Prishtinë, 18 dhjetor – Njëzet minutat e fundit të takimit letrar “Esad Mekuli” nuk kaluan në mënyrën më të mirë të mundshme. Me rreth dy orë sa zgjati, “Akademia letrare” e takimit tashmë tradicional të organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ka përfunduar me pak kaos e tone të ngritura mes organizatorëve, fituesit të çmimit dhe të pranishmëve. E ndërmjetëzat mes leximeve të krijimeve poetike u plotësuan me disa interpretime të flautistes Zana Abazi dhe artistes Egzona Hoxha.
Dorëzimi i çmimit për shkrimtarin nga Presheva nuk ishte aktiviteti i vetëm i takimit letrar. Kryesia e LSHK-së këtë vit kishte pranuar 53 krijime me shifra, prej të cilave ishin përzgjedhur vetëm 22. Si pjesa e tretë e takimit letrar, në “Akademinë letrare”, të mbajtur pasdite në sallën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” u lexuan krijime poetike, ese e proza të shkurtra shkrimtarësh nga Kosova, Shqipëria e trevat e tjera.
I lindur më 1940 në Preshevë, shkrimtari Ramadan Rexhepi kishte nisur krijimtarinë e tij letrare qysh në vitet '50, kur punonte në arsimin e atyre anëve. Gjendja e rënduar politike kishte bërë që të braktiste punën si gazetar i “Rilindjes” e të mërgonte në Suedi.
Në emër të jurisë, shkrimtari Adem Zejnullahu ka njoftuar edhe emrat e fituesve të katër çmimeve “Bardi”. Ka thënë se zgjedhja e tyre nuk ka qenë e lehtë.
“Si juri e kemi pasur punën e vështirë, por, megjithatë, jemi munduar të bëjmë një vlerësim sa më të mirë. Krijimet letrare i kemi pasur me shifra”, ka thënë Zejnullahu për punën e jurisë, e cila përbëhej edhe nga Vera Istrefaj dhe Veli Veliu.
Poezia “Kënga të mos ketë mort” ia solli çmimin “Bardi I” poetit Nezir Prokshi, përderisa çmimin e dytë “Bardi II” e mori krijuesja që jeton në Athinë, Bardha Mançe, për punimin e saj “Protagonistët në tragjedi”. Sipas vendimit të jurisë, poetja Naxhije Kastrati ka marrë çmimin “Bardi III” për poezinë e saj “Dashurisë së Lasgushit”, ndërkohë që shkrimtari shkodran Zija Vukaj mori çmimin e katërt për tregimin e tij “Ndarja”, i cili mori edhe një komplet veprash të Institutit Albanologjik.
Kumtesa mbi krijimtarinë letrare të poetit Lasgush Poradeci janë lexuar në sesionin letrar të takimit letrar. Studiuesi Emin Kabashi ka thënë se poeti nga Pogradeci është krahasuar edhe me poetë si Eminesku, Herderlini e Boudleri.
Në vazhdim, Hamdi Hysuka ka folur për anën lirike të krijimtarisë poetike të Lagushit, për të cilin ka thënë se mban “kurorën e poetit kombëtar lirik”.
Ndërkaq për dy librat poetikë të Lasgushit të botuar në vitet '30, “Vallja e yjeve” dhe “Ylli i zemrës”, ka folur studiuesi Fatmir Halimi. Ka thënë se poeti nga Pogradeci ka sjellë risi në letërsinë shqipe me këto krijime.
Gjatë takimit letrar “Esad Mekuli” u bë edhe përurimi i disa librave letrarë. Libri i parë me poezi që u përurua ishte “Zëra të dëlirë” të autorit Milazim Kadriu, i pasuar nga “Gjethnajë shpirti” i Vera Istrefajt dhe romanit “Violina e humbur” i Lutfi Dervishit. Atyre iu shtuan edhe titujt “Hapekrah” i Xheladin Mjekut, “Jeh Motesh” nga Naxhije Doçi dhe “Shenjtëresha këmishëbardhë” nga Ismet Tahiraj.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)