Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Epopeja e UÇK-së në imazhe e kujtesë si shenjë lirie e sakrifice

Ekspozita

Ekspozitat në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës janë cilësuar si dëshmi reflektimi mbi mënyrën e ndërtimit të kujtesës, ruajtjes së sakrificës dhe përcjelljen e saj ndër breza

Holli i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës të enjten ka marrë pamjen e një vendi që, pos një ngjarjeje mirënjohëse, flet e shpjegon edhe historinë. Dhe këtë e bën me fotografi e po ashtu edhe me raportimet e gazetave ndër vite. “Epopeja e UÇK-së në shtypin e Kosovës (2000–2020)” dhe ‘Ditënetët e zjarreve në Prekaz”, ka një emërues të përbashkët: kujtesën kolektive. E, ajo është shenjë lirie e sakrifice. “Nëpërmjet këtyre ekspozitave, ne shohim se si e kaluara vazhdon të jetojë në të tashmen, vazhdon të rrojë në titujt që ndryshojnë tonin me kalimin e viteve, në fotografitë që ruajnë gjurmët e zjarrit, në ceremonitë përkujtimore që bashkojnë breza”, ka thënë Blerina Rogova-Gaxha, drejtoreshë e BKK-së

Janë imazhe të hapësirës, ku më 5, 6 dhe 7 mars 1998 u zhvillua beteja që i dha kah të ri rrugës për lirinë e Kosovës. Tash e gati tri dekada, kompleksi “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt është vend pelegrinazhi ku kujtohen rezistenca e sakrifica në kohë lufte. Fotografitë e shkrepura nga Sefer Aliçkaj rrëfejnë për Prekazin e një çerekshekulli të pasluftës. Aty shpërfaqen nderimet që shteti e shoqëria ua bëjnë Jasharëve dhe të rënëve për liri. 

Kjo ekspozitë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është hapur së bashku me atë me titull “Epopeja në kujtesën e shtypit kosovar 2000–2020”. Nëpërmjet teksteve të gazetave rrëfehet se si është shënuar Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e 5, 6, 7 marsit të vitit 1998. Fotografi Aliçkaj ndër vite ka vizituar Prekazin duke shkrepur qindra fotografi e mbi 30 prej tyre janë pjesë e ekspozitës. Ilustrohen kullat e Jasharëve bashkë me vragat e luftës. Ato kanë dëshmi të sakrificës e të rezistencës. Ushtria e Kosovës është në imazhe si shpresë bashkë me fëmijët si pasardhës të atyre që ranë për lirinë e Kosovës. Holli i institucionit më të lartë bibliotekar në vend ka marrë pamjen e një vendi që, pos një ngjarjeje mirënjohëse, flet e shpjegon edhe historinë. Dhe këtë e bën me fotografi e po ashtu edhe me raportimet e gazetave ndër vite. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Historia dhe tragjedia e familjes Jashari në të cilën mbetën të vrarë tre breza, ndër ta edhe themeluesi dhe komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, është memorizuar në memorien tonë. Fjala, imazhet dhe artikujt e gazetave kapin njerëzoren e narratives heroike të flijimit të familjes Jashari, aty ku nisi kthesa historike e luftës së Kosovës për çlirim”, ka thënë drejtoresha e BKK-së, Blerina Rogova-Gaxha. Sipas saj, 5, 6 dhe 7 marsi i vitit 1998 me sulmin në Prekaz, rezultoi me 58 persona të vrarë, në mesin e të cilëve 18 ishin gra dhe 10 fëmijë nën moshën 16-vjeçare. Ka përmendur se sulmit i mbijetoi vetëm vajza e vogël e familjes, Besarta Jashari, asokohe 11 vjeçe. 
“Dy ekspozitat që hapim sot, ‘Epopeja e UÇK-së në shtypin e Kosovës (2000–2020)’ dhe ‘Ditënetët e zjarreve në Prekaz”, ndërtohen si dy rrathë të së njëjtës qendër: kujtesës sonë kolektive. Në njërën anë, fjala e shtypur. Në anën tjetër, imazhi i hapësirës së shenjtë”, ka thënë ajo. 

“Epopeja në kujtesën e shtypit kosovar 2000–2020”, nëpërmjet teksteve të gazetave sjell rrëfimin se si është shënuar ndër vite Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e 5, 6, 7 marsit të vitit 1998
 

Drejtoresha Rogova-Gaxha ka thënë se narrativa e përvjetorëve, gjuha e titujve, ndryshimi i diskursit ndër vite, heroizmi dhe institucionalizimi i kujtesës, përfaqësojnë mënyrën se si Epopeja është rrëfyer, ripërmendur dhe rikrijuar në faqet e gazetave të Kosovës gjatë dy dekadave. 

“Nga ballinat e para pas luftës, te reflektimet më të vonshme, shohim se si fjala ka ndërtuar memorien, si është formësuar diskursi publik dhe si është gdhendur kjo simbolikë në ndërgjegjen kolektive”, ka thënë ajo. Sipas saj, në anën tjetër, fotografitë nga Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, shtëpitë e djegura, gjurmët e plumbave, muret e shkatërruara, varrezat e përbashkëta, flakadanët, fëmijët me flamuj, përbëjnë një rrëfim vizual, ku zjarri i luftës, zjarri i sakrificës, zjarri i kujtesës dhe mbijetesa bashkëjetojnë në të njëjtën hapësirë simbolike.

“Titujt e gazetave, shkrimet e ilustruara, fotografitë panoramike, peizazhi i lagjes Jashari, brezat që vizitojnë Prekazin: krijojnë një dialog të dyfishtë: Kujtesa në fjalë dhe kujtesa në imazh. Arkivi dhe hapësira. Media dhe monumenti. Diskursi dhe emocioni”, ka thënë Rogova-Gaxha. Biblioteka Kombëtare e Kosovës është institucioni i trashëgimisë shkrimore të vendit. Aty zënë vend krejt numrat e gazetave të shtypura në vend. Ata të kohës kur në Kosovë shtypeshin gazeta. 

“Nëpërmjet këtyre ekspozitave, ne shohim se si e kaluara vazhdon të jetojë në të tashmen, vazhdon të rrojë në titujt që ndryshojnë tonin me kalimin e viteve, në fotografitë që ruajnë gjurmët e zjarrit, në ceremonitë përkujtimore që bashkojnë breza”, ka thënë Rogova-Gaxha. Sipas saj, duke i hapur këto ekspozita në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, hapet një hapësirë reflektimi mbi mënyrën se si ndërtojmë kujtesën, si e ruajmë sakrificën dhe si e përcjellim atë te brezat që vijnë.

“Le të jetë kjo ekspozitë një e dhënë më shumë për të kuptuar se historia është pjesë e identitetit tonë të përditshëm, se si historia është pjesë e shpirtit tonë dhe se vendet si Prekazi, janë të gjithëkohëshme”, ka thënë Rogova-Gaxha. 

Autori i fotografive, Sefer Aliçkaj, ka thënë se imazhet flasin më së miri. 

“Ndër vite kam qenë në Prekaz dhe kam fotografuar. Jam shumë i nderuar dhe njëkohësisht i emocionuar me këtë mundësi që t’u ekspozoj fotografitë”, ka thënë ai. 

Numrat e të përditshmeve, si “Koha Ditore”, “Zëri”, “Lajm” e shumë gazetave të tjera shpërfaqin se si është raportuar ndër vite për “Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Nga titujt që bien në sy, ndër vite është raportuar për sakrificë sublime, rezistencë për liri, thirrje për bashkim e unitet duke marrë për bazë idealet e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E deri më 12 mars, vizitorët kanë mundësinë që të vizitojnë ekspozitat për të parë pak nga arkivimi i historisë.