Juria profesionale evropiane e organizatës “European Film Promotion” i ka vlerësuar dhjetë artistë si grup i jashtëzakonshëm talentesh, ndërsa specifikisht aktoren nga Kosova, Fatlume Bunjaku, e ka çmuar për rolin e saj në filmin “Hana” nën regji të Ujkan Hysajt. Biletën për këtë vlerësim ia ka dhënë Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë. Dhjetë fituesit do t’i prezantohen industrisë së filmit, shtypit ndërkombëtar dhe publikut gjatë edicionit të 76-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin
Midis dhjetë aktorëve më premtues të Evropës, Fatlume Bunjaku është zgjedhur si “Shooting Star 2026”. Juria profesionale evropiane e organizatës “European Film Promotion” i ka vlerësuar këta artistë si grup i jashtëzakonshëm talentesh, ndërsa specifikisht aktoren nga Kosova e ka çmuar për rolin e saj në filmin “Hana” nën regji të Ujkan Hysajt. Biletën për këtë vlerësim ia ka dhënë Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë.
Juria e përbërë prej aktores serbo-daneze Danica Ćurčić, regjisorit boshnjak Danis Tanoviq i cili ka çmim “Oscar” për filmin “No Man’s Land”, kritikes sudaneze të filmit, Leila Latif regjisorit portugez Jo Monteiro dhe prudncentit belg Jacques-Henri Bronckart, e ka vlerësuar lojën e aktores Bunjaku se “lë gjurmë të pashlyeshme te shikuesi”, duke demonstruar, siç shkruhet, “prani komanduese në ekran, të kompletuar me një thellësi mbresëlënëse emocionale”. Në arsyetimin e pesë ekspertëve të filmit, shkruhet gjithashtu se shikuesi është i ngazëllyer “të shohë se çfarë do të bëjë ajo më pas”.
“Aktorja kosovare-shqiptare Fatlume Bunjaku kombinon shkathtësinë artistike, thellësinë akademike me një karrierë paralele në muzikë. Që nga debutimi i saj në vitin 2013, ajo ka ndërtuar vazhdimisht një portofol mbresëlënës, që nga fitimi i çmimit për Aktoren më të Mirë në Festivalin e Filmit ‘Nine Eleven’, deri te roli i saj mbresëlënës në filmin Hana (2025) të Ujkan Hysajt. Përveç punës së saj në ekran, ajo është thellësisht e përkushtuar ndaj edukimit gjithëpërfshirës artistik, duke dhënë mësim në artet interpretuese dhe duke punuar një diplomë master në teatrin për fëmijë”, shkruhet më tej në këtë vlerësim.
Në përgjithësi, për punën e dhjetë aktorëve të përzgjedhur si “Shooting Stars” të edicionit të 29-të, juria ka theksuar punën e madhe të dhjetë aktorëve, gamën e tyre artistike dhe potencialin e tyre për të pasur sukses në nivel ndërkombëtar. Është bërë e ditur se përzgjedhja është bazuar në performancat e tyre në filma dhe në seriale dramatike të paraqitura për shqyrtim.
“European Film Promotion” sjell filma dhe talentë evropianë në vëmendjen e industrisë dhe medias ndërkombëtare. Partner qendror i tyre është media e njohur “Variety” dedikuar kinematografisë.
Ky institucion është rrjet institucionesh filmike nga 37 vende evropiane, siç shkruhet në prezantimin e tyre, mbështet kinemanë dhe profesionistët evropianë në forcimin e pranisë së tyre aktuale në treg, si dhe në qasjen në territore të reja, dhe në të njëjtën kohë, në përmirësimin e konkurrencës së tyre ndërkombëtare, shpërndarjes dhe pranisë mediatike në mbarë botën”.
E programi “European Shooting Stars” është një prej më të rëndësishmëve të kësaj organizate evropiane të promovimit të filmit.
Nga aktorët shqiptarë, këtë titull e kanë pasur Nik Xhelilaj në vitin 2011 dhe Arta Dobroshi dy vjet më pas. Aktorja Bunjaku është nominuar për këtë titull nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.
Dhjetë fituesit do t’i prezantohen industrisë së filmit, shtypit ndërkombëtar dhe publikut gjatë edicionit të 76-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. “Berlinale” do të zhvillohet nga 12 deri më 22 shkurt. Programi katër ditor i ngjarjes prestigjioze dedikuar aktorëve me titullin “Shooting Star” përfshin seanca rrjetëzimi, takime të industrisë dhe evente për shtyp, si dhe një moment të paharrueshëm në qilimin e kuq dhe përshëndetjen e grupit në ‘Berlinale Palast’. Sipas njoftimit, programi është hartuar për të rritur dukshmërinë e tyre ndërkombëtare, për t'i lidhur ata me vendimmarrësit kryesorë dhe për të nxjerrë në pah potencialin e tyre në fazën e zhvillimit të karrierave të tyre.
“European Film Promotion” ka publikuar edhe deklaratën e drejtoreshës së kësaj organizate, Tina Hajon. Ajo vlerëson se dhjetëshja e përzgjedhur është një grup talentesh i jashtëzakonshëm.
“Ata përfaqësojnë disa nga zërat e rinj më emocionues që Evropa ka për të ofruar. Jemi thellësisht mirënjohës ndaj jurisë për përkushtimin e tyre dhe për njohjen e potencialit të këtyre aktorëve në një moment kaq të rëndësishëm në udhëtimin e tyre artistik. ‘European Shooting Stars’ mbetet një platformë thelbësore për të nxjerrë në pah diversitetin e rrëfimit evropian, duke u dhënë talenteve në zhvillim vizibilitetin ndërkombëtar që u nevojitet për t’u rritur dhe lulëzuar në një skenë global”, citohet ajo.
Pos aktores Fatlume Bunjaku, titullin “European Shooting Star 2026 e kanë marrë edhe Lucas Englander nga Austria, Violet Braeckman nga Belgjika, Salif Cissé nga Franca, Enno Trebs nga Gjermania, Danielle Galligan nga Irlanda, Tecla Insolia nga Italia, Joes Brauers nga Holanda, Sofia Tjelta Sydness nga Norvegjia dhe Cleo Diára nga Portugalia.
Titulli “European Shooting Star” konsiderohet si trampolinë e rëndësishme për karrierën ndërkombëtare të aktorit që i jepet ai. KOHA ka komunikuar disa herë me Bunjakun gjatë ditës së hënë, por ajo pasi ka shprehur gatishmëri të flasë për këtë lajm, s’ka dhënë kurrfarë komenti.