Festivali ndërkombëtar i filmit në Berlin, “Berlinale”, në edicionin e 70-të që nis sot (e enjte), është përshkruar nga drejtoresha e re Mariette Rissenbeek si një eksplorim i çështjeve artistike dhe politike, duke iu rikthyer rrënjëve të tij. Festivali ishte themeluar për publikun berlinez më 1951, në periudhën e Luftës së Ftohtë si një “shfaqje e botës së lirë”. Formësuar nga periudha e trazuar e pasluftës dhe situata unike e një qyteti të ndarë, “Berlinale” është kthyer në një festival shkëmbimesh ndërkulturore dhe në një platformë ku në mënyrë kritike përmes kinematografisë eksplorohen çështjet sociale. E përveç rikthimit te rrënjët politike, sipas Rissenbeek, sivjet do të prezantohet edhe diversiteti i kinemasë e përtej.
Gjithë kjo synohet të bëhet me 340 filmave që do të shfaqen deri më 1 mars.
Mozaiku i diversitetit filmik do të fillojë me produksionin kanadezo-irlandez “My Salinger Year” të regjisorit Philippe Falardeau, që synon edhe “Ariun e artë”,
Por aty, siç dihet tashmë, nuk do të mungojë as këndvështrimi i regjisorit nga Kosova. Në kategorinë “Panorama” do të jetë filmi “Exil” i Visar Morinës ,që në qendër ka identitetin. Atje do të jetë edhe një pjesë e stafit dhe kastës vendore të përfshirë në film. Pos dy producentëve, Yll Uka e Valon Bajgora, nga Kosova do të udhëtojnë edhe aktorët Astrit Kabashi, Getuart Hajrizaj, Valentina Dubovci, Eshref Durmishi dhe Jetmir Zenelaj, asistent-kameraman.
Në anën tjetër Qendra Kinematografike e Kosovës përmes shtandit të Kosovës do promovojë vendin dhe kinematografinë e tij.
Regjisori Morina me “Exil” kthehet për herë të dytë në “Berlinale”. Për herë të parë ishte bërë pjesë e festivalit me filmin “Babai” në edicionin e 66-të të “Berlinales”, më 2016. Filmi u shfaq në kuadër të programit “Lola at Berlinale”. E premiera evropiane e “Exilit” në “Berlinale”, më 24 shkurt, vjen pas asaj botërore që u dha në “Sundance Film Festival”, që nisi më 23 janar e përfundoi më 2 shkurt në ShBA. “Exili” ishte në garë në kategorinë “World Cinema Dramatic Competition”.
Përveç “Exilit”, të cilin e ka bashkëfinancuar me 150 mijë euro, në tregun evropian të filmit në “Berlinale”, QKK-ja përmes shtandit të Kosovës do të promovojë edhe filma të tjerë nga Kosova... (Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)