historia që përcjell përballet me udhëkryqe jetësore. Prindërit divorcohen, secili merret me veten, e djali është ai që mban peshën e gabimeve të tyre. Pendimi është thjesht dëshpërim i pafundmë, sikurse pasojat.
Aktori kryesor i kësaj shfaqjeje, Yzeir Meha, që e luan një të ri i cili si rrjedhojë e veprimeve të gabuara ka përfundim tragjik, ka marrë çmimin “Yll në ardhje”. Meha nuk ka qenë në ceremoni, por çmimin e ka pranuar aktori Kushtrim Qerimi.
“Është një djalë me shumë potencial. Ne sinqerisht kemi pasur kënaqësinë ta kemi në ekip. Presim shumë prej tij dhe gëzohem për të që ka arritur ta marrë këtë çmim”, ka vlerësuar ai.

Çmimet e shumëfishta si motiv e traditë
Më së shumti çmime në festival ka marrë shfaqja “God bless America”, produksion i Teatrit të Gjilanit, me tekst e nën regji të Fatos Berishës dhe shfaqja “13”, produksion i teatrit “Adriana” nga Ferizaj, me regji e dramatizim nga Sulejman Rushiti.
Çmimin për Regjinë më të Mirë e ka marrë po ashtu Rushiti. Është shprehur i nderuar me çmimin derisa ka thënë se gara ka qenë e fortë dhe se të gjitha shfaqjet e meritojnë të vlerësohen kësisoj.
“Një projekt pak ambicioz. Falënderoj katër autorët: Ismail Kadarenë, Gjergj Fishtën, Kristo Floqin dhe Mitrush Kutelin. Ata kanë folur për problematikat tona njëqind vjet më parë dhe ne e kemi mundësinë t’i risjellim, t’i rilexojmë këto vepra dhe t’i sjellim në mënyrën dhe në gjuhën tonë”, ka thënë regjisori Rushiti.
Shfaqja, që trajton shqiptarët në një periudhë midis njëqind vjetësh dhe vendin e gjen në kohë moderne me të njëjtat probleme, ka marrë edhe Çmimin e Publikut.
Aktori Kushtrim Qerimi, që luan në këtë shfaqje, ka thënë se puna me shfaqjen ka qenë e shkëlqyeshme.
“Është prej atyre shfaqjeve që prapa duhet ta shkruash se çfarë do të veshësh dhe kur do të hysh, sepse përndryshe mund të bëhesh copa. Më vjen mirë që është vlerësuar dhe është çmimi më i mirë që mund ta marrë në një festival”, ka thënë ai.
Shfaqja e Teatrit të Ferizajt, që është nikoqir i festivalit, ka marrë edhe çmimin “Adriana” për Aktoren më të Mirë, të cilin e ka fituar aktorja Donika Zeqiri, e cila është kryesisht narratore në shfaqjen “13”.
Zeqiri ka thënë se çmimi e motivon në aktivitetet e ardhshme me teatrin.
“Falënderoj më së shumti teatrin ‘Adriana’, që kam qenë studente, m’i ka hapur dyert, e sot jam aktore e diplomuar dhe prapë më shpërblen me çmim. Do ta jap energjinë më të mirë në botë për këtë teatër, sepse e dua këtë teatër”, është shprehur ajo.
Çmimi “Ismail Rama” për Aktorin më të Mirë është ndarë për Avni Shkodrën, për rolin në shfaqjen “God bless America”.. Shkodra i është referuar konkursit për dramë shqipe të fillimit të këtij viti në kuadër të festivalit “Flaka e Janarit”, duke treguar se vetë shfaqja ku luan qe fituese dhe kësisoj u inskenua në Teatrin e Gjilanit.
“Dramat që janë vlerësuar si më të mira në konkurs i kemi rekomanduar për inskenim. Ndër dramat më të mira të shkruara ishte edhe ‘God bless America’ dhe mandej u bë puna që teatri ta ftojë regjisorin Fatos Berisha të krijojë shfaqjen në teatrin tonë. Jemi krenarë shumë me këtë produkt të teatrit, i cili po pritet shumë mirë në çdo reprizë”, ka thënë Shkodra.
Çmimin ia ka ndarë aktori Veton Ibrahimi, që dikur luante në skenën e teatrit “Adriana”. Në atë skenë e në atë të teatrit ka treguar se është ngjitur për të pranuar po atë çmim që e ka ndarë për aktorin Shkodra. I ka uruar të mos e ketë fatin e tij.
“Për herë të fundit jam ngjitur në skenën e teatrit ‘Adriana’ në Ferizaj, në vitin 2009, pikërisht në këtë festival, ku kam marrë të njëjtin çmim. Uroj që Avniu të mos e këtë fatin tim. Ka qenë dalja e fundit në skenë para 16 vjetësh. Avni, uroj të mos e kesh fatin tim”, është shprehur Ibrahimi.
Çmimin për Rolin më të Mirë Dytësor të Festivalit e ka marrë po ashtu kjo shfaqje. Është vlerësuar performanca e aktorit Kushtrim Qerimi.
“Gjithmonë është e veçantë, por sivjet ka qenë më e veçantë për shkak të pjesëmarrjes sime për disa herë, sivjet kam marrë pjesë shumë më shumë. Më ka ardhur mirë që për dallim prej vjet, publiku ka qenë shumë më energjik dhe energjia që na kanë dhënë me reagimet e duartrokitjet e tyre, është shumë më e madhe sesa çmimi që marrim ne”, është shprehur Qerimi.
E Aktorja më e Mirë në Rol Dytësor është vlerësuar Hayat Oçilla për rolin në shfaqjen ”Komedia e zezë” të teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren, me tekst të Peter Shaffer dhe nën regji të Ilir Bokshit.
Triptik çmimesh ka siguruar edhe shfaqja “God bless America”. Aktorja Aurita Agushi është vlerësuar për rolin më të mirë episodik.
“Veç edhe ky çmim me pati mbetë me marrë dhe t’ia nis prapë prej fillimit. Juritë vijnë e shkojnë e lajmi i mirë është që unë jam prapë këtu”, ka thënë ajo.
Entuziazmi i publikut përballë pyetjeve të vështira
Çmimi Special i Festivalit është ndarë për shfaqjen “Prishtina – Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre”, me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt.
Aurela Kadriu, drejtoreshë e programit artistik të qendrës “Multimedia” që e ka prodhuar shfaqjen, ka thënë se çmimi është për ata që mendojnë se teatri duhet të jetë politik e që e lëkund rehatinë e publikut. Sipas saj, teatri duhet ta ballafaqojë publikun me pyetje dhe çështje të vështira në të cilat jeton.
“Ky çmim është për krejt publikun entuziast dhe të ri të cilët duan të kuptojnë se ku janë boshllëqet për të cilat nuk dimë, për historinë e atij vendi. Mbi të gjitha ky çmim është për teatrin, i cili flet për problemet e ditës së sotme, për problemet me të cilat ballafaqohemi të gjithë. Për atë duhet të flasë teatri, ndër të tjera”, ka thënë ajo duke përmendur emrat e aktorëve, regjisores, autorit dhe të gjithë ekipit teksa thotë se çmimi është i tyre.
Për kostumet e po kësaj shfaqjeje, kostumografja Njomza Luci ka marrë Çmimin për Kostumografinë më të Mirë, ndërsa Çmimin për Skenografinë më të Mirë për skenografin Bekim Korça për shfaqjen “13”.
Festivali nisi të hënën, që shkoi me shfaqjen “13”. Edhe hapja qe një mesazh. Mbi të gjitha për fuqinë e teatrit, të cilin tash e 55 vjet Festivali i Teatrove në Ferizaj e mban në skenë. Feston për të dhe lë mesazhe që jehojnë.