Kulturë

“Eurovisioni” i përplasjeve shet biletat në kohë rekorde

Biletat për “Eurovisionin” e sivjetmë në Vjenë u shitën për vetëm 14 minuta, ndërsa biletat për të gjitha ngjarjet e tjera u shitën brenda një ore, ka bërë të ditur Unioni Evropian i Transmetuesve

Biletat për “Eurovisionin” e sivjetmë në Vjenë u shitën për vetëm 14 minuta, ndërsa biletat për të gjitha ngjarjet e tjera u shitën brenda një ore, ka bërë të ditur Unioni Evropian i Transmetuesve

Katër muaj para se të mbahet, gati të gjitha 90.000 biletat për garën evropiane të këngës “Eurovision” janë shitur në kohë rekorde prej vetëm disa minutash, kanë njoftuar organizatorët të martën. Biletat për finalen e madhe në Vjenë u shitën për vetëm 14 minuta, ndërsa biletat për të gjitha ngjarjet e tjera u shitën brenda një ore, ka bërë të ditur Unioni Evropian i Transmetuesve.  Në total janë planifikuar nëntë ngjarje gjatë një jave, përfshirë dy prova të përgjithshme para çdo transmetimi drejtpërdrejt. Të gjitha biletat që mund të mbeten, për shembull, në rast se delegacionet e disa vendeve nuk i shfrytëzojnë të gjitha biletat që u janë ndarë, do të nxirren më vonë në shitje, ka njoftuar EBU-ja. “Reagimi ishte fenomenal. Të shohësh që çdo natë u shit kaq shpejt është një kujtesë e fortë për atë që përfaqëson ‘Eurovisioni’: gëzim, bashkim dhe një përvojë e përbashkët në një kohë kur kjo duket më e rëndësishme se kurrë”, citohet të ketë thënë drejtori i “Eurovisionit”, Martin Green, në një deklaratë.

Edicioni i 70-të i ngjarjes ka qenë prej muajsh nën hijen e debateve për pjesëmarrjen e Izraelit, për shkak të fushatës së tij ushtarake dyvjeçare në Rripin e Gazës.

Spanja, Irlanda, Islanda, Holanda dhe Sllovenia kanë njoftuar se do ta bojkotojnë edicionin e sivjetshëm në shenjë proteste.

Muajin e kaluar transmetuesi austriak, i cili do të jetë nikoqir, ka njoftuar se  nuk do t’ua ndalojë spektatorëve mbajtjen e flamujve palestinezë e as nuk do të heshtë fishkëllimat e mundshme gjatë performancës së Izraelit. Me 35 shtete pjesëmarrëse, është numri më i vogël që nga viti 2004, kur gara u zgjerua. Gara, e menduar si një festë e muzikës, paqes dhe diversitetit, është shndërruar në përplasje diplomatike. Vendet që e kanë bojkotuar kishin thënë se do të ishte e papranueshme të merrnin pjesë duke pasur parasysh numrin e civilëve të vrarë në Rripin e Gazës gjatë luftës dyvjeçare izraelite me Hamasin. Në “Eurovizionin 2025”, Izraeli u përfaqësua nga këngëtarja Yuval Raphael, e cila i mbijetoi sulmit të ekstremistëve palestinezë ndaj vizitorëve të festivalit muzikor “Nova”, pranë kufirit të Izraelit me Rripin e Gazës. Gjatë atij sulmi ekstremistët palestinezë vranë më shumë se 360 persona.

Drejtori i përgjithshëm i transmetuesit izraelit i ka krahasuar përpjekjet për ta përjashtuar Izraelin nga “Eurovizioni” 2026 me një “bojkot kulturor”. Ndjenjat antiizraelite kanë shënuar dukshëm dy “Eurovisionet” e fundit, por kanë nxitur edhe reagim te shikuesit proizraelitë, të cilët u mobilizuan për të votuar për këngëtaren Eden Golan në vitin 2024 dhe Yuval Raphael  në vitin 2025. Eden Golan madje ka marrë edhe kërcënime me vdekje.

Anëtarët e Unionit Evropian të Radiodifuzionit (EBU) vendosën në fillim të dhjetorit të mos e përjashtonin Izraelin nga gara.

Gjatë konferencës së EBU-së anëtarët e saj me shumicë dërrmuese votuan për ndryshime në garë, kryesisht lidhur me sistemin e votimit, pasi kishte mendime se Izraeli ishte favorizuar.
Votimi për ndryshimet e rregullave të garës u interpretua si një referendum de facto për Izraelin, sepse transmetuesve kombëtarë u ishte thënë se votimi për pjesëmarrjen e Izraelit do të mbahej vetëm nëse reformat nuk merrnin mbështetje shumice.

Meqë ndryshimet u miratuan, votim për pjesëmarrjen ose përjashtimin e Izraelit nuk pati fare. ORF dhe qeveria austriake ishin ndër mbështetësit më të mëdhenj të pjesëmarrjes së Izraelit në edicionin e sivjetmë.