Me tema të identitetit, kujtesës e bashkëjetesës, Festivali ndërkombëtar i artisteve dhe aktivisteve “FemArt” shtrin programin e edicionit të 13-të për gjashtë ditë në Prishtinë. Me art feminist, nën moton “Çliroje mendjen” synohet shërimi e fuqizimi i gruas. Maratona e programit hapet sot (e hënë) me “Shkodrën Elektronike” dhe vijon deri të shtunën.
Drejtoresha e “FemArt”, Zana Hoxha, ka thënë se motoja e sivjetmë është “thirrje ndaj vetëdijes kolektive për të ndalur ciklin e heshtjes, frikës dhe censurës së brendshme”.
“Kur bota përreth nesh është më e zhurmshme se mendimet tona, ‘FemArt’ bëhet një hapësirë për rikthimin e zërit tonë të brendshëm. Padrejtësia, ngufatja dhe heshtja nuk janë norma që duhet të pranojmë – janë arsye për të vepruar, për të krijuar, për të folur. Çlirimi i mendjes është emancipim kolektiv – një revoltë e butë që nis nga mendja dhe përhapet përmes artit, solidaritetit dhe veprimit feminist”, është shprehur Hoxha në një përgjigje për KOHËN.
E këto mesazhe janë të pranishme në skenat e shfaqjeve, paneleve e takimeve të këtij institucioni. Kjo, sipas Hoxhës, e bën “FemArtin” jo veç festival arti, por edhe thirrje për transformim shoqëror e personal.
Artistë nga i gjithë Ballkani, kontinenti e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkrijnë rrëfimet e tyre artistike për një mision të përbashkët. Bazuar në programin e festivalit, ai shkon përtej politikës dhe aty, sikur edhe në edicionet e kaluara, janë gratë aktiviste serbe. Kjo vjen si mesazh për unifikim në tema universal, përtej ndarjeve.
Hoxha në përgjigjen e saj ka thënë se kjo është thelbësore për filozofinë dhe misionin e festivalit që drejton. E kjo vjen nëpërmjet shfaqjes “Gratë e Trojës” që do të shfaqet në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar më 20 qershor.
“Përfshirja e aktivisteve dhe artisteve nga Serbia, në veçanti në bashkë-produksionin ndërkombëtar ‘Gratë e Trojës’, është një deklaratë artistike dhe politike që synon tejkalimin e ndarjeve etnike dhe historike. Kjo shfaqje, një adaptim feminist bashkëkohor që përball ballafaqimin me dhimbjen kolektive, kujtesën dhe traumat e luftës, është realizuar me aktore nga Kosova dhe Serbia dhe ka pasur katër prezantime në Prishtinë dhe Beograd, me një pritje pozitive nga publiku dhe kritika”, është shprehur drejtoresha e festivalit e regjisorja Zana Hoxha,
“Gratë…” konsiderohet si shfaqje që kap rrëfimet e harruara të grave përballë luftës dhe humbjes dhe ndriçon forcën dhe rezistencën e tyre.
Pas prezantimit në kuadër të festivalit në Prishtinë, shfaqja do të udhëtojë për në Itali në shtator e më pas në Zvicër në muajin nëntor, siç bëhet e ditur.
Unike do të jetë ngjarja hapëse. Me koncertin e “Shkodrës Elektronike” e cila vjen në skenën e “FemArt” pas bujës në skenën e “Eurovision”, i prehet shiriti programit të ngjeshur me aktivitete të shpërndara në gjashtë ditë.
Koncerti e hapja në përgjithësi, do të jetë shpërthyese, siç paralajmëron Hoxha.
“Publiku mund të presë një hapje shpërthyese – jo vetëm në kuptimin muzikor, por edhe emocional dhe shoqëror. Shkodra Elektronike sjell një ndërthurje të tingujve tradicionalë shqiptarë me ritmet elektronike bashkëkohore, në një performancë që është njëkohësisht festë, rezistencë dhe thirrje për jetë”, ka thënë ajo.
I gjithë programi në përgjithësi përfshin “pesë shfaqje skenike – përbërë nga dy shfaqje dans-teatër, dy teatrore dhe një muzikale, nga Italia, Kosova, Serbia dhe Luksemburgu – që eksplorojnë temat e identitetit, kujtesës, fuqizimit dhe bashkëjetesës”, siç ka theksuar drejtoresha e “FemArt”.
Ka konsideruar se programi sivjet është ndërtuar prej ngjarjeve që e vendosin gruan në qendër.
“Sivjet, fokusi është vendosur veçanërisht në muzikën performative, me 4 koncerte dhe 2 performanca muzikore nga Shqipëria, Kosova, Gjermania dhe Franca. Nga energjia elektrizuese e Shkodrës Elektronike në hapje, te koncerti eksperimental ‘Tales of Scapes’ nga Liburn Jupolli Ensemble, deri te ‘Tentative’ një performancë post‑punk nga Franca dhe performanca të fuqishme si ‘Marrja Zezë – Varrimi i Turpit’ dhe kori i grave ‘Okarina’, këto ngjarje vendosin gruan në qendër si krijuese, si zë politik, si ritëm kolektiv”, ka thënë ajo.
Edicioni i kaluar i “FemArt” u hap me performancën “"Carmen" nga “Flamenco Ballet” nga Barcelona më 25 shtator dhe vazhdoi deri më 30 shtator, nën moton “Motërzimi: N’kohë lufte dhe paqe”.